Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

BIK dhe ëndrra e radikalëve për një Kosovë islamike
Publikuar me 26 Gus 2013

BIK dhe ëndrra e radikalëve për një Kosovë islamike

nga: Imer Mushkolaj
Beteja për Bashkësinë Islame të Kosovës është më shumë se betejë për një institucion. Është betejë për ndërprerjen e ëndrrës së radikalëve për Kosovën islamike. Është betejë për të ardhmen.

Bashkësia Islame e Kosovës duket se po rrëshqet drejt kapjes përfundimtare nga rryma të islamit radikal, gjë që duhet t’i shqetësojë të gjithë myslimanët kosovarë, por edhe shoqërinë në përgjithësi.

Zhvillimet e fundit në BIK tregojnë më së miri, se këta tipa, të mbledhur në organizata të dyshimta, që kinse promovojnë paqe, e kanë seriozisht dhe nuk do të zgjedhin rrugë, as mjete për të imponuar e realizuar agjendën e tyre.

Një institucion i tërë dhe të tjerë që duan ta pushtojnë atë janë çuar kundër një personi: kundër Xhabir Hamitit, të cilin duan me çdo kusht ta eliminojnë nga gara për kreun e BIK-ut, pasi po e shohin si pengesën e vetme serioze që po i bllokon në qëllimet e tyre.

Fushata kundër Hamitit dhe shkarkimi arbitrar dhe i paligjshëm i tij dëshmojnë se “ushtarët” e islamit radikal, të ideologjive ekstremiste dhe mbështetësit e tyre e kanë përnjëmend.

Duke e kapur BIK-un dhe duke u përpjekur me çdo kusht që t’ia mundësojnë Naim Tërnavës edhe një mandat në krye të saj, ata po duan që, nëpërmjet këtij institucioni, të shtrijnë ndikimin dhe ideologjinë e tyre te besimtarët islamë në mbarë vendin.

Por, pse gjithë kjo fushatë e egër dhe me diskurs të dhunshëm kundër Xhabir Hamitit? A është ai i rrezikshëm, sa t’i frikësohen dhe ta luftojnë me çdo kusht?

Jo, Hamiti nuk është i rrezikshëm. Ai vetëm dëshiron që BIK-un ta kthejë në rrugë të drejtë, ta kthejë në shërbim të besimtarëve islamë. Ai vetëm dëshiron një institucion të reformuar, transparent e të përgjegjshëm.

Por, po ekstremistët i frikësohen Hamitit, sepse ai iu prish planet. Me Hamitin në krye të BIK-ut, ata nuk do të mund të funksionojnë si tash.

Me Hamitin në krye të BIK-ut, veprimtaria e tyre do të vihet në rrezik. Prandaj ata e shajnë dhe e fyejnë atë. Prandaj ata tërbohen nga përmendja e emrit të tij. Prandaj ata kërcënojnë.

Ata e duan Naim Tërnavën në krye të BIK-ut, sepse vetëm ashtu mund të shkojnë tutje në realizimin e ëndrrës së tyre për Kosovën shtet islamik midis Europës. Për Kosovën, qytetarët e së cilës duhet të hanë, të pinë e të sillen sipas rregullave të tyre.

Për Kosovën, qytetarët e së cilës duhet të mendojnë si ata; qytetarët e së cilës duhet të jetojnë sipas të vërtetave të tyre.

* * *
Mënyra se si është udhëhequr deri tash, ka bërë që BIK-u të kthehet në një institucion të karakterizuar me probleme, institucion që është sjellë në mënyrë arrogante ndaj të gjithë zërave ndryshe dhe që ka ngulfatur lirinë e shprehjes, institucion që nuk ka mundur të ruajë pavarësinë e vet dhe t’u rezistojë ndërhyrjeve nga jashtë, institucion që, në vend që t’i luftojë, i ka inkurajuar grupet radikale.

BIK-u sot është një institucion që ka devijuar nga misioni i vet, duke u bërë argat i individëve e grupeve të dyshimta, e jo duke qenë në shërbim të besimtarëve që pretendon se i përfaqëson. Për këtë shkak, zgjedhjet në BIK janë të një rëndësie të veçantë – jo vetëm për faktin se ky institucion duhet t’i përfaqësojë në aspektin fetar shumicën e qytetarëve të Kosovës.

Vendit i duhet një Bashkësi Islame e fortë dhe reprezentative, e jo një e atillë që iu nënshtrohet presioneve të individëve dhe grupeve të ndryshme, të cilët duan ta shfrytëzojnë si trampolinë për t’i arritur qëllimet e tyre perfide.

Zgjedhjet në BIK duhet t’u interesojnë të gjithëve, sepse nga epilogu i tyre varet nëse ky institucion do të shkojë drejt shkatërrimit, apo do të vihet përfundimisht në shërbim të atyre që duhet t’u shërbejë dhe të luajë rolin që i takon.

Zgjedhjet në BIK janë betejë ndërmjet frymës radikale dhe të moderuar. Është koha e fundit që BIK-u të çlirohet nga kapja që i është bërë nga grupet radikale dhe të mund të funksionojë normalisht.

BIK-ut i duhet reformë. BIK-u duhet të krijojë një vizion të qartë karshi besimtarëve që i përfaqëson dhe karshi opinionit në përgjithësi. BIK duhet të jetë transparente dhe e përgjegjshme.

Por, po ashtu, BIK-u duhet të rishqyrtojë emërimet e imamëve që ka bërë nëpër xhamitë e Kosovës, duke mos ia dhënë rastin për të udhëhequr asnjërit që provon të promovojë ide radikale, por veç atyre që kultivojnë islamin tradicional, që i ka karakterizuar me shekuj shqiptarët.

Të gjitha këto duken të pamundura të realizohen, bazuar në zhvillimet e deritashme. Por, beteja për shpëtimin e BIK-ut nuk duhet të ndalet.

Askush nuk po kërkon një BIK të ëndrrave, BIK që bën mrekulli. Por, po të gjithë duhet të kërkojnë dhe të bashkohen në betejën, që ëndrra e radikalëve për Kosovën islamike të ndërpritet në mes. Sa më shpejt, aq më mirë për të gjithë.

* * *
Është koha e fundit që BIK-u të çlirohet nga kapja që i është bërë nga grupet radikale dhe të mund të funksionojë normalisht.

BIK-ut i duhet reformë. BIK-u duhet të krijojë një vizion të qartë karshi besimtarëve që i përfaqëson dhe karshi opinionit në përgjithësi. BIK duhet të jetë transparente dhe e përgjegjshme.

Por, po ashtu, BIK-u duhet të rishqyrtojë emërimet e imamëve që ka bërë nëpër xhamitë e Kosovës, duke mos ia dhënë rastin për të udhëhequr asnjërit që provon të promovojë ide radikale, por veç atyre që kultivojnë islamin tradicional, që i ka karakterizuar me shekuj shqiptarët.

Të gjitha këto duken të pamundura të realizohen, bazuar në zhvillimet e deritashme. Por, beteja për shpëtimin e BIK-ut nuk duhet të ndalet.

Askush nuk po kërkon një BIK të ëndrrave, BIK që bën mrekulli. Por, po të gjithë duhet të kërkojnë dhe të bashkohen në betejën, që ëndrra e radikalëve për Kosovën islamike të ndërpritet në mes. Sa më shpejt, aq më mirë për të gjithë.


720
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI