Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Haxhiqamilët e Shkupit !
Publikuar me 12 Maj 2012

Haxhiqamilët e Shkupit !

Nga Ali Cenaj


Si të mos kishte ndryshuar asgjë me ne. Si të mos kishim marrë asnjë mësim. E një shekull ka kaluar, por nga Shkupi, çuditërisht, prapë na vijnë të njëjtat thirrje të turmave të pakokë që po thonë të jenë spontane.
Edhe atëherë, si sot, kur përcaktoheshin fatet e popujve ballkanikë dhe Evropa me kalem në dorë kishte në tavolinë hartat e reja, një turmë “çlirimtarësh” me shallvare, mjekra e shamia beduinësh, në emër të shqiptarëve, thërrisnin njësoj si haxhiqamilët, pak vite më vonë.
Duam Babën Mbret. Rroftë Dovleti…e duam Babën.., bërtisnin të përjargur duke kërkuar kthimin në jetë të kufomës që pas gati pesë shekujsh po tërhiqej prej nga kishte ardhur.
Edhe të premten e kaluar një protestë haxhiqamilçe nisi si spontanisht nga xhamia “Isa Beu”, siç u tha, në mbrojtje të pafajësisë së të arrestuarve për vrasjet makabre të pesë adoleshentëve maqedonas dhe në shenjë pakënaqësie të identifikimit të shqiptarëve me krimin, terrorizmin, fondamentalizmin…

Por, ajo që u pa rrugëve të Shkupit ishte më shumë se befasuese. Në të vërtetë ishte shokuese. Ishte e kundërta e asaj që ishte promovuar.
Pamjet e turmës që kishte dalë për të protestuar kundër arrestimeve me thirrjet “Allahu ekber, Allahu ekber” si në trans, e ndonjë tjetër thirrje “Shqipëri etnike, Shqipëri etnike” që mbytej në detin e gjelbër të rekuizitave islamiste, deri te bajraku me shkronja arabe dhe shpatën e sheriatit nën të, pastaj bluzat me porosinë se “Islami do të pushtojë botën” promovonin të kundërtën e idesë për mbrojtjen e të arrestuarve.
Ato u ngjasonin si shumë pamjeve të Lindjes së Afërt apo të Hamasit në vendet arabe që me sa dihet, nuk i kanë punët aq mirë, sa t’i marrim si shembull.

Pamje të tilla që mund të përsëriten sot, në versione e përmasa edhe të tjera pasi, nga individë e grupe që nuk duan të identifikohen, përmes rrjetit social Facebook, protesta të tilla pas xhumasë janë paralajmëruar sërish, jo vetëm në Shkup, por edhe në qytetet tjera, shtrojnë jo pak çështje shqetësuese.
Kush janë këta njerëz që në emër të shqiptarëve promovojnë mendësi e tradita arabe. Kujt i duheshin pamjet e tilla, shqiptarëve dhe interesave të tyre legjitime në këto hapësira apo dikujt tjetër, që rrezikun nga fondamentalizmi i elementit shqiptar po e shet si armën më të fortë kundër nesh. Dhe po e promovon gjithandej si “thembrën tonë të Akilit”.
Ngatërrimi i kombëtares me fetaren, i qëllimshëm e me shumë hile, bëhet për të dëmtuar të parën, sepse fetarja te shqiptarët në Maqedoni, në kuptimin e islamizmit, nëse nuk ka qenë e privilegjuar, e rrezikuar nuk ka qenë kurrë.

Më kot përpiqeni të gjeni ndonjë shembull që dikush të jetë burgosur apo të jetë vrarë për ndërtimin e xhamive, por shumë lehtë mund t’u kujtohet sa u rrahën, u burgosen e madje u vranë për shkollën shqip e Universitet.
Shqiptaret, jo vetëm ata në Maqedoni dhe liderët e tyre, mbase do të heqin dorë nga mendësia e strucit me kokën në rërë.
Hajgareve po u vjen fundi. Shfaqja që dhanë të premten e kaluar, jo shqiptarët por “arabët e Maqedonisë” do të duhej të ishte e fundit. Së paku jo në emër të shqiptarëve.
Efektet tragjike të haxhiqamilëve me britmat: “Duam Babën”, “Rroftë Davleti”…një shekull më parë, kur “shtatë krajlitë” përcaktonin hartat dhe fatet e popujve të Ballkanit, askush më mirë se ne e i kanë të qarta sepse po i paguan me lëkurë të vet.
 


893
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI