Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Gjashtë deputetët grekë, të Parlamentit Shqiptar
Publikuar me 28 Kor 2009

Gjashtë deputetët grekë, të Parlamentit Shqiptar

Mediat kryesore greke, “Ta Nea”, “Kathimerini”, “Espresso”, “Madata”, “Sofokleus”, etj, duke iu referuar agjencisë shtetërore të lajmeve ANA/MPA, evidentojnë se në parlamentin e ri shqiptar që pritet të konstituohet plotësisht më 1 gusht, gjenden “gjashtë deputetë grekë”.

Të përditshmet helene, i konsiderojnë zgjedhjet në Shqipëri, si “mjaft intensive” dhe që “ofrojnë ngjyra greke në parlamentin e ri”, kurse i vë theksin edhe faktit se në periferi të jugut të Shqipërisë (qarqet Gjirokastër e Vlorë), pra në zonat me popullsi minoritare greke, u votua me pjesëmarrje gati 100 për qind. Më tej, këto media nënvizojnë se në këto zgjedhje u arrit të dalin “katër deputetë grekë nga tri parti politike”. Mediat publikojnë emrat e deputetëve “grekë” të mandatuar: Spiro Ksera, për Partinë Demokratike, Vangjel Tavo për Partinë Socialiste, që u zgjodhën në Gjirokastër, Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ që u zgjodh në qarkun Vlorë dhe Luiza Xhuvani (Papanikolau), për PS. “Vlen të theksohet gjithashtu, se akoma edhe dy deputetë me origjinë greke, Viktor Gumi nga PD dhe Vasilika Barka (Hysi) nga PS që u zgjodhën në Tiranë”.

Në raportin e agjencisë shtetërore të lajmeve që është përcjellë gjerësisht nga mediat kryesore greke, evidentohet se “në këtë mënyrë, në parlamentin e ri shqiptar me 140 deputetë, gjashtë prej tyre do të jenë grekë, ku dy i përkasin PD-së, 3 PS-së dhe një, PBDNJ-së”.

Në përfundim të raportit për zgjedhjet në Shqipëri, mediat greke vlerësojnë se zgjedhjet patën rezultat të barabartë të ndarë mes PD dhe PS, duke theksuar faktin se asnjë nga dy partitë e mëdha nuk arriti dot të siguronte mandatet për të krijuar qeverinë, duke shtuar se një gjë të tillë e bëri PD duke futur në koalicionin e saj LSI-në, që e evidentojnë si një forcë politike, pjesë e Partisë Socialiste, ndarë prej saj pak vite më parë.

Po ashtu, mediat greke, kritikojnë faktin se “Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e pakicës greke në Shqipëri, mori vetëm 1.18 për qind të totalit të votave dhe vetëm një mandat deputeti, që e posedon kryetari aktual, Vangjel Dule”.

Emrat e 6 deputetëve:

Spiro Ksera

Vangjel Tavo

Vangjel Dule

Luiza Xhuvani (Papanikolau)

Viktor Gumi

Vasilika Barka (Hysi)

 


1119
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI