Llogaria ime
Veriu Portal
Lifestyle

Pse po pakësohen shqiptarët?!
Publikuar me 24 Pri 2010

Pse po pakësohen shqiptarët?!

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli ka qenë i qartë pas studimit të parë shëndetësor demografik, që është një arritje e strukturës së tij: Jetojmë më mirë, por po pakësohemi. Kemi sërish probleme me ushqimin edhe pse parametrat e tij janë përmirësuar dukshëm. Në prezantimin e studimit, ai ka pohuar se vdekshmëria foshnjore po ulet, porse ajo ngelet shumë e lartë në fshat se sa në qytet. Zyrtari nuk e ka shmangur edhe problemin e kequshqyerjes: Është e vërtetë se Shqiptarët kanë filluar të ushqen më mirë se në vitin 2000, por krahasuar me 2005, shifrat e të sëmurëve si pasojë e kequshqyerjes janë më të larta. “Në krahasim me vitin 2005 ka indikatorë të kequshqyerjes që janë rezistentë dhe pothuajse kanë ngelur në stanjacion” ka thënë Z. Ylli, për median pak ditë më parë. Por, studimi ofron dhe gjëra të tjera interesante: 19% e fëmijëve nën moshën 5 vjeç janë nën peshë ndërsa 6% e tyre janë të kequshqyer. Ndërsa problem mbetet edhe obeziteti, pasi 22% e fëmijëve nën 5 vjeç janë mbi peshë ose obezë.

Studimi i fundit demografik është një nga punët më madhore të institucionit tuaj. Si është realizuar studimi demografik shëndetësor dhe çfarë metodike është ndjekur për realizimin e tij?
“Studimi demografik dhe shëndetësor (shkurt DHS) është realizuar për herë të parë në vendin tonë dhe është fryt i përpjekjeve disa vjeçare të disa institucioneve dhe agjencive donatore. Studimet e tipit DHS janë kryer në shumë vende të botës nën mbikëqyrjen e një agjencie amerikane të specializuar në këtë fushë dhe lejojnë veç të tjerash edhe mundësinë e krahasimit të treguesve midis vendeve të ndryshme.
DHS shqiptar bazohet në një kampion përfaqësues prej pothuaj 9000 shtëpish. Kampioni është përzgjedhur në mënyrë të tillë, që të lejojë kalkulimin e një sërë treguesish shëndetësorë sipas disa kategorive gjeografike dhe sociale.
Të gjithë gratë e moshës 15-49 vjeç në totalin e kampionit të shtëpive dhe të gjithë meshkujt 15-49 vjeç në nënkampionin e gjysmës së shtëpive, të cilët ishin rezidente ose edhe vizitorë një natë para studimit, u ftuan në studim. Gjithsej 7 600 femra dhe 3150 meshkuj u arritën të intervistoheshin.
Informacioni është mbledhur bazuar në një pyetësor të gjerë, tërësisht të strukturuar, si dhe në disa matje klinike dhe antropometrike. Kështu u matën tensioni i gjakut në qetësi, vlera e hemoglobinës, pesha dhe gjatësia.
Një aspekt inovativ i DHS shqiptar ishte edhe përdorimi i kompjuterave të dorës ose Personal Digital Assistants (PDA), çka mundësoi përdorimin me efikasitet të kohës si dhe minimalizimin e gabimeve”.
Si janë shqiptarët e sotëm për sa i përket lindshmërisë? Është e vërtetë se ka rënie dhe Cilët janë faktorët që po ndikojnë në uljen e lindshmërisë?
“Shqiptarët e sotëm janë të ndryshëm përsa i përket lindshmërisë apo fertilitetit në krahasim me shqiptarët e para 20 viteve dhe jashtëzakonisht të ndryshëm nga shqiptarët e para 40 vjetëve. Kemi kaluar nga 6-7 lindje për grua në moshe riprodhimi (vitet ‘70) në vetëm 1.6 (në periudhën tre vjeçare para studimit). Rënia është e ndjeshme edhe po të krahasohemi me studimin RHS (një format studimi i ngjashëm me DHS) të vitit 2002 kur vërehej një fertilitet prej 2.6 lindjesh për grua. Mund të thuhet me siguri se rënia është e qëndrueshme prej disa dekadash tashmë, ndërkohë që është e vështirë të parashikohet se çdo të ndodhë në të ardhmen me këtë tregues, për arsye se jemi praktikisht shumë të ngjashëm me fertilitetin e shumë vendeve evropiane (nën indeksin e zëvendësimit të popullsisë). Në 2004, INSTAT ka ndërtuar një model i cili parashikon rënie edhe për rreth një dekadë për të arritur ndoshta në shifrën 1.3.
Krahasuar me vlerësime të DHS-ve të tjera të kryera në rajon mund të themi se fertiliteti në Shqipëri është më i lartë se në Ukrainë (1.2 lindje për grua në vitin 2007), por më i ulët se në Moldavi (1.7 - 2005) Azerbaixhan (2 - 2006) Armeni (1.7 – 2005). Shqipëria e ka këtë tregues praktikisht të barabartë me vendet fqinje (Serbia, Mali i Zi 1.6, Greqia, Maqedonia 1.4)
Faktorët që çojnë në këtë prirje janë ata që ndikojnë përgjithësisht në të gjitha popullatat që kanë kaluar në procesin e tranzicionit demografik; urbanizimi dhe emancipimi social e arsimor i gruas. Një grua që dëshiron të ndërtojë një karrierë profesionale apo edhe që thjesht dëshiron të ketë më shumë kohë që të kujdeset për fëmijët e saj, priret të lindë më pak fëmijë dhe të ruajë distancë kohe të mjaftueshme midis lindjeve. Gjithsesi, shifra 1.6 dhe për më tepër parashikimi prej 1.3 mund të kthehet në një kërcënim potencial për vitalitetin e shoqërisë shqiptare në të ardhmen. DHS shqiptar tregon se fertiliteti në gratë e Tiranës apo edhe tek gratë që kanë kryer studime universitare është vetëm 1 lindje për grua në moshë riprodhimi.
Në Shqipëri mund të ndikojnë edhe faktorë të tjerë shtesë, të cilat duhet të studiohen nga sociologët e demografët si p.sh. emigrimi selektiv etj”.

A janë më të ushqyer shqiptarët në ditët tona. Çfarë specifike ka problematika që lidhet me ushqimin e shqiptarëve të sotëm?
“Në studimin tonë kemi analizuar si treguesit e ushqyerjes të fëmijëve, ashtu edhe ata tek popullata e rritur. Gjetjet janë interesante e na ndihmojnë shumë në përqendrimin e ndërhyrjeve parandaluese shëndetësore; së pari duket qartë se Shqipëria nuk ka problemet e kequshqyerjes tek fëmijët që kishte para 20 vjetësh apo edhe para 10 vjetësh, kur pothuaj një në tre fëmijë 0-3 vjeç kishte shenja të kequshqyerjes; vonesa në zgjatje si pasojë e kequshqyerjes ka rënë nga 32% në 2000 apo 22 në 2005 në 16%. Pesha e ulët për moshë dhe pesha e ulët për gjatësi tregojnë gjithashtu rënie të qëndrueshme me përjashtim vetëm të kësaj të fundit, ku vërejmë një farë stanjacioni gjatë viteve te fundit.
Pra mund të thuhet se fëmijët shqiptarë janë gjithmonë e më të ushqyer, megjithëse ngelen ende familje, të cilat kanë nevojë për asistencë apo kujdes jo vetëm shëndetësor, në mënyrë që të mundësojnë tek fëmijët e tyre shprehjen e plotë të potencialit gjenetik. Në përgjigje edhe të këtij problemi po fillon këtë vit një program shëndetësor i gjerë disa vjeçar.
Nëse ushqyerja e pamjaftueshme tek fëmijët pra, duket se është një problem nën kontroll dhe në rënie të vazhdueshme, DHS na dëshmon se problemi më serioz lidhur me ushqyerjen në vendin tonë duket të jetë mbiushqyerja. Kjo e fundit është faktor i rëndësishëm risku për një sërë sëmundjesh kronike. Proporcioni i shqiptarëve femra dhe meshkuj që e kanë indeksin e masës trupore (IMT = peshë në kg pjesëtuar me gjatësi në m në katror) mbi 25 është përkatësisht 39% dhe 53%, shifra këto që janë shqetësuese dhe na detyrojnë të mendojmë urgjentisht për ndërhyrje ndërgjegjësuese, para se kjo situatë të bëhet edhe më serioze, lidhur me sëmundjet e se nesërmes. Duket se shumica dërrmuese e shqiptarëve ka mundësi të sigurojë më me lehtësi se dekada më parë ushqime pavarësisht nga cilësia e tyre. Faktor nuk është vetëm aksesi tek ushqimi! Tek femrat vërejmë prirje që na dëshmojnë se mbipesha (IMT mbi 25) dhe obeziteti (IMT mbi 30) janë më të shpeshta jo tek ato kategori që thjesht për arsye ekonomike do të mund të siguronin më shumë ushqime.
Janë gratë me arsimim më të ulët, ato në pozicion social ekonomik më të ulët dhe gratë jashtë qytetit të Tiranës që kanë më shumë probleme me mbipeshën dhe obezitetin. Informacioni dhe stili i jetesës mesa duket kanë filluar të kenë më tepër peshë, mbi peshën tonë trupore! Profile të ngjashme vërehen edhe në mjaft vende të Evropës dhe Shteteve te Bashkuara”.

Në studimin tuaj ka evidenca të shumta për fëmijët dhe femrën. Si janë fëmijët e moshave të vogla, krahasuar me ata të viteve të mëparshme? Po femra shqiptare, çfarë ka më problematike në lidhje me profilaksinë e shëndetit të saj?
“Kjo pyetje kërkon një përgjigje mjaft të gjerë, pjesë të së cilës u mbuluan më sipër.
Foshnjat e lindura në vendin tonë kanë gjithmonë e më pak rrezik për të vdekur në vitin e parë të jetës apo në 5 vitet e parë të jetës. Nga shifra prej 26 vdekje/1000 lindje në vitin e parë të jetës, që jepej për periudhën 1992-2002, kemi rënë në 18/1000 në periudhën 2005-2009. Një rënie e ngjashme vërehet edhe për vdekshmërinë nën 5 vjeç; nga 32 në 22 /1000.
Pra, duket se nuk ka asnjë dyshim se megjithëse shifrat e vdekshmërisë foshnjore të zbuluara nga studimet në popullatë janë më të larta se ato të raportuara përmes sistemeve rutinë të informacionit (12/1000 në vitin 2008), prirja është një rënie prej 20 vjetësh dhe me shumë gjasë në terma afatmesëm edhe Shqipëria do ta ketë tregues në rangun e shumicës së vendeve evropiane. Shqetësues ngelet fakti se ka pabarazi substanciale lidhur me këtë tregues kur krahasojmë fshatin me qytetin; në fshat vdekshmëria foshnjore është dy herë më e lartë se në qytet.
Kur studiojmë sëmundjet më të shpeshta të fëmijërisë vërejmë gjithashtu se kemi më pak episode gastroenteristesh (diarre) acute apo infeksionesh respiratore akute tek fëmijët 0-5 vjeç sesa kemi vërejtur në studime të pjesshme në fillim të dekadës. Kujtojmë se këto dy kategori përbëjnë ndër problemet më të shpeshta të fëmijërisë dhe ngelen kërcënuese deri edhe për jetën e fëmijëve.
Anemia duket se është një problem shëndetësor relativisht i shpeshtë si tek fëmijët ashtu edhe tek gratë (17 dhe 19% përkatësisht) dhe sërish vërejmë se te fëmijët e fshatit problemi i anemisë është dukshëm më i shpeshtë, ndërkohë që arsimi më i mirë dhe pozicioni më i lartë socioekonomik i nënës ndikojnë në pakësimin e riskut.
Fëmijët shqiptarë vazhdojnë të paraqesin parametra ndër më të lartët në Evropë përsa i përket vaksinimit, ndërsa gratë duket se i përdorin më shumë se burrat shërbimet shëndetësore. Kjo është e kuptueshme për faktin se pothuaj nuk ka grua në Shqipëri që të ketë lindur pa ndihmë profesionale mjekësore dhe ngelet vetëm një proporcion i vogël i grave që nuk kanë kryer asnjë vizitë gjatë shtatëzanisë.
Por nëse këto arritje tradicionale të shëndetësisë shqiptare thjesht janë konfirmuar, ngelet ende mjaft e ulet njohuria dhe përdorimi i shërbimeve të specializuara lidhur me probleme të tilla si kanceret e sistemit riprodhues. Megjithëse vërejmë një përmirësim të njohurive të grave mbi mundësitë e kapjes se hershme të kancerit të gjirit apo atij të qafës së mitrës, ndërsa ende ngelet për të bërë shumë si në drejtim të përmirësimit të shërbimeve të ofruara ashtu edhe në drejtim të rritjes së ndërgjegjësimit të grave.
11% e grave raportojnë të kenë pasur shenja të një sëmundje seksualisht te transmetueshme gjatë 12 muajve para studimit, çka dëshmon se bashkë me izolimin e para viteve 90 ka kaluar edhe epoka e riskut zero për tu prekur nga sifilizi apo AIDS.
Megjithatë shumë më të shpeshta dhe më kërcënuese për shëndetin e grave shqiptare sot duket se janë probleme të tilla moderne si hipertensioni p.sh. kur 1 në pesë gra të moshës 15-49 vjeç paraqesin shenja të një tensioni të lartë të gjakut dhe kur rreth 80% prej tyre e mësuan për ekzistencën e tij vetëm gjatë matjeve të kryera nga DHS!
DHS ofron mundësi për të njohur perceptimet shqiptare lidhur me dhunën ndaj gruas apo edhe fëmijës; tolerimi i dhunës ndaj gruas është një fenomen mjaft i përhapur midis shqiptarëve: si meshkujve (37%) ashtu edhe vetë femrave (30%). Pothuaj një në tre persona të përfshirë në studim identifikon të paktën një arsye, si të mjaftueshme për të rrahur apo goditur gruan. Ndëshkimi fizik për disiplinimin e fëmijëve është gjithashtu mjaft i përhapur; 14% e të intervistuarëve raportojnë të kenë përdorur ndëshkime të rënda fizike, ndërkohë që më shumë se gjysma (58% kanë përdorur ndëshkime të lehta fizike)”.


2014
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI