Llogaria ime
Veriu Portal
Lifestyle

Përse "bie borë" mbi flokët tanë?
Publikuar me 27 Shk 2009

Përse "bie borë" mbi flokët tanë?


Peroksidi i hidrogjenit i prodhuar nga trupi ynë, "fajtori" kryesor

 

Për thinjat janë thënë, menduar dhe shkruar shumë gjëra. Janë hedhur hipoteza se shfaqja e tyre është pasojë e stresit, përdorimit të dietave të ndryshme, pagjumësisë, frikës, përdorimit të drogave, ndotjes së ambientit, apo janë gjenetike. Ka të tjerë që theksojnë se nëse këput një, të mbijnë dhjetë të tjera. Për t‘u dhënë fund të gjitha këtyre hipotezave, një grup studiuesish evropianë kanë bërë një studim të detajuar mbi armikun numër një të flokëve të njeriut: thinjat. 

Sipas studimit, është peroksidi i hidrogjenit që prodhohet nga trupi ynë dhe përbërësi kryesor i ujit të oksigjenuar, ai që na i bën flokët e bardhë. Sipas studiuesve, ekziston mundësia për t‘i analizuar thinjat si në nivelin biokimik, ashtu edhe në atë molekular. "Ky zbulim hap dritare të reja mbi parandalimin dhe mundësitë e anasjella të procesit të plakjes", shpjegon një studiues. 

Lëkura e kokës është favorizuesi kryesor për daljen e thinjave. Grumbullimi masiv i radikaleve të lira ndodh si pasojë e ushqimeve që konsumojmë dhe procesit të përditshëm të larjes e të tharjes së folikulave, faktorë që mund të bllokojnë prodhimin e melaninës, pigmentit tonë natyror. Thinja nuk ka melaninë dhe kjo është gjithçka që mund të thuhet për të. Sasia e pamjaftueshme e melaninës gjithashtu kontribuon në mungesën e lagështisë së flokut. Prandaj, nëse floku juaj është më i zbardhur, përmbajtja e tij bëhet më e thatë dhe më e ashpër. Një tjetër shkak është mungesa e antioksidantëve, që gjendet me pakicë te pacientët e prekur nga vitiligo (ato që kanë njolla të bardha në lëkurë), një sëmundje që shkakton shpigmentimin e lëkurës. 

Sipas studiuesve, kombinimi i këtyre dy faktorëve, ose më saktë rritja e radikaleve të lira dhe pakësimi i enzimës së katalasë (catalase) mund të çojë në zbardhjen e flokëve. "Nga ana natyrore, metabolizmi ynë prodhon radikale të lira, siç është edhe peroksidi. Ata që rrisin sasinë mund të jenë faktorë të tjerë, duke filluar nga stresi e deri tek ushqimi. Mungesa e enzimave antioksiduese mund të jetë edhe e trashëguar. Nuk e ndërrojnë vetëm biondët ngjyrën e flokëve. Të gjitha qelizat që përbëjnë flokët tanë prodhojnë një sasi të vogël peroksidi hidrogjeni, që rritet kur plakemi. Jemi ne ata që e çngjyrosim pigmentin e flokëve tanë së brendshmi dhe kështu pak nga pak ato bëhen gri e më pas të bardhë. Studimi paraqet hapin e parë të rëndësishëm për të arritur te rrënjët e problemit", vijon më tej studiuesi. 

12 studiues që vijnë nga universitetet gjermane dhe britanike kanë përzgjedhur e studiuar folikulat e flokëve të meshkujve dhe femrave, të cilët u janë nënshtruar trajtimeve të ndryshme kimike. Efektet janë parë me mikroskop. Nga analizat është konfirmuar se antioksiduesi L-metionina, një aminoacid bazë, mund të jetë kura e duhur kundër zbardhjes së vazhdueshme, por shkencëtarë janë skeptikë ndaj efektshmërisë së këtyre zgjidhjeve. Substanca L-metionina kombinohet me vitamina për kurimin e dobësisë së flokëve dhe mund të merret duke konsumuar kornflekse dhe sojë (ushqim tipik i vendeve lindore, ku njerëzit kanë flokë me ngjyrë më të errët). Si për inat, një gazetare amerikane ka publikuar kohët e fundit një libër i cili flet për bukurinë e thinjave, por perëndimorët nuk binden lehtë dhe në vend të moralit preferojnë një ngjyrosje artificiale. Pothuajse dy të tretat e femrave amerikane kanë thinja. 

Por nuk do të thotë se lyerja është zgjidhja e vetme. Duket se kohët e fundit është zbuluar një molekulë K(D)PT, e cila është e aftë të pengojë daljen e thinjave përmes stimulimit të pigmentimit në folikulën e qimes. Universitetet e Mançesterit dhe Lubekës kanë krijuar në laborator një molekulë të ngjashme me hormonin që prodhon melaninën, duke e pigmentuar te meshkujt dhe femrat nga 45 deri në 65 vjeç. Rezultati ka qenë pozitiv dhe pigmentimi i këtyre njerëzve ka pasur sukses. Të gjithë ata që vendosin të trajtohen, mund të marrin shembull nga 62-vjeçarja Helen Mirren, që me interpretimin e mrekullueshëm te filmi "The Queen", fitoi shumë çmime. Mirren nuk e ka çuar kurrë ndërmend ta "rishikojë" pamjen e saj prej argjendi. 


2371
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI