Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Marksizmi, si vazhdon në shkencat sociale shqiptare
Publikuar me 11 Tet 2012

Marksizmi, si vazhdon në shkencat sociale shqiptare

Prof. Asoc. Dr. Enika Abazi

Përmbysja e sistemit socialist dhe ideologjisë marksiste rezultoi me mohimin e teorisë sociale të regjimit komunist në Shqiperi. Megjithatë mbetet e rëndësishme të reflektohet se sa dhe si është mbushur vakumi i krijuar sa hap e mbyll sytë me përmbysjen e komunizmit. Duket se mendësia e krijuar gjatë sistemit të kaluar ende vazhdon të ndikojnë zhvillimin e shkencave sociale dhe realitetin postkomunist, të cilat duket se vërtiten në një rreth vicioz që riprodhon në përmbajtje të njëjtin realitet, marrëdhënie sociale dhe mentalitet, ndonëse të ndryshme në formë.

Një studim serioz i periudhës komuniste kërkon një përqendrim të vëmendjes sidomos në çështjet metodologjike. Nevoja e një metode shkencore në shkencat sociale diktohet nga një sërë arsyesh. Se pari, realiteti social paraqitet kompleks dhe me ndërthurje të shumta ndaj nuk mund të interpretohet vetëm nëpërmjet vezhgimeve të thjeshta mbi realitetin, pasi shpesh rezultatet e këtyre të fundit janë iluzive. Se dyti, zgjedhja dhe përdorimi i metodës së duhur është thelbësore për gjenerimin e dijes dhe përgjithësimin e saj. Se treti, studimi i realitetit nëpërmjet një metode shkencore i shërben jo vetëm interpretimit apo parashikimit, por edhe parashtrimit të mundësive njerëzore për veprim e ndërhyrje. Se katërti, përveç përcaktimit të aftësive tona shpjeguese, metoda e zgjedhur përcakton edhe horizontin tonë etik dhe politik.

Regjimi komunist propagandonte nevojën që gjithçka e për më tepër kërkimi shkencor të karakterizohej nga kërkesat për një metodologji objektive dhe realiste. Paradoksalisht kërkohej qe studimet te synonin çlirimin nga paragjykimet e përkushtim ndaj barazisë dhe drejtësisë me qëllim emancipimin e shoqërisë. Paradoksi qëndron në atë se pasqyrimi me objektivitet i realitetit në një shoqëri socialiste jo domosdoshmërisht çon në promovimin e vlerave dhe progresit shoqëror, pasi kjo varet nga mënyra se si kuptohet dhe pasqyrohet ‘objektiviteti,’ ‘realizmi’ apo ‘emancipimi’ në trajtimin e realitetit shoqëror. Kërkimi shkencor në shkencat sociale komuniste huazoi nga Marksizmi observimin e një realiteti objektiv, që konsiston në mbledhjen e fakteve empirike dhe ‘evidentimin’ e përvojës së punës së burrave dhe grave punëtorë e kooperativistë në ndërtim të komunizmit. Një aspekt tjetër i huazuar nga marksizmi është dogmatizmin i cili gjykon ‘vërtetësinë’ e studimeve nga këndvështrimi i ideologjisë së elitës në pushtet dhe një metode të vetme, atë marksist-leniniste. Metodologjia e përdorur siguronte natyrën politike të interpretimeve dhe shpjegimeve të fenomeneve sociale të cilat i shkonin për shtat legjitimimit të regjimit komunist që fetishizohej dhe propagandohej si faza e fundit dhe më e emancipuar e zhvillimit të shoqërisë njerëzore.

Aplikimi i marksizmit solli një sërë pasojash që mund të identifikohen lehtësisht në teorinë dhe në praktikën e shkencave sociale shqiptare, dhe që vlen të vihen në dukje pasi duket se kanë ndikim edhe në studimet sociale të periudhës postkomuniste. Se pari, adaptimi i empiricizmit i shërbeu instalimit të dogmatizmit në shkencat sociale. Empiricizmi nuk është gjë tjetër veçse një qasje dogmatike e realitetit të cilës i mungon pikënisja dhe metoda e duhur për verifikimin e hipotezave dhe përgënjeshtrimin e teorive. Kështu, mjafton te kujtojmë se si riprodhimi apo rivlerësimi i së shkuarës është sjellë nën optikën e ideologjisë marksiste dhe metodologjisë së realizmit socialist, sipas së cilës duhej të mbizotëronte lufta e klasave dhe triumfimi i heronjve të saj si pjesë e pa-përgënjeshtrueshme e realitetit social. Kështu studimet e asaj kohe krijonin pseudo-heronj si Haxhi Qamili, të stisur si luftëtarë të vegjëlisë në luftën klasore kundër bejlerëve dhe agallarëve. Në të njëjtën vazhdë deklasoheshin dhe për pasoje censuroheshin studime alternative të cilat ishin në kundërshti me ideologjinë marksiste dhe politikat e regjimit në fuqi. Kështu studimet humbën lirinë e gjykimit dhe të vlerësimit të fenomeneve te studiuara dhe implikimeve të tyre për shoqërinë shqiptare, duke u bërë shtojca të politikës së kohës.

Se dyti, empiricizmi dhe ideologjia marksiste kontribuan në instrumentalizimin e dijes shpeshherë nëpërmjet trukimit të realitetit apo “folklorizimit të traditave kulturore” siç e ka quajtur Albert Doja, në funksion të legjitimimit të sistemit dhe strukturave mbizotëruese të pushtetit siç do të thoshte Michel Foucault, duke ndikuar në formësimin e një realitet të gënjeshtërt i cili glorifikonte ‘njeriun e ri’ i cili paraqitej si arritje e regjimit komunist, prosperitetin dhe begatinë ekonomike, qëndresën ngadhënjimtare mbi të gjithë armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, të qenit fanar ndriçues për të gjithë botën dhe për gjithçka. Një sërë faktesh e punimesh të së kaluarës ju nënshtruan manipulimit, pasi ato thjesht nuk përmbushnin kriterin ideologjik. Vlen të kujtohet retushimi i dokumentit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë apo Kongresit te Lushnjës ku protagonistët e karakterizuar si ‘tradhtarë’ u zëvendësuan me mjeshtëri nga ata që politikisht plotësonin standardet dhe mbi këto mashtrime u shkrua historia për këto ngjarje. Në shumë raste në histori, letërsi, etnografi, arkeologji, etj. instrumentalizimi u materializua nëpërmjet glorifikimit të partikularizmit apo karakterit specifik historik, social dhe kulturor të popullit shqiptar dhe të heronjve të tij popullorë, gjë që në mënyrë të natyrshme kulmonte me vendosjen e socializmit dhe legjitimimin e lidërshipit të tij. Nga një vëzhgim i shpejtë studimet e shkencave sociale dhe humane në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit kanë pasur një prirje të theksuar drejt krijimit të një shkence kombëtare, ku preokupimi kryesor mbetet ri-valorizimi i traditës popullore apo historisë kombëtare, kryesisht nëpërmjet inventarizimit të vlerave pozitive, të lavdishme, të veçanta, ndërkohë që në to mungon thuajse fare trajtimi teorik ose krahasues.

Se treti, shkencës sociale kombëtare, që unë do ta quaja ‘shqiptare për shqiptarët’, i mungonte dialogu me homologët jashtë vendit dhe për rrjedhojë dhe botimet në revista shkencore jashtë vendit, gjë që solli ‘vetë-izolimin’ intelektual dhe ndikoi në nivelin e cilësisë së punimeve të botuar dhe problematikave të trajtuara. Një zhvillim i tillë inkurajohej jo vetëm nga adaptimi i një metodologjie kufizuese në studimin e realitetit social, por edhe nga një sërë pengesash të tjera si mungesa dhe ndalimi i literaturës bashkëkohore perëndimore e më vonë edhe asaj lindore në Shqipëri, apo ndalimi i pjesëmarrjes së studiuesve në konferenca e forume ndërkombëtare, që inkurajoi edhe izolimin fizik të studiuesve shqiptarë.

Ideologjia marksiste duke u paraqitur empirikisht sa natyrale aq edhe e pazëvendësueshme, zhvlerësoi çdo qasje tjetër, duke kushtëzuar realitetin social dhe ndërgjegjen shoqërore. Ndërkohë që nocioni i legjitimitetit mbetet problematik, ideologjia merr një rol të rëndësishëm në legjitimimin e pushtetit nëpërmjet inkurajimit të mendimit dhe ligjërimit që natyralizon regjimin politik, duke e bërë atë në mënyrë të pakundërshtueshme të përshtatshëm, bona fide, dhe të denjë për respekt.

Më shumë se çdo gjë tjetër botimet divulgative në shërbim jo vetëm të masivizimit të shkencës, por dhe apologjisë së politikës zyrtare ishin me pasoja serioze për nivelin shkencor e metodologjik të punimeve. Pa u ndalur gjatë në gazetat dhe revistat e kohës, shkrimet e të cilave nuk trajtojnë veçse probleme të antiamerikanizmit apo kotësisë së ideologjisë borgjeze-kapitaliste, shembullin më tipik e përbëjnë veprat e liderit komunist, i cili bën ‘analiza’ autodidakte të vetë-administrimit jugosllav, politikave dhe zhvillimeve në Bashkimin Sovjetik, Lindjen e Mesme apo Kinën e largët, të cilat jo vetëm duhet të gjendeshin në bibliotekat e gjithsekujt, por duhet të ishin literatura referuese për studiuesin e mirëfilltë të marrëdhënieve ndërkombëtare, si për studentin apo kooperativistin e thjeshtë kur t’u duhej në mbledhjet e kolektivit të demaskonin hrushovianët, kinezët dhe tradhtarët e radhës të doktrinës marksiste.

Për shumë disiplina të shkencave sociale apo shkolla të mendimit në Shqipëri mungon pothuajse fare tradita ndryshe. Gjatë komunizmit, jo vetëm sociologjia, por edhe shkencat politike e marrëdhëniet ndërkombëtare dhe antropologjia sociale konsideroheshin ose ‘të panevojshme’ ose ‘borgjeze të dëmshme.’ Tradita e shkencave sociale komuniste ekzistonte e zhvilluar në nivel kërkimor dhe institucional vetëm për filozofinë marksiste-leniniste dhe ekonominë politike dhe kjo kryesisht e socializmit, ku kanë ekzistuar programe studimi në universitet si dhe ka pasur qendra e institute të kërkimit shkencor. Mungesa e studimeve të realitetit social në nivele të ndryshme, të individit, të grupit apo dhe të gjithë shoqërisë, krijoi përshtypjen e një realiteti social pa probleme duke i shndërruar në spekulative shumë studime të aspekteve sociale dhe ekonomike të shoqërisë shqiptare. Të tilla ishin raportet e kongreseve të Partisë së Punës të cilat bënin një analizë të të gjitha aspekteve të jetës në Shqipëri që gjithsesi paraqitej si e mbushur me suksese dhe realizime spektakolare siç u konsiderua sigurimi i bukës, dritës dhe çelikut në Kongresin e 8-të të Partisë së Punës, që në të njëjtën kohë trumbetohej si emancipim i shoqërisë shqiptare që nuk e njihte kthimin mbrapa. Një apati e tillë e trashëguar edhe sot duket se shpjegon edhe numrin e kufizuar të studimeve të mirëfillta të fenomeneve të cilat shoqërojnë shoqërinë shqiptare në këto vite të tranzicionit të tej zgjatur.

Vlen të theksohet se marksizmi shkencor si teori, në ndryshim nga marksizmi utopist apo ideologjia dhe praktika e asociuar me të, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në mënyrën se si duhen analizuar, konceptualizuar, dhe shpjeguar proceset shoqërore në një këndvështrim historik dhe rolin e forcave sociale në to. Metodologjia e marksizmit shkencor në shpjegimin e një procesi, fenomeni apo ngjarjeje shoqërore kërkon zbulimin e shkakësisë duke evituar asocimin ‘realist’ dhe empiricist të variabëlve të observuar. Kjo perspektivë lejon ngritjen e hipotezave të verifikueshme. Në nivel ndërkombëtar teoria e marksizmit shkencor ka pasur një ndikim të padiskutueshëm në shkencat sociale, kryesisht në Shkollën e Frankfurtit që lindi në periudhën midis dy luftërave botërore si një përpjekje për adaptimin e qasjeve kitike në shkencat sociale, me përfaqësues ndikues si Max Horkheimer dhe Theodor Adorno, për të kulmuar me Jurgen Habermas, dhe solli një kuptim jo intrumentalist të arsyes e dijes dhe metodën jo-pozitiviste në shkencat sociale. Më tej, Michel Foucault sjell në vëmendje se dija është kontingjent i kushteve specifike historike, marrëdhënieve dhe strukturave përkatëse të pushtetit, ndërsa Emmanuel Wallerstein ‘ri-zbulon’ ndërvarësinë e sistemit ekonomik sot dhe alienimin si kategori dhe fenomen real sociale që duhet të korrigjohen me qëllim emancipimin e shoqërisë njerëzore. Për më tepër, pikënisja e qasjeve kritike buron nga qasjet neo-marksiste për të vijuar me tej me qasjet konstruktiviste dhe strukturaliste në shkencat sociale.

Për ironi, këto ndikime të marksizmit shkencor në nivelin ndërkombëtar kanë pasur një jehonë të papërfillshme në shkencat sociale shqiptare gjatë periudhës komuniste ndonëse të mbizotëruar nga metoda e ‘realizmit’ socialist dhe ideologjia marksiste. Adoptimi verbërisht i metodës së ‘realizmit’ socialist nga shkencat sociale shqiptare inkurajoi në to një deskriptivizëm të kotësive empirike, me mungesa të konceptimit të dialektikës midis konkretes dhe abstraktes, të të përgjithshmes dhe të veçantës që qëndron në themel të organizimit të realitetit social. Me këtë ‘zgjedhje’ shkencat sociale komuniste shqiptare nga njëra anë i mohuan vetes kuptimin e shkakësisë në thelb të sistemeve, strukturave dhe proceseve sociale, gjithsesi jo gjithnjë të observueshme, të cilat vënë në lëvizje apo kufizojnë veprimet individuale, por edhe iniciojnë procese sociale të cilat qeverisen nga ligjësi të caktuara apo që gjithsesi nuk janë të rastësishme. Nga ana tjetër, studiuesit shqiptarë nuk kanë qenë në gjendje të marrin parasysh se sistemet, strukturat dhe proceset sociale gjenerojnë marrëdhënie të pushtetit, dominimit, shfrytëzimit apo rezistencës, të cilat favorizojnë disa ndërkohë që disfavorizojnë të tjerë, duke mos kuptuar se vlerësimi i tyre kritik qëndron në bazë të emancipimit të shoqërisë. Kjo shpjegon edhe faktin përse studimet e asaj kohe nuk arritën të kuptojnë se edhe socializmi krijoi strukturat e veta të sundimit të shoqërisë dhe uzurpimit të pushtetit, jo nga populli siç propagandohej, por nga një klikë politikanësh të cilët lindën e vdiqën në krye të shtetit komunist.

Kështu, shkencat sociale nuk kanë mundur të bëjnë të kuptohet se realiteti paraqitet kompleks, ai rezulton nga marrëdhënia e ndërsjellët e aktorëve dhe e strukturës, të cilët ndikojnë reciprokisht njëri-tjetrin dhe vetë mjedisin social. Ndaj interpretimi i fenomeneve sociale mbetet sa i rëndësishëm aq edhe i vështirë pa përdorimin e metodës së duhur. Ndaj qasjet empiriciste të adaptuara nga shkencat sociale shqiptare rezultojnë problematike për nivelin e njohjes dhe objektivitetit që ofrojnë në teorizim pasi në pjesën më të madhe të rasteve ato nuk synojnë interpretimin me rigorozitet të shkakësisë. Kështu, ndërkohë që nuk mund të mohohet rëndësia e të dhënave empirike në shkencat sociale, duhet insistuar më shumë në thellimin e të kuptuarit të shkaqeve dhe mekanizmave, duke kritikuar mendimin e përciptë mbi metodat empirike që duket se ka mbetur një karakteristikë fatkeqësisht e përgjithësuar për shumicën e studimeve të problematikës së transformimeve post-socialiste. Sigurisht një studim rigoroz shkencor qoftë nisur edhe nga premisa empirike kërkon mbajtjen parasysh të asaj metode që quhet “ndjekje të procesit” (process-tracing) dhe që ka për qëllim zbulimin e lidhjes ndërmjet shkaqeve të mundshme dhe rezultateve të observimit. Ndjekja e procesit nënkupton shqyrtimin dhe interpretimin e fakteve historike, dokumenteve arkivore, transkripteve të intervistave dhe burimeve të tjera që duket se kanë lidhje me ngjarjen e shqyrtuar, krahas rezultateve të observimeve, për të parë në se shkakësia e observuar çon në përpunimin e një hipoteze teorike apo është thjesht një ngjarje e radhës pa ndonjë rëndësi të veçantë.

Duket se trashëgimi i një tradite shkencore të mbarsur me probleme, kryesisht empiricizmit dhe dogmatizmit, edhe në vitet e tranzicionit përbën një oportunitet të munguar për adoptimin e mendimit kritik dhe alternativave teorike, aq të domosdoshme për studimin e një realiteti social me fenomene dhe procese heterogjene, që do t’i kishte shërbyer transformimit të shkencave sociale shqiptare në përgjithësi dhe realitetit shqiptar në veçanti drejt zhvillimeve bashkëkohore.

Tranzicioni shqiptar i ngjan një procesi Sizifian që nuk i duket as fillimi as fundi. Ndërkohë që transformimet sociale duken komplekse, lidhjet shkakësore të një tërësi ndryshimesh dhe pasojash mbeten ende të errëta. Në vetvete, transformimet sociale nënkuptojnë një zhvillim social të ndërthurur me shumë të papritura dhe kthim mbrapa, me krijim dhe shpërbërje të institucioneve, kompromiseve dhe strukturave sociale, me ndryshueshmërinë e politikave të shtetit dhe partive, sjelljen strategjike të grupeve të ndryshme sociale dhe proceseve të shumëllojshme dhe të ndërvarura sociale. Ndryshime të tilla bëjnë të domosdoshme zhvillimin e një paradigme të re në shkencat sociale me qëllim dhënien e përgjigjeve ndaj sfidave të tanishme dhe paraprirjen e zhvillimeve që do të çonin drejt konsolidimit të shoqërisë. Tranzicioni shqiptar ka nevojë për një studim të qenësishëm të mirë-mbështetur në kuadrin e një metodologji dhe qasjeje të re shkencore. Ndërkohë që idetë e vjetra në bazë të shkencave sociale janë zhvleftësuar, idetë e reja nuk kanë marrë ende një formë të qartë, me sa duket nga që studimi i një periudhe jo shumë të largët në kohë, ka mbetur kryesisht në kuadrin e kujtimeve, botimit të dorëshkrimeve të atyre që deri pak kohë më parë quheshin të deklasuar apo rievokimit të ngjarjeve të së kaluarës kryesisht lidhur me marrëdhëniet brenda ish-partisë në pushtet dhe mënyrën e ushtrimit në praktikë të diktaturës së proletariatit dhe luftës së klasave që mbushin faqet e të përditshmeve kombëtare dhe lokale. Rëndësia e evokimit të së kaluarës në mënyrë thjesht fotografike, kataloguese, si dhe ajo e ri-shkrimit, ose ristrukturimit të së kaluarës, mbetet e dyshimtë në dobinë e saj në se nuk vendoset në kuadrin e proceseve dhe marrëdhënieve sociale të ushtrimit dhe legjitimimit të pushtetit në shoqërinë komuniste apo me mënyrën se si ato po përthyen në shoqërinë postkomuniste shqiptare. Reflektimi mbi të kaluarën komuniste apo më në veçanti mbi institucionet në bazë të organizimit të shoqërisë komuniste dhe mënyrës së legjitimimit të tyre do t’i shërbente kuptimit të mënyrës se si institucionet shoqërore funksionojnë në ditët tona dhe se si ato favorizojnë, kushtëzojnë apo pengojnë zhvillimet sociale në periudhën e tranzicionit.

Janë të pakta studimet që i referohen periudhës komuniste për identifikimin e pasojave të komunizmit në metodologjinë e shkencave sociale shqiptare. Ndërsa mungesa e një reflektimi serioz mbi studimet e periudhës së komunizmit dhe metodologjinë e përdorur, duket se ka lënë pasoja të cilat marrin forma të ndryshme në studimet bashkëkohore. Studimet të cilat evokojnë periudhën që lamë pas në pjesën më të madhe synojnë rishikimin, rishkrimin apo ristrukturimin e historisë, etnografisë, ligjit zakonor apo gjuhës shqipe, proces i cili duket se mbart një dozë të lartë të asocimit me politikën dhe ideologjinë e elitës në pushtet. Kështu për shembull, debati mbi ditën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazistë, ka vënë përballë historianët e vendit të cilët duket se frymëzohen në diskutimet dhe shkrimet e tyre jo aq nga nevoja për t’u distancuar nga e kaluara komuniste se sa për t’u asociuar me grupin e partisë në pushtet. Sigurisht në një proces të tillë rëndësi ka marrë dhe rivlerësimi i shumë fakteve të cilat paraqiten si versioni legjitim i të kaluarës, ndërkohë që të tjera kanë kaluar në një pozicion të margjinalizuar. Kështu mund të kujtojmë rivlerësimin e luftës së quajtur nacional-çlirimtare e cila nuk është më vetëm çlirimtare, por është bërë edhe një luftë civile midis forcave komuniste e nacionaliste për pushtet. Kështu, post-komunizmi në shkencat sociale, ashtu si edhe në rastin e vendeve të tjera lindore, konceptohet si një konfrontim interpretimesh konfliktuale mbi të kaluarën komuniste ku historia, gjuha, e drejta zakonore, apo kultura popullore shihen si entitete të negociueshme, pjesë e rivalizimit, kundërshtimit dhe debatit politik midis grupimeve të ndryshme politike dhe aspekt i rëndësishëm për justifikimin e reformave gjatë këtyre njëzet viteve. Vërtetësia e studimeve, si dhe në të kaluarën, bëhet në funksion të preferencave politike të elitës së radhës në pushtet duke ruajtur kështu dogmatizmin në përmbajtje.

Një problem i studimeve sociale të periudhës post-komuniste është metodologjia që ato përdorin, e cila ndikohet në një masë të madhe nga tradita shkencore komuniste, duke trashëguar empiricizmin dhe deskriptivizmin me karakter dogmatik dhe instrumentalist. Kështu në se i referohemi një sërë studimesh të kryera në Shqipëri pas rrëzimit të komunizmit ato mbështeten kryesisht në observime dhe anketime të ndryshme ku mbizotëron fetishizimi i faktit empirik dhe mungesa e analizës kritike. Qasja empirike, në mënyrë të thjeshtuar, përqendrohet në vrojtime të sjelljes së aktorëve të ndryshëm në shoqëri, matjes dhe numërimit të variabëlve në kuadrin e popullsisë, përdorimin metodave sasiore statistikore në zbulimin e korrelacioneve dhe asocimeve ndërmjet variabëlve sociale. Në fund të fundit, një qasje e tille synon të zbulojë shkakësinë në shoqërinë njerëzore duke përllogaritur koeficientet e regresionit për një grup variabëlish të pavarur të cilët shikohen si shpjegues të sjelljes së variabëlve të varur, korrelacionin ndërmjet disa variabëlve, apo evidentimin e rregullshmërisë së asocimit midis një grup variabëlish. Të tilla janë në pjesën më të madhe studimet e kryera nga ‘think tanket’ shqiptare për probleme që kanë të bëjnë me çështje nga më të ndryshme, si për shembull integrimi i Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike, decentralizimi, liritë dhe të drejtat njerëzore e të minoriteteve, fenomene si gjakmarrja apo çështjet e pronësisë. Ndërkohë, pothuajse asnjë studim nuk ndalet në arsyet e mungesës së mendimit ndryshe apo kundërshtues nga ana e shqiptarëve dhe organizimeve të tyre politike, ekonomike apo civile. Në thelb, paradigma empiriciste sjell kufizime epistemologjike dhe ontologjike dhe është e destinuar të mbetet pa një metodë të mirëfilltë kërkimore përdorimi i së cilës do ta pajiste kërkimin me instrumentet e nevojshme për zbulimin e shkakësisë.

Një karakteristikë tjetër e studimeve shqiptare të periudhës post-socialiste është rendja mbas ngjarjeve sensacionale që në qoftë se do t’i nënshtroheshin ndjekjes së procesit (process tracing) do të rezultonin të zakonshme dhe pa ndonjë rëndësi të veçantë. Mjafton, të kujtojmë debatet e shumta për tre çështje tashmë të mirënjohura nga publiku mbarë shqiptar: historia e Skëndërbeut, identiteti Europian apo oriental i shqiptarëve apo gjuha shqipe standard dhe vendi i dialekteve. Debatet kanë pasur të përbashkët ndjeshmërinë dhe përkushtimin për mbrojtjen e vlerave dhe të simbolikës kombëtare, duke mbetur në thelb emocionale, ku reflektohet njëanshmëri, sektarizëm, e madje ideologjizim i çështjeve të diskutuara, ndërkohë që pak ose aspak është diskutuar mbi natyrën dhe rëndësinë e metodologjive të përdorura, si dhe mbi rëndësinë e pluralitetit të metodave dhe teorive në studimin e proceseve të tilla sociale apo historike.

Për rrjedhojë, njëlloj si artikujt në gazetat e përditshme edhe punimet shkencore janë metodologjikisht të varfra dhe teorikisht të dobëta, të karakterit politiko-publicistike, dhe për më tepër të paafta për të parashtruar një dialog konstruktiv e kritik në nivel ndërkombëtar. Në shumë studime duket se ideologjia marksiste është zëvendësuar nga ajo kombëtare apo nacionaliste. Çështjet e trajtuara politizohen dhe studimet nuk janë në gjendje të ofrojnë një kontribut të mirëfilltë shkencor, por në shumë raste krijojnë dasi dhe armiqësi të panevojshme që nuk përbëjnë ndonjë kontribut shkencor. Studimet divulgative duket se janë trashëguar edhe në ditët tona. Shkenca bëhet në median e shkruar dhe vizive ku debatuesit dinë gjithçka për çdo gjë dhe debatet ‘shkencore’ mbeten të politizuara dhe ideologjizura pa qenë të afta të identifikojnë problemet që shqetësojnë shoqërinë shqiptare në periudhën post-komuniste, le më pastaj t’i analizojnë ato në mënyrë shkencore e të ofrojnë zgjidhje për to). Jo në pak raste studimet e periudhës post-komuniste në Shqipëri trashëgojnë empiricizmin sociologjik apo deskriptivizmin historik dhe një logjikë konformiste qoftë politike qoftë ideologjike për marrëdhëniet institucionale, ekonomike, politike, sociale apo kulturore deri edhe gjuhësore dhe produktin e tyre social e kulturor. Një qasje e tillë shoqërohet me pasoja jo vetëm etike por edhe politike, të shprehura rëndom në qëndrime autoritative, unilaterale apo stigmatizuese, në interes të dikujt apo të një ideologjie të caktuar, që në thelb i shërbejnë konsolidimit të një pushteti të cilësuar. Edhe pse qasja refleksive tërheq vëmendje me mënyrën se si duhet kuptuar formësimi i interesave politike, përdorimi i kontekstit historik dhe vlerave mbizotëruese të projektuara nga elitat në formate dijësore të formalizuara, që nënvleftësojnë alternativa të tjera që nuk i interesojnë politikës në pushtet apo që kërkojnë sanksionim prej pushtetit, këto qasje janë të papërfillshme në studimet bashkëkohore shqiptare ndonëse njëzet vjet kanë kaluar nga shembja e izolimit shkencor. Ne fakt adoptimi i qasjeve kritike do t’u mundësonte shkencave sociale jo vetëm shpjegimin por edhe parashikimin e produktit social të tranzicionit ndërkohë që do t’i shërbente edhe politik-bërjes për të evituar debatet stigmatizuese dhe përjashtuese.


1276
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI