Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Të të rrojë Zahua dhe mjekësia falas!
Publikuar me 27 Kor 2014

Të të rrojë Zahua dhe mjekësia falas!

Bledi KASMI

Populli gëzohet kur udhëheqësve u lindin fëmijë, sepse edhe udhëheqësit i bëjnë fëmijët për popullin. Kështu ka qenë në traditën e hershme të baballarëve komunistë. Atëherë nuk kishin Facebook, por kishte orë informacioni në shkolla dhe qendra punësimi ku shpalleshin lindjet e pinjollëve të rinj të diktaturës që populli duhej t’i kthente në ditë feste.

Sot është ndryshe. Atij që i pëlqen të thotë se është udhëheqësi i ri i Shqipërisë së vitit 2014 e shpalli përmes Facebook-ut lindjen e djalit të tij të dytë nga martesa e tretë me gruan e pestë duke menduar njëlloj se ditëlindja e djalit do të jetë sërish një ditë feste kombëtare.

Vërtet është e bukur të jesh baba sërish në moshën 51-vjeçare të Ramës dhe 49-vjeçare të Lindës, sepse fëmijët janë gëzimi i familjes, aq më tepër që Zahua është edhe fëmija i pleqërisë së çiftit kryeministror.

Përgjatë gjithë ditës së djeshme lajmi i trashëgimtarit të ri të Kryeministrit u paraqit me kontradiksione në media. Fillimisht u tha se Linda Rama kishte lindur në një klinikë jashtë vendit. Më pas lajmi u hodh poshtë nga media zyrtare e Ramës “Top Channel”, e cila njoftoi se i biri i Ramës kishte lindur në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë.

Rubena Moisiu, e cila kishte ndjekur shtatzëninë e Linda Ramës tha se fëmija kishte lindur në një klinikë jashtë vendit, duke mos marrë përsipër që si drejtoreshë e maternitetit “Koço Gliozheni” të falsifikonte edhe vendin e lindjes së të birit të Kryeministrit.

E gjithë kjo tentativë për të manipuluar opinionin publik vetëm se Rama donte të fshihte se fëmija i tij nuk kishte lindur në maternitetet e Shqipërisë, aty ky lindin 1 milion votuesit e tij, por në një nga klinikat e specializuara jashtë vendit, ku një ndërhyrje e tillë kushton nga 20 mijë deri në 50 mijë euro.

Rama mund të jetë jetë i vetmi individ në botë që mundohet të manipulojë shqiptarët përmes mediave të tij zyrtare edhe për një ditë si ajo e djeshmja, kur atij i erdhi në jetë djali i dytë me gruan e pestë. Dhe kjo vetëm se ai kërkon të bëjë politikë edhe me lindjen e një fëmije.

Nuk do të kishte asgjë të keqe nëse Rama do të paraqiste të vërtetën ashtu si është, se nuk është ndonjë mëkat të marrësh shërbim mjekësor jashtë vendit. Këtë e bëjnë edhe shumë të tjerë, por përpjekja për të manipuluar opinionin, nuk ka bërë gjë tjetër veçse e ka spostuar vëmendjen nga lindja e djalit të tij tek shëndetësia.

Besimi i njerëzve tek shëndetësia është tronditur dje. Nuk është tronditur nga një njeri i zakonshëm, por nga Kryeministri i vendit, i cili i ka ikur shëndetësisë të cilën drejton si një hajdut, duke gënjyer shqiptarët përmes zëdhënësve të tij mediatikë se ishte në Shqipëri, në një kohë kur kishte fluturuar mijëra kilometra larg.

I ka ikur kësaj shëndetësie, të cilën e lançoi me të madhe vetëm pesë ditë më parë në analizën e 300 ditëve, nga frika se mos i ndodhte ndonjë hata tek fëmija e tij që priste të vinte në jetë. Sepse fëmija i tij është ndryshe nga fëmijët e shqiptarëve që shkojnë në ato maternitete që Rama i administron si Kryeministër, por nuk i ka për vete.

Rama i ka lënë një njollë të rëndë mjekësisë dhe mjekëve dhe ka rritur krizën e besimit të shoqërisë tek shëndetësia dhe mjekët shqiptarë, gjë të cilën ata nuk e meritojnë nga kryeministri i vendit të tyre.

Shqiptarët panë dje se Kryeministri i 1 milion votave ka dy standarde për qytetarët e këtij vendi. Një standard për familjen e tij, dhe një standard të ulët dhe poshtërues për shqiptarët. Standardi i familjes së tij është ai i përkujdesjes në qendrat shëndetësore europiane. Ai i një jete luksi me para të fituara jo nga emigracioni në Francë, as nga shitja e pikturave në copa letre në mbledhjet e Kuvendit, por nga korrupsioni me pushtetin.

Ndërsa standardi tjetër është ai për të gjithë shoqërinë që u servir si një ëndërr të rilindur mjekësinë, të cilës vetë promovuesi i trembet dhe e frikëson.

Rama i ofendoi dje shqiptarët dhe ata panë edhe një herë hipokrizinë e Kryeministrit të tyre që në mëngjes pëlliste para mediave 3 orë rresht për reformat e shëndetësisë së rilindur dhe, pasditen e po asaj dite niste bashkëshorten e tij në fluturim me avion në klinikat luksoze jashtë vendit për t’i ikur kësaj shëndetësie.

Të gjithë ne pamë se sa e gënjështërt është shëndetësia falas, kur në një kohë që bashkëshorti i saj Kryeministër lançonte “shëndetësinë falas, ajo mbushte kartat e kreditit me dhjetra mijëra euro për t’i shpëtuar kësaj shëndetësie falas.

Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë. Ky është Rama Kryeministër. Shqipëria të cilën ai pretendon, Shqipëria e rilindur nuk është gjë tjetër veçse një gënjeshtër, të cilën ai vetë i pari nuk e beson. Sepse nëse do ta besonte, do të shikonim Ramën dje duke pozuar nga maternitetet tona.

Të të rrojë Zahua dhe shëndetësia falas, zoti Kryeministër dhe mos pastë fatin e Gregorit.

 


876
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI