Llogaria ime
AOL Portal
Revista

Trump President i SHBA, ja të gjitha deklaratat e Ramës kundër tij
Publikuar me 09 Nen 2016

Trump President i SHBA, ja të gjitha deklaratat e Ramës kundër tij

Pas fitores të papritur të Donald Trump, në Tiranë mediat kanë rikthyer disa deklarata të forta të kryeministrit Edi Rama.

Pak muaj më parë gjatë një vizite në SHBA, Rama tha se do të ishte fatkeqësi për Amerikën nëse do të zgjidhte për President, kandidatin e republikanëve.

Sot me siguri të gjithë pyesin: Çfarë dreqin e shtyu kryeministrin shqiptar të pohonte se Trump se do të ishte një kërcënim për vendin e tij dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse do të zgjidhej President? Ç’e bindi të pohonte: “Mos e dhëntë Zoti që amerikanët ta zgjedhin për president”. Ç’e detyroi të bënte batuta shpërfillëse: “një tip si ai nuk mban inat”.

Eshtë e qartë se Edi Rama nuk shquhet as për bindje të majta, nuk ka ndonjë prirje të theksuar anti ksenofobike, nuk ka treguar dhimbsuri të veçantë as për zezakët apo latinët.

Këto deklarata, që shkojnë në rrjedhën e mendimit unik të kohës, ai i ka bërë me qëllim. Por me lehtësinë dhe protagonizmin e një narcizi të sëmurë. Në thelb, ai i ka bërë ato si provokime për të tërhequr vëmendjen e liderëve dhe shtypit perëndimor.

Njësoj sikurse kërkoi t'i hyjë në zemër Merkelit përmes barcaletave të kohës së komunizmit.

Njësoj sikur i bëri thirrje Greqisë kundër Tsiprasit: “nëse ai do të dalë nga BE, jemi të gatshëm ta zëvendësojmë ne”.

Por, nuk duhet harruar se Rama i ka bërë deklaratat e tij të ashpra kundër Trump në një datë precise. Ai doli në emisionin “Zona e Debatit” të Baton Haxhiut, pikërisht një javë parpara se të takohej në Uashinton me presidentin Obama.

Pra në thelb fabula e Ramës është fabula e provincialit që shkon e i lajkatoset më të fuqishmit. Përralla e servilit që do t'i hyjë në zemër protektorit të tij.

E veshur dhe me ngjyrimet e një artisti dhe me delirin e një narcizi, lëvizja e Ramës e arriti qëllimin. Deklaratat e tij në Shqipëri dhe Kosovë, shkuan deri në shtypin më prestigjoz të SHBA para takimit Obama- Rama.

New York Times shkroi: “Më pak se një javë nga vizita e parë në Washington, kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë për kandidatin republikan amerikan Donald Trump se do të ishte një kërcënim për vendin e tij dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përsa i përket marrëdhënieve bilaterale, nëse do të zgjidhej President”.

Kur shkoi në Uashington, Rama e vazhdoi lojën e tij edhe në një intervistë në CNN tek i cili kishin arritur gjëmimet anti Trump të liderit të vendit të vogël ballkanik. Gazetarja e pyeti se a qe kjo një ndërhyrje në fushatën amerikane, se a po i kalonte kryeministri shqiptar kufijtë dhe në fund e vuri Ramën t'i jepte leksione Donaldit:

CNN: Nëse do të ndodhë që Donald Trump të fitojë emërimin e Partisë Republikane, atëherë do të bëhet shumë më e ndërlikuar për të gjithë ata që kanë shprehur këtë frikë?

Kryeministri Edi Rama: Larg qoftë! Besoj se do të dëmtonte shumë SHBA-në dhe do të dëmtonte shumë botën demokratike, pasi ai, në fund të ditës do të duhet të bënte disa prej gjërave që po thotë se do të bëjë dhe pa dyshim, kjo do të ishte shumë e dëmshme. Gjithashtu, shpresoj që ndërkohë ai të jetë në gjendje të mësojë më shumë mbi botën, të mësojë më shumë mbi myslimanët, të mësojë më shumë se si ka shumë njerëz, që pavarësisht besimit apo etnisë së tyre, jetojnë me krenari me vlerat që Amerika përfaqëson dhe i mbrojnë këto vlera, edhe përmes sakrifikimit të fëmijëve të tyre, në luftërat që bëjnë përkrah Amerikës.​

E njëjta fabul u përsërit edhe tek Zëri i Amerikës gjatë një interviste në Uashington. Rama pohoi sërisht: "Unë besoj që ata të cilët në Shqipëri zgjedhin Trumpin përpara meje, pavarësisht diferencave që kanë me mua, janë për t’u mëshiruar. Unë midis Lulzim Bashës dhe Trumpit zgjedh gjithmonë Lulzim Bashën, pavarësisht se Lulzim Bashën nuk do ta zgjidha kurrë, në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye, për asgjë. Por ama nuk është problemi im, nëse Lulzim Basha, apo cilido qoftë tjetër mes meje e Trump, zgjedh Trump. Është problemi i tyre, unë nuk kam problem".

Pra në prag të vizitës në Shtëpinë e Bardhë, Rama e arriti qëllimin imediat. Ai ia doli të tërheqi vëmendje.

Po tani që Trump është president, a do të rezultojë ashtu sikurse tha kryeministri ynë, që marrëdhëniet me SHBA do të përkeqësohen? Dhe mbi të gjitha, a do të ketë një gjë e tillë reperkursione për të ardhmen politike të Ramës?

Ai vetë, me lehtësinë që e karakterizon, shpreson të ndodhë ajo që ka parashikuar në emisionin “Zululand” të Mustafa Nanos. Kur ky e pyeti nëse i trembej personalisht një fitore të Trump, Rama iu përgjigj: “Tipa si ai nuk mbajnë inate për këto gjëra”.

Sot të gjitha deklaratat e Ramës kundër Trump janë publikuar me video në portalet shqiptare.


722
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI