Llogaria ime
Veriu Portal
Lifestyle

Studimi, trafiku dhe smogu nuk na dëmton vetëm nervat, por, edhe zemrën
Publikuar me 27 Jan 2010

Studimi, trafiku dhe smogu nuk na dëmton vetëm nervat, por, edhe zemrën

Trafiku dhe smogu krijojnë zakonisht një tërheqje muskulore në nervat e atyre që çdo ditë janë të detyruar të udhëtojnë për të shkuar në punë ose edhe thjesht për të dalë. Por tani, sipas një studimi të ri, ai që vuan dëme të tilla nuk është vetëm sistemi nervor, po edhe zemra e madje thuhet se ka pasoja të rënda. Një fakt i tillë është pohuar nga studiuesit e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Karolinën e Veriut në SHBA, të cilët kanë vënë në provë zemrat e vullnetarëve të shëndoshë të moshës midis 18 dhe 35 vjeç. Pjesëmarrësit ishin të nënshtruar me ekspozimin e një përqendrimi të veçantë të grimcave ultrafine që normalisht janë ato të njëjta me ajrin e kontaminuar nga motorët e veturave dhe kamionëve në shumë qytete të ndotura. “Ne kemi kërkuar për të shqyrtuar efektet specifike që këto grimca ultrafine ushtrojnë në persona të shëndoshë, pasi këto grimca janë depozituar më të thellë dhe me efikasitet më të madh në traktin e ulët të frymëmarrjes dhe mund të kenë efekte përtej sistemit të mushkërive”,- tha dr.James Samet, i cili koordinon studimin në fjalë. Në fund të ekspozimit të testit, Samet dhe kolegët e tij, krahasuan efektet e çdo ekspozimi me normën e shënuar nga inflamacioni dhe funksionimi i mushkërive si edhe ritmin kardiak. Hulumtuesit kanë vërejtur në këtë mënyrë ndryshime të normës së rrahjeve të zemrës dhe madje ka patur shenja trombotike dhe kardiovaskulare që përfshijnë ndryshimet në kontrollin e ritmit kardiak, duke e përkeqësuar atë. “Ky studim ofron dëshmi të tjera se ekspozimi ndaj grimcave të vogla në ajër është i lidhur me ritmin kardiak të ndryshuar dhe efektet protrombotike të tyre mund të jenë me interes të konsiderueshëm”,- përfundoi Samet.
Fëmijët
Ndotja e ajrit nga pluhuri në një pjesë të madhe të qyteteve të vendit mbetet sërish në shifra alarmante, edhe pse premtimet për ajër më të pastër për shqiptarët vijnë çdo ditë me doza të larta, sikurse edhe niveli i ndotësve. Kryeqyteti vazhdon të jetë në krye të listës së zezë të ndotjes së ajrit edhe nga matjet e ditëve të fundit. Rreth 2,5 herë mbi normën e lejuar është ndotja nga grimcat e pluhurit në Tiranë. Fëmijët janë kontingjenti më i rrezikuar nga ndotja e ajrit në kryeqytet. Sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), kryeqyteti është më i ndoturi nga të gjitha rrethet e tjera të vendit dhe detyrimisht në Tiranë ka më tepër persona që vuajnë nga mushkëritë. Por gjatë vitit 2009, ndryshe nga studimet e tjera, ka rezultuar se më të prekurat janë mushkëritë e fëmijëve të vegjël. Specialistët e ISHP-së kanë specifikuar katër sëmundje që u shkaktohen fëmijëve nga efektet negative të mjedisit të ndotur, që janë: sëmundjet respiratore të fëmijëve (astma, alergjia); çrregullime të zhvillimit mendor; tumore fëminore si dhe çrregullime endokrine. Ndërkohë që, probleme të tilla shkaktohen edhe nga pirja e duhanit në ambiente me fëmijë, si në shtëpi, lokale etj. Specialistët bëjnë të ditur se prindërit duhet t’i shmangin fëmijët nga ambientet publike, ku konsumohet duhani.
Rreziqet
Ndotja e ajrit sot është një problem i madh në gjithë botën, por sidomos ai është bërë më i mprehtë në vendet në zhvillim. Urbanizimi i shpejtë, mos ndërgjegjësimi sa duhet i njerëzve për rrezikshmërinë e ndotjes dhe varësia edhe nga qymyrguri dhe nafta do të thotë që niveli i SO2 dhe LGP të kenë ritme të larta edhe në të ardhmen. Afro 1 miliardë njerëz janë të rrezikuar çdo ditë nga ndotësit e ajrit. Njerëzit, në jetën e përditshme, në mjedisin e shtëpisë, të punës dhe atë të përgjithshëm, ekspozohen ndaj faktorëve, që jo vetëm nuk janë të domosdoshëm, por janë të dëmshëm për shëndetin e tyre. Ekspozimi ndaj tyre është pjesë e jetës, ndaj është e nevojshme të njihen për të ulur e shmangur efektet negative të tyre. Në morinë e këtyre faktorëve, jo pak të rëndësishëm, janë ndotësit e ajrit, që kanë efekte të dëmshme mbi njerëzit, kafshët dhe bimët. Meqenëse, veç efekteve dëmtuese të përbashkëta, ata kanë dhe ato të veçantat, po i trajtojmë në mënyrë të shkurtuar, një nga një, gjashtë nga ndotësit më të rëndësishëm të ajrit.

Përbërësit e ajrit të ndotur dhe efektet negative në organizëm
Ozoni 03
Ozoni është një gaz, i cili përbëhet nga tri atome oksigjen (O3). Ai nuk çlirohet në mënyrë të drejtpërdrejtë në ajër, por krijohet nga reaksioni kimik mes oksideve të azotit (NOx) dhe lëndëve organike të avullueshme, të cilat ndodhen në dritën e diellit. Ozoni ka të njëjtën strukturë, si ai që ndodhet me km mbi tokë apo kur është afër sipërfaqes së tokës. Pra, cilësitë e tij të “mira” apo të “këqija” varen nga lokalizimi i tij në atmosferë. Ozoni i “mirë” ndodhet në mënyrë natyrale në stratosferë, rreth 10 deri në 30 milje mbi sipërfaqen e tokës dhe krijon një shtresë, e cila na mbron nga rrezet e dëmshme të diellit. Ndërsa prania e ozonit pranë sipërfaqes së tokës konsiderohet e “keqe”. Lëndët që çlirohen nga automjetet, çlirimet industriale, benzina e avullueshme dhe tretësit kimik, ashtu si dhe burimet natyrale, çlirojnë NOx dhe LOA (lëndë organike të avullueshme), ndihmojnë në formimin e ozonit.
Problemet shëndetësore
Ozoni mund të irritojë rrugët e frymëmarrjes. Simptoma të tjera përfshijnë: teshtima, kollë, dhembje gjatë frymëmarrjes së thellë dhe vështirësi në frymëmarrje gjatë aktiviteteve jashtë shtëpisë. Njerëzit me probleme të mushkërive janë më të ndjeshëm, por, nëse ozoni është në nivele të larta, preken edhe njerëzit e shëndetshëm që bëjnë aktivitet jashtë shtëpisë. Ekspozimi i përsëritur me ozon për disa muaj mund të shkaktojë dëmtime të mushkërive. Çdokush që qëndron në verë jashtë shtëpisë është në risk, sidomos fëmijët dhe njerëzit që kanë shumë aktivitet në ambientet e jashtme. Edhe në nivele të ulëta, ozoni afër sipërfaqes së tokës shkakton një sërë problemesh në mushkëri, duke përfshirë këtu përkeqësimin e astmës, uljen e kapacitetit të mushkërive dhe rrit ndjeshmërinë ndaj sëmundjeve të mushkërive, si: pneumonia dhe bronkiti. Dëmtimet në bimë dhe në ekosistem
Ozoni në sipërfaqen e tokës ndikon në aftësinë e bimës për të prodhuar e grumbulluar ushqimin, duke i bërë kështu më të ndjeshme ndaj sëmundjeve të ndryshme, ndaj insekteve, ndotësve të tjerë dhe motit të ashpër. Ozoni dëmton gjethet e pemëve dhe të bimëve të tjera, duke ndikuar në shkatërrimin e parqeve nëpër qytete, parqeve nacionale, etj.

Aerosolet
Termi Aerosolet nënkupton grimcat që gjenden në ajër, si: pluhuri, bloza, tymi dhe aerosolet në formë pikash. Grimcat mund të përhapen në ajër për një kohë të gjatë. Disa grimca janë të mëdha ose të errëta, të cilat mund të shihen, si: bloza dhe tymi. Të tjerat janë aq të vogla, sa mund të zbulohen vetëm me mikroskop elektronik. Disa grimca çlirohen menjëherë në ajër nga burime, si: makinat, autobusët, fabrikat, arat e lëruara, rrugët e pashtruara, guroret apo nga djegia e drurit. Grimca të tjera mund të formohen në ajër nga ndryshimet kimike të gazeve. Ato formohen në mënyrë indirekte kur gazet që çlirohen nga lëndët djegëse veprojnë me dritën e diellit apo avujt e ujit. Kjo ndodh gjatë djegies së lëndëve të ndryshme djegëse apo dhe gjatë proceseve industriale.
Efektet shëndetësore
Shumë studime shkencore tregojnë se thithja e grimcave çon në manifestimin e problemeve shëndetësore të dukshme, duke përfshirë këtu: përkeqësimin e astmës; rritja e simptomave të frymëmarrjes, si: kolla, vështirësi e dhembje në frymëmarrje; bronkiti kronik; funksion i ulur i mushkërive; vdekje e parakohshme; dëmtimet në shikim; prania e grimcave në ajër është shkaku kryesor i uljes së shikimit apo e mjegullimit; dëmtimet estetike; bloza e tymi, një lloj i grimcave, grumbullohet në gurë dhe materiale të tjera, duke i dëmtuar ato, duke përfshirë këtu objekte të rëndësishme kulturore, si monumente dhe statuja.


Monoksidi i karbonit CO
Është një gaz pa ngjyrë e pa erë, i cili formohet kur karboni në lëndët djegëse nuk digjet plotësisht. Ai është një komponent që çlirohet nga motorët e automjeteve, e përbën 56 % të të gjithë CO që çlirohet. Kështu, përqendrimet më të larta të CO ndodhen në zonat që kanë një trafik të ngarkuar. Kështu, në qytete CO i çliruar nga makinat arrin në 85–95 %. Burime të tjera të prodhimit të CO përfshin proceset industriale (sidomos në industrinë e metaleve dhe atë kimike), djegia e drurëve për qëllime ngrohjeje dhe djegia natyrale e pyjeve. Ndërsa burimet e CO brenda ambienteve të shtëpisë janë: sobat e zjarrit, sobat e gazit, tymi i cigares, vatrat e zjarrit dhe përdorimi i vajgurit. Nivelet më të larta të CO në ambientin e jashtëm janë në muajt më të ftohtë të vitit, sepse inversionet e ajrit janë më të shpeshta. Ajri i ndotur zihet në grackë afër sipërfaqes së tokës, nën shtresën e ajrit të ngrohtë.
Efektet kardiovaskulare
Edhe nivele të ulëta të CO mund të përbëjnë kërcënim për jetën në personat që vuajnë nga sëmundje të zemrës, si: angina, bllokimi i arterieve ose sëmundje kongjestive të zemrës. Për personat që vuajnë nga sëmundjet e zemrës edhe një ekspozim i vetëm ndaj CO, edhe në përqendrime të ulëta, mund shkaktojë dhembje kraharori, ul aftësinë e personit për të kryer ushtrime fizike etj.
Efektet në sistemin nervor qendror
Edhe njerëzit e shëndetshëm mund të preken nga nivele të larta të CO. Njerëzit që kanë përqendrime të larta të CO shfaqin probleme vizive, ulet aftësia për të punuar apo mësuar, ulet shkathtësia manuale dhe vështirësohet paraqitja e detyrave komplekse. Në nivele ekstreme, CO është një helm e mund të shkaktojë vdekjen. CO kontribuon në formimin e smogut në ajrin afër sipërfaqes së tokës, e cila nga ana e saj shkakton probleme të shumta me frymëmarrjen.


2423
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI