Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

New York Times: Virgjëreshat e Malësisë
Publikuar me 25 Qer 2008

New York Times: Virgjëreshat e Malësisë

Pashe Keqi, 78 vjeç u betua të mos martohej për tërë jetën që në moshën 20 vjeçare. Ajo duhej të bëhej burri i shtëpisë për të zvendësuar babain e vdekur në një dyluftim për hakmarrje.

Për shumë shekujsh, në shoqërinë patriarkale në zonat rurale të Shqipërisë, ndrrimi i gjinisë është konsideruar traditë për të zgjidhur hallet e familjes kur ajo ngelej pa burrë. Babai i shtëpisë u vra nga gjakësit, dhe nuk kishte asnjë burrë ta zvendësonte atë. Sipas zakonit, Zonja Keqi, tani 78 vjeç, bëri betimin për të qëndruar virgjëreshë gjithë jetën. Ajo jetoi si burrë, dhe fjala e saj dëgjohej nga të gjithë, ajo kishte autoritetin e burrit edhe në takimet familjare që bëheshin, apo edhe detyrimin për të marrë hakun e babait të saj të vrarë.

Ajo thotë se nëse do ishin këto kohë nuk do të kthehej në burrë ashtu sic bëri atëherë, pasi kohët kanë ndryshuar. Vajzat tani nuk duan të bëhen më burra dhe zakoni nuk është aq i fortë si atëhërë – tregon ajo. Zonja Keqi dhe 40 shoqe të saj janë besoj të fundit virgjëresha të betuara në fshat dhe zakoni duket se do të vdesë bashkë me to.

“Në atë kohë ishte më mirë të ishe burrë pasi gruaja dhe kafsha konsideroheshin të ishin e njëjta gjë” – thotë Keqi, e cila ka një zë kumbues si baritone, e ulur me këmbët hapur njësoj si burrë, duke shijuar një gotë raki. “Tani gratë kanë të njëjtat të drejta si burrat, dhe mbase kanë edhe më shumë fuqi. Mendoj se sot është bukur të jesh grua” – vazhdon ajo.

Tradita e kthimit të grave në burra është pjesë e Kanunit të Lekë Dukagjinit, një kod i mbajtur gjallë në veri të Shqipërisë për më shumë se 500 vjet. Sipas kanunit, roli i gruas ishte i kufizuar; të rriste fëmijët dhe të merrej me punët e shtëpisë. Kur merrej hak për një njeri të vrarë, jeta e gruas konsiderohej sa gjysma e asaj të një burri, ndërkohë që vlera e një virgjëreshe ishte njësoj si e burrit.

Tradita e burrneshave lindi kur vendi ishte mbuluar nga luftrat dhe vdekjet. Kur i pari i familjes vdiste dhe nuk kishte asnjë trashëgimtar mashkull, një grua e pamartuar e familjes duhej të kthehej në burrë që të bëhej mburojë e familjes dhe e vetes. Duke u betuar se do të qëndronte beqare për tërë jetën, këto gra merrnin përsipër punët e burrave në familje, mbanin armë, dhe fjala në kuvende u shkonte njësoj si burrave.

Ato visheshin si burra, dhe uleshin në tavolinë me burra, megjithëse disa prej tyre mbanin emrin femëror që prindrit u kishin vendosur. Ato pranoheshin në jetën publike dhe kishin autoritet për të vendosur për martesat në familje apo për çështje të tjera.

“Deformimi i gjinisë së tyre duke u betuar të  mbeten të virgjëra ishte një mënyrë që këtyre grave tu dëgjohej fjala në një shoqëri të dominuar nga burrat” – thotë Linda Gusia, një profesor në Universitetin e Prishtinës në Kosovës. “Ishte një mënyrë për të mbijetuar në një botë kur vetëm fjala e burrit dëgjohej”.

Sociologët thonë se betimi për të ngelur e virgjër nuk barazohej me homoseksualitetin, pasi kjo gjë është një tabu në fshatin rural Shqiptar. As nuk bëhej fjalë që gratë të kishin operacione për ndryshim seksi.

E njohur në familjen e saj me emrin “Pasha”, Pashe Keqi, 78 vjeç, thotë se ka vendosur të kthehet në burrë në moshën 20 vjeçare kur i ati i saj u vra për arsye hasmërie. “Unë kam qenë gjithmonë si burrë dhe asnjë nuk e dinte që isha grua” – thotë ajo.
Vllezërit e saj u burgosën dhe u vranë nën regjimin komunist. Të bëhesha burrë, thotë ajo, ishte e vetmja mundësi për të ndihmuar nënën, kunatat dhe motrat e tjera.

Ajo thotë se duke jetuar si burrë ajo kishte lirinë të bënte gjëra që ishin të ndaluara për gratë. Ajo punonte në punët e ndërtimit dhe në xhami falej si burrat. Edhe sot, nipat dhe mbesat e saj, thonë se nuk do të guxonin të martoheshin pa lejen e saj.

“Kur ika nga fshati të gjithë më kujtonin burrë, kisha totalisht lirinë  e një burri pasi askush nuk e dinte si isha grua” – thotë Zonja Keqi. “Mund të shkoja ku të doja dhe askush nuk guxonte të grindej me mua pasi mund ti rrihja. Unë rrija vetëm me burra. Unë nuk dija si të bëja muhabete grash. Asnjëherë skam patur frikë”.

Kur u shtrua herën e fundit në spital për një operacion, gratë e tjera në dhomë u tmerruan kur panë se në dhomën e tyre erdhi një burrë...

Duke u bërë burri i shtëpisë ajo kishte gjithashtu detyrimin për të marrë hakun e babait të vrarë.

Kur vrasësi i babait u lirua nga burgu pesë vjet më parë, Keqi thotë se nipi i saj 15- vjeçar e qëlloi atë për vdekje. Më pas ata marrin hak sërish duke vrarë nipin e saj. “Unë gjithmonë kisha ëndërruar hakmarrjen e babait tim” – thotë ajo. “Sigurisht, më vjen keq; nipi im u vra. Por nëse më vret unë do të vras padiskutim”.


Disa virgjëresha të betuara  vajtojnë fatin e tyre. Diana Rakipi, 54 vjeç, e cila punon si ushtarake në Durrës, thotë se kujton me nostalgji kohën e kaluar. Gjatë atyre kohëve, trajtohesha me respekt. “Unë nuk laja, nuk gatuaja, nuk hekurosja. Këto ishin punët e grave”.

“Sot vajzat shkojnë me barkun përjashta në disko” – thotë Rakipi, e cila ka në kokë një beretë ushtaraku.

Qamile Stema, 88, është burrnesha e fundit e mbetur në fshat. Ajo mban një qeleshe, tipari tradicional që mbajnë burrat në këtë zonë. Ajo thotë se mori vendimin për të qëndruar beqare për tërë jetën në moshën 20-vjeçare, pas vdekjes së të atit. Ajo ishte motra më e madhe nga 9 vajza të familjes.

Prej shumë shekujsh në shoqëritë konservative të fshatit në Shqipëri, kthimi i një gruaje në burrë kur vdisnin burrat e shtëpisë ka qenë një traditë që duhej ndjekur me detyrim.

Pasi u bë burrë, Qamile Stema thotë se nuk e kishte problem të dilte nga shtëpia për të prerë dru me burrat e tjerë të fshatit. Ajo gjithashtu ka mbajtur gjithmonë armë. Në ceremonitë e martesës, ajo ulej përkrah burrave. Kur fliste me gra, ajo duhej të mbante qëndrimin e burrit dhe të tregohej e tërhequr. Ajo u kërkonte dhe të afërmve që ta vizitonin më shpesh.

Betimi për tu bërë burrë ishte e nevojshme dhe sakrificë. “Ndihem vetëm ndonjëherë, të gjitha motrat e mia kanë vdekur, vetëm unë jam gjallë” – thotë ajo. “Por asnjëherë skam dashur të martohem. Ndonjëherë anëtarë të familjes kanë tentuar të më ndryshojnë rrobat, por kur e shohin që s'mund të më ndryshojnë,  më lanë të vetme”.

Qamile Stema tha se do të vdiste beqare. “Ju do të mendoni se kam qenë gjysëm burrë e gjysmë grua, por sigurisht nuk kam bërë gjithçka që bën një burrë” – tha ajo. “Më ka pëlqyer jeta si burrë, dhe nuk më vjen keq për asgjë”.

Johan Spanner nga gazeta New York Times

http://www.nytimes.com/slideshow/2008/06/25/world/20080625VIRGINS_index.html ( foto)

http://www.nytimes.com/2008/06/25/world/europe/25virgins.html 


1968
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI