Llogaria ime
AOL Portal
Revista

Historia e armëve të Skënderbeut
Publikuar me 23 Nen 2012

Historia e armëve të Skënderbeut

Ka pasur një dyndje njerëzish për të parë nga afër armët e Skënderbeut, të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar.

Thuajse si në një miting njerëzit kanë vërshuar për të parë shpatat dhe përkrenaren e Heroit Kombëtar.

Për herë të parë janë ekspozuara për publikun shqiptar përkrenarja, 2 shpatat, gravura e përmasave të mëdha dhe kodeksi i jetës së Skënderbeut.
Armët, përkrenarja, kodeksi dhe gravura me vlerë 35 milion euro janë siguruar nga kompania më e madhe e sigurimeve në vend, Sigal

Ata janë vendosur nga specialistët austriak në një vitrinë të xhamtë, e cila është sjellë nga Austria dhe do të jenë po ata që do ta lëvizin prej aty. Pavijoni i Mesjetës, ku janë vendosur objektet e Skënderbeut, është pajisur me kamera sigurie, të cilat janë nën vëzhgim 24 orë, madje pohet se ato survejohen në kohë reale edhe nga Muzeu i Vjenës. Ata ruhen edhe nga dy ushtarë të Gardës së Republikës. Godina është pajisur me sistem alarmi.

Përkrenarja e Skënderbeut
Përkrenarja përbëhet prej çeliku dhe rrethohet nga një rrip i larë me ar. Në majë të saj është vendosur si simbol koka e dhisë me brirë.
Thuhet se përkrenarja ju dhurua Skënderbeut nga Papa Piu II-të në pritjen zyrtare që i bëri Skënderbeut natën e Krishtlindjes së vitit 1466.

Objektet e Skënderbeut përmenden për herë të parë në një letër të datës 15 tetor të vitit 1578, në të cilën duka i Urbinos Marius Sforca i shkruan arqidukës Ferdinand se do t’i dërgonte këtij të fundit armët e Skënderbeut. Më 15 maj 1579, arqiduka i Tirolit, Ferdinadi, i shkruan dukës së Urbinos, Marius Sforces, duke e falënderuar për armët e Skënderbeut, si dhe për të tjerat, të cilat mund t’i binin atij në dorë. këto objekte përmenden për herë të dytë në letrën e dukës Von Arescot(duka Von Areskot) më 25 korrik 1588, e cila flet mbi armët e tjera të Skënderbeut.

Objektet e Skënderbeut nuk ishin shënuar në inventarin e vitit 1585. Ndërsa në inventarin e vitit 1593, në fletën 69, shënohet: “Dy shpata dhe përkrenarja e ‘Georgen Scabderbegg’. Prej këtyre dy shkresave si dhe inventarit, konstatohet lehtë se përkrenarja dhe dy shpatat e Skënderbeut ranë në dorë të arqidukës Ferdinand ndërmjet viteve 1588 dhe 1593 përmes ndihmës së dukës Marius Sforca të Urbinos dhe të dukës Arescot.

Në sallën XXV, Nr. 71(127) të Muzeut të Arteve të Vjenës, ndodhet përkrenarja ‘George Skanderbeg’. Ajo është në ngjyrë të bardhë me rrafshe të arta dhe ka sipër saj një kokë dhie të artë me dy brinjë. Në një vrimë në majë të përkrenares është vendosur një burgji, e cila paraqet një kokë dhie të fiksuar mirë. Kjo përbëhet prej dy pjesëve: një pjesë bakri dhe pjesa tjetër sipër, është një copë metali, buzët e së cilës janë të zbukuruara me ar.

Syve të dhisë sipër përkrenares i mungojnë gurët dhe akoma i duket vendi bosh, i cili të jep të kuptosh se brenda kanë qenë vendosur gurët. Në mesin e përkrenares është vendosur një rreth prej bakri me një gjatësi 65 dhe në këtë rreth janë shkruar shkronjat: I.N.P.E.RA.TO.BE.BT. Ky shkrim deri tani është deshifruar kështu: “Jesus Nazarenus Principi Emathiae. Regi Albaniae. Terrori Osmanorum. Regi Epiri. Benedicat”. Poshtë buzës së përkrenares janë vënë 9 copa të mëdha dhe këto janë të lidhura me një rrip lëkure me bojë hiri. Pesha e të gjithë përkrenares është 3000 gr. Sado që ka elemente orientale, mendohet se është punuar prej një artisti venecian.

Shpatat
Sipas historianëve, Skënderbeu ka përdorur dy shpata. E para i është dhuruar nga Papa në Krishtlindjet e vitit 1466 dhe është me trup të drejtë, e gjatë 85.5 centimetra dhe e gjerë 5.7, peshon 1.3 kg, me dy tehe me një formë të drejtë dhe me një majë të kthyer që përmban disa shkronja latine ku lexohen këto fjalë: “Heroi i Perëndisë, Iskander Beg”. Doreza është prej druri, e mbështjellë me lëkurë. Sipas Faik Konicës, i cili e vëzhgoi në fillim të shekullit XX, në trupin e saj shiheshin ende njolla gjaku.

Pesha e kësaj shpate është 1300 gr dhe këllëfi i saj peshon 600 gr. Anët e jashtme përshkohen prej fildishi dhe në anët e brendshme shohim disa shkronja të kuqe, të cilat janë shkruar në shekullin XVI. Shpata tjetër është me dorezë lëkure, e cila nga pesha e rëndë dhe prej shenjave të gjakut që duken akoma, është më e madhërishme.

E dyta është model turk, është 121 cm dhe peshon 3.2 kg.Shpata me dorezë, e veshur me lëkurë shagen, ka në anët e jashtme katër arabeska të thella, tre rripa për hijeshi. Shpata është e përkulur në formë harku, gjatësia e saj është 121 cm dhe doreza është e zbukuruar me ar dhe lëkurë. Pesha e shpatës është 3.2 kg. Kjo shpatë gjendet në sallonin XXV, rafti II, Nr.92(145). Kjo formë me ornamente tregon se ajo është bërë në gjysmën e parë të shekullit XV.


1820
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI