Llogaria ime
Veriu Portal
Sport

Karriera e nje legjende, rrefehet Francesko TOTTI


Roma, kombëtarja, jeta pas varjes së këpucëve në gozhdë. Këto argumente, por edhe shumë të tjerë në rrëfimin 360 gradë që Françesko Toti ka bërë në intervistën për rrjetin “SKY”.

Ta fillojmë më gjërat e vogla. Si e kalon kohën Françesko Toti?

Ditët janë të gjata, por fatmirësisht kam një familje që më mbështet dhe për më tepër fëmijët e mi kanë nevojë për 24 orë vëmendje. Me ndonjë ndeshje e palestër kalon pjesa tjetër e kohës.

Sa i përket bamirësisë ju keni qenë gjithnjë në vijë të parë. 15 makineri për spitalin e qytetit të Romës janë vetëm rasti i fundit

E kush e priste që do të katandiseshim në këto kushte, por ja që virusi është një problem tejet serioz. 15 pajisje dhe 350 mijë euro ndihmë do të ndihmojnë për të shpëtuar jetë nga të gjitha moshat. Edhe me shokët që dolëm kampionë bote në vitin 2006 kemi ndërmarrë një nismë me “Kryqin e kuq” e po mbledhim një shumë të rëndësishme për të luftuar në këtë betejë kundër “Coronavirus”.

E të mendosh që në atë botëror edhe mund të mungojë…

E të mendosh që në atë botëror edhe mund të mungojë…

Më 19 shkurt të vitit 2006 u operova dhe doktori më tha se zakonisht shërimi kërkonte 7-8 muaj, por do të varej nga unë nëse doja të riaftësohesha më herët. Një ditë më pas erdhi trajner Marcelo Lipi për të më takuar e aty u binda se mund të luaja në Botëror. Ai takim pati shumë rëndësi edhe sepse kisha vendosur që nuk do të isha më pjesë e kombëtares. Fatmirësisht arrita të shërohem dhe të fitoj atë që dëshiron çdo profesionist.

Po përse u larguat aq herët nga kombëtarja ndërkohë që vazhduat të luani deri 40 vjeç?

Siç thashë ishte një vendim që kisha marrë që para Botërorit. Çdo vit luaja nga 60 ndeshje dhe kisha probleme me shpinën. Duhej patjetër që të lija diçka e nuk mund të ishte Roma. Zgjedhja, e rëndë, preku kombëtaren italiane, por për fat arrita të largohem si fitues i një Kupe bote.

Keni parë ndonjë analogji mes karrierës tuaj dhe asaj të  Alesandro Del Pieros?

Në fakt gjithmonë ka pasur një dualizëm të stisur nga mediat të cilat u munduan edhe të na vinin kundër njëri tjetrit, por ne kishim karaktere të ngjashme e u bëmë edhe më miq se sa ishim. Në vështirësi e kemi mbështetur gjithnjë njëri tjetrin. Kur trajneri zgjidhte njëri nga ne, tjetri respektonte vendimin

Më pas nisët të bëni edhe video me anekdota.

E kisha pasur gjithnjë atë projekt e doja të xhiroja me shokët e kombëtares. Një mbrëmje duhej të regjistronim me Del Pieron, por nga të qeshurat mezi xhiruam 5 a 6 anekdota. Më vjen mirë që shoqëria jonë i ka rezistuar viteve dhe është kaq solide.

Tjetër mik e tjetër temë. De Rosi zgjodhi ta mbyllte me Boka Zhuniors. A do e kishe bërë dot këtë lloj mbyllje?

Respektoj zgjedhjen e Danieles, fundja gjithsecili është i lirë të veprojë si të dëshirojë. Unë pata shumë oferta për të vazhduar karrierën, si në Itali, ashtu edhe nëpër botë. Sampdoria më dëshironte me çdo kusht sepse siç e dini, presidenti Ferrero ka një dobësi për mua

Përse nuk vazhduat atëherë?

Sepse kisha dyshime. Mendoja që mund të vazhdoja, por ideja ime ishte që të luaja gjithë jetën vetëm me një fanellë. Zgjedhja për të vazhduar diku tjetër do të më kishte hequr karakteristikën kryesore të 24 viteve të karrierës time. Sampdoria ka qenë gjithnjë në fatin time sepse në vitin 1996 mora pjesë në një turne ku luajta shkëlqyeshëm. Trajneri Bianki nuk më kishte me sy të mirë, por ai turne bëri që të qëndroja në qytetin dhe ekipin që kisha ëndërruar gjithmonë.

Nëse nuk do të ishit bërë futbollist, çfarë profesioni mendoni se do të kishit sot?

Mbase ndonjë sport tjetër sepse prirja ime ka qenë gjithnjë në këtë drejtim. Sot luaj mirë padel, por duke qenë se asokohe nuk ekzistonte, mendoj se do të isha bërë tenist meqë janë sy sporte që ngjajnë. Një tjetër profesioni mund të ishte ai i pompistit në ndonjë pikë karburanti. E pëlqej shumë aromën e benzinës.

Me Roxher Federin jeni miq, madje një herë ka thënë se do të tentojë të luajë deri 40 vjeç pasi frymëzohej nga ju. Çfarë ju lidh kaq shumë?

Për mua Roxheri është mishërimi i tenisit. Do ta sfidoj në padel një ditë. Shkëmbejmë vazhdimisht mesazhe sepse ai udhëton shumë. Nuk flet italisht, e as unë anglisht, ndaj përdorim një program përkthimi. Mes nesh ka respekt reciprok dhe tek një personazh i tillë identifikoj vetveten. Është njeri shumë pozitiv. Ai shndërron një pikë të vështirë në një veprim normal, pak a shumë siç beja unë kur pasoja një top të gjatë me prekjen e parë. Kjo nuk është diçka normale për çdo sportiv.

Është e vërtetë që keni ende në dhomë një poster të Xhuzepe Xhaninit (legjendë e Romës)?

(qesh) Tani jo më, por e kam pasur gjithmonë.

Çfarë mendoni se ju lidh?

Kur isha ende i ri më ka dhënë shumë këshilla. Ai dhe im atë më bënë të kuptoj se çfarë do të thotë të jesh futbollist profesionist e se si duhej të sillesha. Shiriti i kapitenit e bën gjithçka më të veçantë sepse Xhanin ashtu si unë, ishte një romanist, i lindur në Romës, që luante për Romën e për më tepër kapiten skuadre. Këto karakteristika më bëjnë të ndjehem i nderuar. Ka qenë një privilegj dhe një ëndërr që prej fëmijërisë. Jemi dy njerëz që e kemi realizuar ëndrrën.

Në maj do të bëhen tre vjet që kur jeni tërhequr. Çfarë kujtoni nga dita e lamtumirës?

Lotët, edhe sepse i kam ende. Kanë kaluar tri vite, por për mua koha ka ndalur aty. E shoh shumë shpesh atë ndeshje sepse kuptoj dashurinë dhe pasionin tim për skuadrën e Romës dhe tifozët. Kujtoj çdo sekondë të asaj dite e cila ishte e bukur sepse po merrja shumë dashuri, por edhe e shëmtuar sepse po braktisja diçka që e doja. Uroja të mos vinte kurrë ai moment, por çdo gjë, ka një fillim e një fund.

Po “shëtitja” mes publikut në delir?

Doja patjetër t’i përshëndesja të gjithë, por e pranoj se disa persona nuk doja ti takoja. Mu desh të tregohesha serioz e të lija mëritë mënjanë. Nuk e prisja që njerëzit të qanin sikur po humbnin një njeri të dashur. Edhe unë vetë nuk i mbaja dot lotët. E prisja që do të qaja sepse emocionet kisha kohë që i mbaja përbrenda.

Cila është ndeshja që do të doje të rishikoje sot në mbrëmje?

Inter-Roma e viti 2005 sepse kam shënuar golin më të bukur të karrierës, ose Lacio-Roma 1-5 e vitit 2002 kur shënova dhe i kushtova golin bashkëshortes time Ilari. Nëse nuk do të kisha shënuar, mbase edhe nuk do të isha martuar kurrë. Më duhet të mendoj edhe për tifozët, ndaj zgjedh Roma-Parma, ndeshje pas të cilës ngritëm trofeun e titullit kampionë të Serisë A.

Në librin tuaj keni përshkruar Luçiano Spaletin në dy mënyra të ndryshme. Çfarë ka ndodhur mes jush?

Kur Spaleti erdhi te Roma për herë të parë u shndërrua në një baba të dytë për mua e kalonim shumë kohë së bashku. U tregua fantastik. Në aventurën e tij të dytë te Roma, nuk e di çfarë i ndodhi, por me siguri ka pasur arsyet e tij. Nga ana ime e kam mbajtur gjithmonë kokën lart duke bërë më të mirën megjithëse e dija që do të kisha vështirësi.

Nga Roma te Lacio. E dimë që keni një raport shumë të mirë me Simone Inzagin, por cili është rivali lacial me të cilin keni pasur më shumë rivalitet në fushë?

Alesandro Nesta. Unë sulmues, ai mbrojtës. Dy kapiten në dy rivale të përbetuara, por jashtë fushe e kam pasur gjithmonë mik. Sot futbolli është ndryshe e mendoj se mentaliteti duhet ndryshuar.

Si po e përjeton një romanist si ju rritjen e Lacios?

Simonen e kam mik prej vitesh, por do të preferoja që të stërviste ndonjë ekip tjetër. Sezonet janë të çuditshme dhe ka raste kur gjërat të ecin mirë pavarësisht se sa i zoti je, apo sa cilësi ke. Lacios aktualisht nuk mund t’i drejtosh asnjë kritikë, ndaj shpresoj që kampionati të mos nisë fare sepse nuk i dihet çfarë ndodh me titullin. (qesh)

Numrat 10 në futbollin e sotëm italian janë një “rracë në rrezik zhdukje”. Përse?

Mbase sepse sot klubet nuk besojnë tek të rinjtë. Mendoj se duhet të kërkojm për Toti, Del Piero apo Baxho të rinj. Karriera e Del Piero duhet të jetë lëndë për t’u studiuar në shkolla futbolli. Fantazistë të tillë zor se do të dalin përsëri, por nuk besoj se afrimi i lojtarëve të huaj zgjidh problemin. Të mos harrojmë se 10-shat jo vetëm shënojnë, por e bëjnë futbollin edhe më tërheqës.

Në akademinë tuaj të futbollit, a ka ndonjë talent që mund të shndërrohet në kampion?

Sapo kisha nisur një projekt, por virusi ndali gjithçka. Ideja ime është të gjej ndonjë Toti të ri e ta ndihmoj të rritet në mënyrën më të mirë. Disa talente i kam në akademi e do të mundohem t’i ofroj gjithçka më ka munduar mua kur isha në moshën e tyre.

Një pytje të fundit për Romën? A ju pëlqen Fonseka dhe a do të kishit dashur të luanit për të?

Roma aktuale ka pasur disa ulje e ngritje, por tashmë jemi mësuar. Për mua Foneska është një trajner i madh që e ka kuptuar Romën e futbollin italian. Lojtarët e kushdo tjetër që e ka njohur më ka folur mirë. Nëse Roma afron ndonjë kampion tjetër, në sezonin e ri mund të arrijë gjëra të mëdha. Unë do të bëj gjithmonë tifozllëk për Romën. Kam dalë nga klubi, por zemra ime ka ngelë atje brenda.


Tags: 1
Lexuar 560 here / Marre nga panorama.com.al
560
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI


A mendoni se kampionatet duhen anulluar për këtë sezon?