Llogaria ime
AOL Portal Lajme
Propozimi i FMN: Taksa e pronės tė futet tek faturat e energjisė elektrike

Në raportin e fundit për Shqipërinë, pas përfundimit të marrëveshjes trevjeçare, Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka lënë qeverisë edhe disa detyra lidhur me sistemin fiskal për rritjen e të ardhurave.

Duke qenë se tatimi mbi pronën është në nivele të ulëta FMN kërkon përshpejtim të reformës mbi këtë zë dhe në raport thuhet se në projektin që po harton qeveria taksa e pronës do të vilet tek fatura e energjisë elektrike.

Kryeministri ka miratuar një plan veprimi dhe një grup të veçante pune që po drejton procesin vë në dukje FMN.

“Kadastra fiskale është duke u zhvilluar në bashkëpunim me kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike. Ministria e Financave është duke zhvilluar një projekt pilot në katër zona të mëdha, duke integruar faturat e tatimit të pronës në faturat e energjisë elektrike dhe ujit, për ta shtrirë më tej këtë skemë”.

Ndonëse nga ministria e Financave ende nuk është bërë i ditur një projekt i tillë, në familjet shqiptare tashmë ka nisur dërgimi i formularit që duhet të plotësojnë për mbledhjen e të dhënave edhe për banesat.

Ky adresar i ri ka ardhur pas marrëveshjes që Ministria e Brendshme bëri me OSHEE dhe do të shërbejë edhe për mbledhjen e të dhënave mbi sipërfaqet e banesave në të gjithë vendit mbi gjendjen e tyre nëse janë të regjistruara apo në proces legalizimi.

Pikërisht këto të dhëna do të përdoren më tej nga ministria e Financave për qëllime taksimi mbi pronën, ku do të aplikohet formula e re e pagimit mbi vlerën e tregut dhe jo më me kuotë fikse.

Ndryshimet ligjore lidhur me taksën e pronës sipas Fondit Monetar janë duke u përgatitur dhe pritet të shkojnë në parlament brenda muajit shtator të këtij viti.

Last updated 3 mins ago

Ska sondazhe aktive!