Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Intervista/ Rama kur s’ishte në politikë, çfarë mendonte ai 23 vite më parë
Publikuar me 22 Mar 2017

Intervista/ Rama kur s’ishte në politikë, çfarë mendonte ai 23 vite më parë

Kjo është një intervistë që kryeministri Edi Rama e ka dhënë në vitin 1994, për gazetaren Rudina Xhunga.

23 vjet më parë, kur ende nuk ishte në politikë, as nuk dukej se donte të ishte, por qe një ndër personat publikë më interesantë në Shqipëri.

Ishte koha kur Rama ishte tek të tridhjetat, mbante vëth dhe bënte një jetë prej bohemi sa në shqipëri, sa jashtë saj.

 Dritare.net e sjell te plotë intervisten e njeriut që tani është Kryeministri Rama.

Rudina Xhunga -Si ndikon tek ju fakti që jeni fëmijë arti?

Edi Rama- Pozitivisht, duke më dhënë mua mundësi që të tjerët s’i patën, mundësi për t’u vetëzbuluar në fushën që kam. Më ka kultivuar gjithashtu instiktin e rebelimit ndaj babait. Kombinimi i këtyre të dyjave më ka ndihmuar që potencialisht të kem disa avantazhe.

-Ç’ju tha babai ditën e parë, kur ju pa me vëth në vesh?

Ishte vonë, Lufta midis nesh kish kohë që pat përfunduar dhe ai ishte i përgatitur. Ndërsa tani, jo vetëm është i përgatitur, por edhe mi respekton zgjedhjet. Pas luftës së gjatë që kemi bërë bashkë, jemi miq të mirë.

-Kush e fitoi luftën?

Të dy fituam paqen.

-Herë pas here vetëkrijoni një imazh të keq. Në fakt jeni i mirë?

Unë nuk mundohem të krijoj imazhe dhe nuk më preokupojnë imazhet që krijoj. A jam i mirë? Mendoj që nuk ka njerëz të mirë apo të këqinj, por njerëz të dobët dhe të fortë, e në përgjithësi njerëzit janë të dobët.

-Ju jeni i dobët apo i fortë?

Jam midis të dobëtëve dhe të fortëve.

-Jeni tip i vetëkënaqur?

Për i kënaqur s’bëhet fjalë, por edhe i pakënaqur s’jam. Sa më tepër kalon koha, bindem që kënaqësia gjendet tek gjërat e vogla. Mendoj se dhe një rrezeje drite që hyn në dritare, nëse arrin t’i marrësh atë që ajo ka për ty, është fat.

-Eksperimentoni me veten?

Gjithë kohës.

Pse?

Sepse më pëlqen ta njoh veten, të di si reagoj në çdo moment, të shoh mundësitë e mia, të vetëeksplorohem.

-Pikturoni dhe shkruani. Kjo tregon se s’keni gjetur ende veten?

Vetja më ka gjetur mua. Pastaj, unë bëj edhe gjëra të tjera veçse pikturoj e shkruaj. Të gjitha sëbashku përbëjnë shprehje të mundësive. Atë që jep fjala në një moment të caktuar s’ta jep imazhi dhe anasjelltas.

-Ambalazhet treguan që kemi sens praktik. E vërtetë?

Nuk di sa e treguan ambalazhet, por kam sens praktik. Herë herë jam njeri racional dhe herë të tjera bëj gjëra pa i menduar pasojat, thjesht se më pëlqen. Një shoqja ime thotë “Kur ti ngre dorën për të thyer diçka, zgjedh atë më të parëndësishëm për të thyer.”

-E merrni jetën si t’ju vijë?

Mundohem ta marr si të vijë. Deri tani s’kam ndonjë arsye për tu ankuar. Ajo pjesë e jetës që vjen si fatalitet është treguar shumë zemërgjerë mua, aq sa mendoj se kam marrë më tepër se ç’më takon dhe do më duhet të paguaj ndonjë ditë.

-Nuk jeni ambicioz?

Jam. i të shkoj larg jo për të tjerët, por në raport me veten. Të zhvendosem larg në mundësi shprehjesh.

-Pse e keni mani antikonformizmin?

Mania është sëmundje. Mendoj se nuk jam i sëmurë, sepse lejoj dhe kompromise të cilat më bëjnë të ndihem keq, pse përcaktoj kufijtë e lirisë sime.

-Cilit tipar njerëzor i ndjeni mungesën?

Aftësisë për të sakrifikuar për të tjerët.

-Ç’tipar tuajin vlerësoni?

Aftësinë për të dhënë dashuri, shumë dashuri.

-Nuk është pak kontradiktore të japësh dashuri dhe të mos sakrifikosh?

Për mua sakrifica është çështje pasioni. Sakrifikoj për dikë apo diçka vetëm kur jam i pasionuar. Në të kundërt jo. Kjo tregon se nuk sakrifikoj për tjetrin, për hir të dashurisë që kam për veten. Ky është një defekt që s’është vetëm i imi.

-Jeni maskilist?

Absolutisht jo. Madje më mundon mungesa e pranisë së femrës në jetën shoqërore shqiptare. Nëse mua do të më kërkohej ndonjë formulë për të lehtësuar jetën publike këtu, do të propozoja një qeveri me mazhorancë femrash, ku presidenti dhe kryeministri do qenë femra.

-Po për raportin meshkuj-femra në Shqipëri ç’mendoni?

Raporti me dashurinë këtu është primitiv. Është raport prone, qoftë burri me gruan, qoftë babai me vajzën. Babai është mishërimi i një fryme intolerance me një xhelozi patologjike, e rrjedhimisht kështu është burri me gruan. Por, nëse me njeriun e dashur me të cilin ndan gjithçka, nuk arrin të krijosh hapësirë tolerance, nuk mund të pretendosh se i ke dhënë atij shumë dashuri, apo i ke marrë të njëtën. Unë vetë s’di sa do toleroja ftohtësinë e një raporti paralel dashurie, por flirtet e njeriut që do, janë normale. Sepse janë gjëra që i bën vetë, ndaj duhet t’ia tolerosh dhe tjetrit. Nuk mund të pretendosh për një shoqëri të hapur, kur raportet me dashurinë janë primitive.

-Ç’mendoni për ndarjen?

Për mua raporti me një femër është total, sa fizik dhe shpirtëror. Momenti i ndarjes është momenti kur ky totalitet shpërbëhet. Bashkëudhëton me dikë për sa kohë që ky është shumë i rëndësishëm për ty dhe mund të të japë atë që nuk ta jep kush tjetër. Por, kur ai të ofron gjëra që dhe të tjerët t’i ofrojnë, atëherë bashkëudhëtimi humbet kuptimin, ndaj, më mirë një kuptim i bukur.

-Ju një vajze i dhuroni dashuri apo prova dashurie?

Ç’kuptoni me prova dashurie?

-Të përcjellësh, të bësh dhurata, të jesh i kujdesshëm.

Unë dhuroj çdo gjë. Gjithçka mund t’i jap dashurisë, përmasat më të mëdha të mundshme.

-Fantazinë e konsumoni në art, apo ruani dhe për dashurinë?

Fantazisë nuk ia kam ndjerë ndonjëherë mungesën. Për sa i përket fantazisë në dashuri, për të s’jam unë që duhet të flas.

-Kur e keni keqtrajtuar një femër?

Kurrë.

-Ç’mendoni për bashkëjetesën në raport me martesën?

E konsideroj martesën si një institucion shumë serioz dhe mendoj se janë shumë pak ata që kanë forcë ta respektojnë deri në fund të jetës pa përdorur mekanizmin e gënjeshtrës, e hipokrizisë, teatralitetin etj. Ndërsa, bashkëjetesa është po kaq serioze, por për një kohë të caktuar. Pra, nuk është si në martesë, kur pretendohet t’i qëndrosh besnik asaj dashurie gjithë jetën. Për mua bashkëjetesa është e vetmja rrugë për të ndarë me dikë ditët e mia.

-Si do e pikturoni vetminë?

S’e di, në shumë mënyra. Di të them se vetminë e kam problem. S’e përballoj dot. Vetminë dhe qëndrimin në një vend të mbyllur për një kohë të gjatë i kam të papërballueshme.

-Pasi flet me ju vë re se keni një mungesë koncentrimi në ato që thoni.

E vërtetë, sepse unë nuk jam një njeri i arsimuar, më tepër kam afinitet me meditacionin. Qëndrimet e mia, fjalët, veprimet, nuk vijnë nga dija, nga një sistem dijesh, prandaj tek unë gjërat lëvizin shumë shpejt. Unë kam lexuar shumë, por edhe shumë pak. Që herët kam lexuar pa u përqëndruar. Shpesh kur lexoj e kap veten se nuk e kam mendjen tek fraza, por tek një ngjarje që më vjen në mënyrë asoçative, apo duke fantazuar. Kur shkruaj jam plotë dhe kam patjetër diçka për të thënë. Ndërsa, kur flas, mund të flas edhe kot, madje në momente të caktuara mund të them marrëzira. S’ka kurrë garanci nëse do flas mirë apo jo, kjo varet nga momenti. Po kështu më ndodh me gjuhët e huaja. Ka raste kur bashkëbiseduesi mendon se flas mirë, në të tjera raste ai mendon se unë s’di fare. Unë kurrë s’e kam mësuar gjuhën e huaj, ndaj edhe të folurit e saj e kam të lidhur të momentit. Herë-herë, mendoj se është më i vlefshëm meditacioni se sa arsimi, por ndoshta ky është vetëjustifikim.

-Ju jeni gaforre?

S’ka sesi të jem shenjë tjetër.

-Ç’hobby keni?

Të shkruaj letra. Kam një raport shumë personal dhe shumë të këndshëm me letrat. Në gjithë qytetet e botës ku kam qenë, kam ruajtur në kujtesë vajzën më të bukur apo burrin më interesant që kam takuar dhe ju shkruaj.

Kam pasion gatimin. Një nga mënyrat për t’i dhënë dashuri një njeriu është të gatuaj për të. E bëj me pasion dhe dëshirë. Ndërsa kur dua t’i jap një provë afeksioni, afërsie dhe përkujdesje e ftoj e i gatuaj peshk. Një tjetër hobby imja është të provokoj. Nuk ndihem mirë në qetësi, ndaj herë pas here përdor mënyra të çuditshme për të provokuar tjetrin, aq sa jam prishur me shumë miq. E ndjej që e tejkaloj masën dhe duke dashur të jem sa më i lirë, kufizoj lirinë e tjetrit, por është diçka më e fortë se unë që më nxit./dritare.net


1229
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI