Kriokonservimi dhe sfida ndaj vdekjes: si funksionon ngrirja e trupit në -196 gradë dhe sa kushton ëndrra e pavdekësi
Sfida më e fundit e njeriut ndaj vdekjes dhe kohës quhet kriokonservim, një procedurë e avancuar e ngrirjes së trupit pas ndarjes nga jeta, me shpresën se shkenca dhe mjekësia…
Ndaje

Sfida më e fundit e njeriut ndaj vdekjes dhe kohës quhet kriokonservim, një procedurë e avancuar e ngrirjes së trupit pas ndarjes nga jeta, me shpresën se shkenca dhe mjekësia e së ardhmes do të gjejnë mënyrën për ta rikthyer personin në jetë. Ky koncept, i cili dikur shihej vetëm në librat dhe filmat fantastiko-shkencorë, sot është kthyer në një industri reale dhe të strukturuar, me qendra të specializuara që operojnë kryesisht në Shtetet e Bashkuara, Rusi dhe së fundmi edhe në Europë, përfshirë Zvicrën.
Procedura është tejet komplekse dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme sapo konstatohet vdekja ligjore. Në fazën e parë, trupi i pacientit ftohet me shpejtësi dhe qarkullimi i gjakut zëvendësohet me solucione të posaçme mbrojtëse, të quajtura krioprotektorë. Ky proces, i njohur si vitrifikim, shërben për të parandaluar formimin e kristaleve të akullit që do të shkatërronin qelizat dhe indet e trurit. Më pas, trupi ulet gradualisht deri në temperaturën ekstreme prej minus 196 gradë celsius dhe vendoset brenda cilindrave të mëdhenj metalikë të mbushur me azot të lëngshëm, ku mund të ruhet për dekada apo shekuj me radhë.
Kjo përpjekje për të sfiduar kohën ka një kosto të lartë financiare. Në varësi të strukturës dhe llojit të shërbimit të zgjedhur, çmimet variojnë nga disa dhjetëra mijëra dollarë për ruajtjen vetëm të trurit (neuro-konservim), deri në rreth 200 mijë euro për ruajtjen e plotë të trupit. Shumë klientë në mbarë botën i mbulojnë këto shpenzime përmes policave të posaçme të sigurimit të jetës, duke e konsideruar këtë hap si një investim për një "jetë të dytë".
Megjithatë, komuniteti shkencor dhe vetë kompanitë që menaxhojnë këto laboratorë tregohen të kujdesshëm dhe të sinqertë: aktualisht nuk ekziston asnjë garanci shkencore se teknologjia e ringjalljes do të shpikët ndonjëherë dhe se truri i njeriut mund të rikthehet në funksion të plotë pa dëmtime. Për mbështetësit e kësaj ideje, kriokonservimi mbetet një bast me të ardhmen dhe një akt besimi tek evolucioni i pafund i shkencës, me shpresën se një ditë zgjimi pas një shekulli nuk do të jetë më një ëndërr e pamundur.
Lexo edhe
Komentet (0)
Ende asnjë koment. Bëhu i pari.