Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Dy dhandra për nji nuse !
Publikuar me 07 Pri 2009

Dy dhandra për nji nuse !

Ashtu si popuj të tjerë, edhe shqiptarët kanë rregulla të rrepta të protokollit familjar. Në raste gëzimi e hidhërimi, në fejesa, dasma apo vdekje, rregulla të pashkruara përcaktojnë përfaqësimin, vendin, kohën, formën, mënyrën e ceremonisë, si dhe vendosjen sipas radhës a vërsës të pjesëmarrësve në to, etj.

Për shembull, kur nisen për të marrë nusen, "krushqve s'u ndalet udha, edhé me pas të dekun në shpí...I dekni në shpí, krushqit do të nisen; nusja hinë në shpí, i dekni del shpijet..." (Kanuni i Lekë Dukagjinit, Nye e tetëmbëdhet, § 44 Percaktimi i "Fés së preme.", Botimi Gjonlekaj NYC. 1989, f. 27).

Po ashtu, rregulla "të rrebëta" ka për radhën e krushqve, që prihen nga krushkapari dhe ku "ma i mbrami do të shkojë i ati a i vllaj i dhandrrit me kál per doret." [Po aty, Nye i Njizetedytë, Prija e Krushqvet, f. 31]. Mirëpo kur vjen puna për rrezatimin në protokollin e shtetit e atyre rregullave të qarta e "të rrebëta" të protokollit shoqëror, puna ndryshon. Për shembull, sot me të drejtë lind pyetja se kush duhet ta përfaqësojë vendin në forume ndërkombëtare vendimmarrëse, siç ishte takimi i NATO-s, Kryetari i Shtetit, Kryeministri apo të dy?

Protokolli i shtetit, d.m.th., rregullat dhe mënyra e sjelljes së përfaqësuesve të shtetit në raport me përfaqësues të shteteve të tjera, lidhet kryesisht me praktikën diplomatike e të drejtën zakonore ndërkombëtare, por edhe me traditën shtetërore të një vendi, si dhe me konsiderata ekonomike financiare. Shteti shqiptar filloi të marrë pamjen e një shteti serioz me reformat e Mbretit Zog, në vitet 1930.

Edhe pse i varfër si vend dhe i ri si shtet, Shqipëria mëtonte barazi dhe respekt në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ka qenë praktikë e ngulitur në shtetin modern shqiptar që, përveç detyrave ceremoniale e protokollare, Kryetari i Shtetit të mbajë edhe peshën e pushtetit ekzekutiv.

Për shembull, pavarësisht nga koha e shkurtër e mbretërimit të tij, Princ Wied-i kishte tagrat jo vetëm ceremoniale, por edhe ekzekutive. Me krijimin e Institutit të Regjencës, edhe Shqipëria e dalë nga Kongresi historik i Lushnjës, u përpoq ta ruajë këtë traditë, e cila u konsolidua më tej me Republikën Presidenciale të Ahmet Zogut dhe më pas me Mbretërinë. Në Shqipërinë komuniste, protokolli shtetëror diplomatik ishte gjë shumë serioze.


Mund të sulmohet në shumë drejtime shteti i Enver Hoxhës, por jo nga ana protokollit shtetëror e diplomatik, që zbatohej me ngurtësi e rreptësi. As mund të përfytyrohej, për shembull, që në atë shtet, një vizitor i huaj në rang, ta zëmë, zëvendësministri, të takohej me Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit apo Kryetarin e Presidiumit të Kuvendit, siç ndodh rëndom sot.

Ai thjesht do të takohej dhe bisedonte me kundërpalën e vet, d.m.th. zëvendësministrin shqiptar, ndoshta, edhe me ministrin, dhe kaq. Shqipëria komuniste vazhdoi traditën e përparme të shtetit modern shqiptar, me një pushtet ekzekutiv të fortë në duart e kreut të shtetit. Në fillimet e regjimit të vet, për shembull, Enver Hoxha përqendroi në duart e tij të gjithë pushtetin ekzekutiv.

Pasi e konsolidoi atë, ai u mjaftua me kryesimin e partisë, si dhe me një rol, të thjeshtë në dukje, si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Mirëpo pêr gjithkend ishte e qartë se kush e kishte në dorë edhe gurin edhe arrën tek Presidenca kolektive e vendit.

Prirja centralizuese drejt një republike presidenciale u qartësua edhe më në fund të regjimit komunist, kur Presidiumi i Kuvendit Popullor u shkri dhe u rivendos Instituti i Presidencës, me në krye Ramiz Alinë.
Presidenti, dhe jo Kryeministri, kishte pushtetin ekzekutiv dhe tagrin e përfaqësimit të shtetit jashtë.

Nënshkrimin në emër të Shqipërisë në OSBE e vuri Presidenti Alia dhe jo Kryeministri Çarçani. Kushtetuta bashkëpëlqyese e vitit 1991-1992, ripohoi dhe fuqizoi Shqipërinë si Republikë Presidenciale. Qendra e gravitetit e pushtetit ekzekutiv u vu përfundimisht tek Presidenti.

Edhe sa i takon përfaqësimit në tubime të rëndësishme jashtë, Shqipëria dilte me Presidentin Berisha dhe jo me Kryeministrin Meksi. Por, në këtë fillim tranzicioni, nisën edhe shmangiet e çuditshme protokollare, me pasoja për figurën dhe dinjitetin e shtetit. Përqendrimi i pushtetit nuk u shoqërua me delegimin e zakonshëm të tij sipas kanaleve kapilare të një shteti serioz.


Punët filluan të ngatërrohen edhe më kah fundi i viteve '90-të dhe fillimet e këtij dhjetëvjeçari. U bë thuajse normë që edhe një zyrtar vizitor i huaj i vërsës së dytë a të tretë, duhej që patjetër të takohej me kryet e majat e shtetit shqiptar. Edhe përfaqësimi me jashtë nuk mbeti pa probleme.

Kështu, kemi për shembull, përfaqësimin e dyzuar në Zagreb prej Meidanit dhe Majkos, me rastin e takimit të nivelit të lartë me BE-në, apo përfaqësimin tjetër të dyzuar Moisiu-Nano, në takimin e NATO-s në Stamboll, dhe së fundi, dyzimet Topi-Berisha në Bukuresht dhe tash së fundi, në Francë e Gjermani, në kuadrin e NATO-s.

Mirëpo, ndryshimi thelbësor këtu, erdhi me Kushtetutën e vitit 1998, e cila e ktheu vendin në Republikë Parlamentare ku qendra e gravitetit e pushtetit ekzekutiv u zhvendos përfundimisht e, të themi plotësisht, nga Presidenti tek Kryeministri.

A ishte kjo një gjë e drejtë? Ndoshta jo. A duhet ndryshuar? Ndoshta po. Por thelbi i problemit mbetet i njëjtë: në Republikën Parlamentare, kush e ka tagrin e përfaqësimit të vendit në tubime ndërkombëtare me karakter jo thjesht ceremonial, por edhe vendimmarrës, Presidenti apo Kryeministri?

Po të shikojmë vende të tjera, Franca, si Republikë Presidenciale, u përfaqësua në tubimin e NATO-s nga Presidenti Sarkozi. Italia, Greqia, Turqia, Gjermania, si republika me karakter parlamentar, u përfaqësuan me kryeministrat, dhe jo presidentët e tyre, etj.


Një shteti të ri, si Kosova, edhe mund t'i falet përkohësisht përfaqësimi i dyzuar Sejdiu-Thaqi.

Por jo Shqipërisë. Ka ardhur koha që Topi dhe Berisha ta zgjidhin problemin e përfaqësimit dinjitoz, protokollar, e të njëjësuar të shtetit shqiptar në tubime e forume ndërkombëtare. Madje, as opozita nuk mund të jetë indiferente këtu, pasi nesër mund të hasë të njëjtin shqetësim po të vijë në pushtet.

Nëse vendin duhet ta përfaqësojë Presidenti, atëherë atij duhet t'i njihen dhe jepen edhe tagre ekzekutive e vendimmarrëse, qoftë edhe duke nisur një traditë të re, të pashkruar, sipas një zakoni të ri kushtetues, e qoftë me ndryshime të rregullta kushtetuese.

Përndryshe, si në çdo republikë parlamentare, Shqipëria i takon Kryeministrit ta përfaqësojë, pavarësisht se cili ndodhet sot në atë karrige.


Nëse Topi, Berisha e opozita nuk e zgjidhin këtë problem me pjekuri, mirëkuptim dhe sidomos, pa zhurmë e politizime të tepërta, ahere i takon Gjykatës Kushtetuese të japë mendimin e vet.

Përndryshe, duke parafrazuar "Kanunin", përfaqësimi i Shqipërisë në tubime të ardhshme, me dyshen President-Kryeministër, do të ishte njëlloj sikur "të çoje dy dhandrra për me marrë nji nuse..," çka nuk do të ishte as serioze, as në të mirë të kurrkujt.


1316
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI