Historia e Qazimit, pompistit që po lufton koronavirusin në Itali
Historia e Qazimit, pompistit që po lufton koronavirusin në Itali
Publikuar me: 01 Pri 2020

Nga: Enton Abilekaj

Qazim Ismaili u bë, pa dëshirën e tij, personazhi kryesor i ditës. Ishte personazh edhe dje me një intervistë për Report Tv. Një intervstë që Dosja.al e publikoi, nisur nga mesazhi i solidaritetit dhe mirënjohjes, mesazh që u bë shumë i fortë me dërgimin e 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë në Itali. Prej dy ditësh, ushtria e vogël e shqiptarëve ka marrë duartrokitjet e gjithë botës, duke na bërë krenarë të gjithëve.

Prej publikimit të intervistës nisi gjithçka. Një mesazh privat që njoftonte se Qazimi ishte pompist në pikën më të madhe të karburantit të Vorës dhe kishte kryer një kurs infermierie disa vite më parë, por nuk kishte punuar asnjë ditë. Pas 16 orësh kërkime dhe verifikime, kur ishte e qartë se Qazim Ismaili, ishte pikërisht pompisti i Vorës, vendosëm ta publikojmë historinë.

Pati shumë diskutime përpara. A duhet bërë kjo tani kur të gjithë po krenohen me mjekët dhe infermierët?

Mund të paragjykoheshim politikisht, mund të sulmoheshim nga një shumicë që sheh te fasada e bukur zgjidhjen e halleve që fshihen pas saj, mund të sulmoheshim nga ata që i quajmë kolegët tanë, në ditët kur lajmet janë vetëm reklama produktesh politiko- kriminale, por vendosëm ta publikonim për hir të së vërtetës.

Shkurt kemi të bëjmë me një 56- vjeçar që nuk ka bërë asnjë gjë të keqe. Ka shkuar në Itali si infermier pasi e ka një licensë të tillë në kuadrin e ndihmës së Shqipërisë për Italinë.

Jo vullnetar siç po mundohen ta thonë disa media por me pagesë 3 mijë euro në muaj, pasi ka bërë aplikimin në portal. Nuk kishte nevojë të na kujtonte as Ministria dhe as Urdhëri i Infermierit që zotëria e ka një kualifikim, sepse e kemi thënë në lajmin e parë.

Problemi është tek fakti që Urdhëri i Infermierëve, megjithëse nën presion, nuk e fshehu dot. Qazim Ismaili nuk e ka ushtruar asnjëherë profesionin që nga licencimi në 2017. Rregullorja e këtij institucioni sqaron se të gjithë ata që janë të tërhequr nga profesioni për një kohë të gjatë, duhet të punojnë pa pagesë.

Fakti që eprori i tij në pikën e karburantit nuk mundi ta mohonte se deri në momentin që u nis në Itali ai punonte në pikën e karburantit. Më e qartë bëhet duke renditur faktet dhe kunderfaktet.

1.Ministria e Shëndetësisë nxori një dokument që tregonte se Qazim Ismaili kishte mbaruar Shkollën e Lartë të Infermierisë në 1993. Ky dokument ishte falsifikim i plotë së Shkolla e Lartë e Infermierisë ka filluar në 1994 dhe është quajtur e tillë në 1996. (mjaftoi një status i Klodian Tomorrit për të çmontuar përgënjeshtrimin e parë që u fut ilegal në mediat qokaxhie të qeverisë).

2.Pretendojnë se ka ushtruar profesionin e infermierit në Itali kur ka qenë emigrant. Kjo përgënjeshtrohet nga vet Ismaili që tha se nuk e ka ushtruar asnjëherë profesionin me licensë, por si vullnetar.

  1. Nxjerrin dokumentin se ka mbaruar shkollën e mesme profesionale, para 30 vjetësh, ndërkohë që Ismaili vet tha se ka punuar privatisht dhe në mënyrë sporadike pa liçencë.

4.Thonë që nuk punonte dot infermier sepse nuk i dilte llogaria për të bërë rrugën Tiranë -Vorë. Ndërkohë që ai kishte aplikuar pasi kishte marrë licencen në 2017 dhe ishte gati për punë në çdo kohë por se punësoi askush në shtet.

5.Thonë që ka punuar në Spitalin Ushtarak dhe Spitalin numër 2 përpara se të ikte në emigracion, pra 24 vjet më parë. Edhe sikur kjo të jetë e vërtetë, 24 vjet shkëputje nga profesioni janë shumë.

Profesioni i Qazim Ismailit praktikisht ishte pompist. Fakti që nuk e kanë marrë infermier në spitale shtetërore apo edhe private afër Vorës, pavarësisht rrjedhjes së madhe të infermierëve, tregon që nuk e besonin. Të licencuar por të papranuar për të shërbyer në spitalet shqiptare në kohë të qetë, e çojnë në Itali në kohën e pandemisë. Direkt nga pika e karburantit.

Ky ishte qëllimi i publikimit. Që Kryeminisitri dhe Ministria e Shëndetësisë të çojnë për ndihmë një grup mjekësh dhe infermierësh që ta nderojnë mjekësinë Shqiptare, që ajo reklamë e gjestit të solidaritetit dhe humanizmit të mos jetë një mashtrim, një fasadë si ato që janë mësuar të na paraqesin ne këtu, që gabimi me infermierin – pompist ta korrigjonin duke e zëvendësuar.

Nuk po themi që duhet të tregojnë specialitetet e mjekëve që kanë çuar, përvojën e infermierëve të tjerë, apo shoqërimin e tyre me një letër konsensusi, miratimin e listës nga Këshilli i Profesorëve të QSUT, siç e kërkon rregulli. Mjafton të mos çojnë njerëz të pakualifikuar që mund të bëjnë dëme në të dyja anët e Adriatikut.

Burimi: dosja.al Editor: Lexuar 830 here

Tags: 1

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI