Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

"Magjistarët" e klimës
Publikuar me 13 Nen 2009

"Magjistarët" e klimës

Më parë ishte e vështirë të mendohej se njeriu do të mësonte "të luante" me motin, duke administruar shirat, larguar uraganet, shkrirë mjegullat, larguar retë, apo krijimin e stuhive dhe shfrytëzimin e tyre si burime energjie. Por dhjetë ditë më parë, për të disatën herë, zyra për modifikimin dhe kontrollin e klimës në Kinë mori sinjalin që priste. Pekini, të hënën e 2 nëntorit u zgjua nga fundjava në errësirë. Dritat e rrugëve u ndezën në orën 11 të mëngjesit. Qyteti u befasua nga një stuhi bore e paprecedentë që shtroi për 11 orë pa ndërprerje në kryeqytet, ku sipas llogarive ranë më shumë se 16 milionë tonë flokë bore. As trafiku i bllokuar, banorët e ftohur, 23 avionë të gozhduar në pistë dhe 10 mijë pasagjerë nuk e penguan zyrën për modifikimin dhe kontrollin e klimës të festonte suksesin. "Një hap i rëndësishëm në luftën kundër thatësirës, pa menduar se teknikat tona të manipulimit të klimës janë përmirësuar shumë", thuhej në një komunikatë të administratës meteorologjike kineze, që kishte arritur të përshpejtonte rënien e parë të dëborës rreth 27 ditë në krahasim me mesataren. Kryeqyteti kinez nuk e priste që dimri të vinte kaq shpejt, ose më saktë që t‘ua sillnin kaq shpejt. Të gjithë kanë menduar se ky do të jetë një dimër i ashpër, por nuk është kështu, pasi kinezet kanë futur hundët edhe në punët e natyrës. Duke ndjekur hap pas hapi një recetë të krijuar në vitin 1946 në SHBA, zyra meteorologjike kineze kishte vendosur të "sillte" shi në kryeqytet, për t‘u dhënë fund muajve të gjatë të thatësirës. Një flotë avionësh të vegjël ishte gati për t‘u futur në retë e mëdha të shiut që po i afroheshin qytetit. Avionët ishin gati "të infektonin" retë me grimca të vogla jodur argjendi. Ishte ideja e shkencëtarit Bernard Vonnegut për të shpërndarë argjend te retë, për të favorizuar grumbullimin e grimcave të ujit përreth bërthamave të atomit të jodurit, duke provokuar rënien e pikave si pasojë e forcës së gravitetit. "Por për më shumë se gjysmë shekulli askush nuk i ishte përgjigjur pyetjes së skeptikëve se përse ra shi. Mirëpo kush na thotë se kjo gjë gjithsesi do të kishte ndodhur"?


Me kinezët çudirat nuk kanë të sosur. I rastësishëm nuk mund të ketë qenë as dielli në inaugurimin e Lojërave Olimpike në Pekin më 8 gusht, apo ai për 60-vjetorin e Republikës Popullore më 1 tetor. Në fakt, ata kishin premtuar se do t‘i shpërndanin retë gjatë olimpiadës e këtë gjë mund ta kenë bërë edhe më 1 tetor. Të ndryshme ishin rezultatet e manipulimit të kohës për të bërë të pastra "Ditët e fitores" në Sheshin e Kuq në Moskë. Edhe premtimi i kryetarit të kryeqytetit rus, që ka bërë në mes të tetorit (se do të kemi një dimër pa borë në qytet) është për t‘u parë. Por stuhia e 2 nëntorit në Pekin -bashkëpunëtor në ardhjen e një fronti të ftohtë që e shndërroi shiun në borë- vështirë se mund t‘u tregohet të tjerëve. Fluturimi i avionëve kinezë mbi re për të sjellë shiun funksionoi për mrekulli. Dhe tani mund t‘u japë një shtysë teknikave të tjera të manipulimit të motit, të cilësuara deri tani nga Organizata Meteorologjike Botërore me një "efikasitet të dyshimtë", por që vazhdojnë të eksperimentohen në 40 vende të botës: me Izraelin dhe Kinën në krye për një konsum vjetor prej 50 tonelatë kripëra argjendi. Në listën e burimeve të energjisë alternative mund të futet edhe tornadoja artificial i shpikur nga kanadezi Lois Michaud, një inxhinier ky që, nga platformat e petroliferave ku punon, duhet të ketë parë shumë stuhi. Fuqia e një uragani sipas idesë së tij fillestare përmban energjinë e shpenzuar nga gjithë njerëzimi në një vit. Për të shpërndarë retë përreth aeroporteve, ideja e "shtriganëve të kohës" bazohet në përdorimin e azotit të lëngshëm. Gazi i shpërndarë në hapësirë ngrohet shumë shpejt, duke ua hequr nxehtësinë molekulave të ujit e duke bërë që të bien në tokë.


Teknika analoge për shpërndarjen e kripërave të argjendit mes reve premton (deri tani nuk janë bërë) të ulë energjinë e uraganeve, hapjen e vrimave në shtresën e reve për të lejuar uljen e avionëve edhe në kohë shumë të keqe, apo për të reduktuar potencialin elektrik të lagështirës në ajër, që shkakton rrufetë. Në terrenin e këtyre sfidave të fundit, nuk është punuar shumë që kur në vitin 1958 Presidenti i ardhshëm amerikan, Lindon Xhonson, kishte premtuar: "Nga hapësira do arrijmë të kontrollojmë klimën mbi tokë, të provokojmë përmbytje dhe thatësira, të ndërhyjmë në qarkullimin e oqeaneve dhe të rrisim nivelin e deteve, apo të ndryshojmë drejtimin e rrymave të gjirit". Ky kapacitet vizionar nuk ngeli vetëm një ëndërr, por u përdor me sukses. Gjatë luftës së Vietnamit, SHBA-të e panë veten duke shpërndarë retë e Indokinës, me shpresën e zgjatjes së sezonit të monsuneve dhe kthimin në moçal të luginës së Ho chin Minh. Mes të tjerave, kjo situatë është "rindërtuar" nga Kristine Harper e Universitetit të Utah, në një artikull të publikuar në "Endeavour": "Operacioni kishte emrin e koduar ‘Popeja‘. Gjatë eksperimenteve ndodhi që India fqinje të gjendej në një situatë thatësire për dy vjet me radhë, sepse shirat monsonikë aty nuk ishin të pranishme".


Nëse kontrolli i kohës ndihmoi apo jo trupat amerikane në Vietnam, kjo mbetet diçka e dyshimtë. Edhe rezultatet e "Projektit të shiut artificial" të hartuar në Itali në mesin e viteve ‘80 kanë mbetur të ngrira. "Nisëm të punonim në Pulia në vitin 1984, pas një udhëtim me qëllime studimi në Izrael", tregon Massimo Bartolelli, docent në Universitetin e Barit. Për projektin, qeveria në vitin 2002 investoi 10 milionë euro: "Pavarësisht rezultateve pozitive, pas kësaj date askush nuk na dha më fonde. Shiu artificial është një realitet i prekshëm në shumë vende të botës, përveçse në Itali", tregon Bartolelli. Programi në vitet ‘80-‘90 parashikonte përhapjen e kimikateve në re për një vit rresht, me kosto që kapte vlerën e 4 miliardë e gjysmë lirash. Por në ndryshim nga Kina, shirat artificialë të provokuar nga "magjistarët" nuk kanë arritur kurrë të provokojnë stuhi bore të tilla që të bindin edhe skeptikët se pa ndërhyrjen njerëzore, nuk do të kishte errësirë në mes të ditës.


1469
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI