Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Studentët e vetëvarur, familjarët e djalit refuzuan fejesën
Publikuar me 14 Maj 2012

Studentët e vetëvarur, familjarët e djalit refuzuan fejesën

Pse u vetëflijua brenda 72-orësh çifti i të dashuruarve ?!
Abdullai u grind me Manushaqen: S’kam ç’të bëj, veç të vras veten. Familja s’do që ne të fejohemi.

Nuk mundën që të zyrtarizojnë dashurinë dyvjeçare, ndaj i dhanë fund jetës. Abdulla Çenga, 22 vjeç dhe Manushaqe Margjeka, 28 vjeç, u vetëflijuan njëri pas tjetrit në një distancë kohore prej 72 orësh.
Historia fatale e ditëve moderne që të kujton tragjedinë e lashtë të Shekspirit “Romeo dhe Zhulieta”, ndodhi gjatë kësaj jave në Durrës. Abdulla Çenga u vetëvar me anë të bluzës mbrëmjen e së enjtes, në ballkonin e shtëpisë së tij në plazhin “Teuta”.
Ndërsa Manushaqe Margjeka i dha fund jetës mëngjesin e së shtunës, duke u varur me rripin e pantallonave në pishat e zonës së Kodër-Vilës. Që të dy studentë të degës “Administrim Biznes” pranë universitetit “Aleksandër Moisiu”, djali ishte nga fshati Pilafe i Dibrës, ndërsa vajza ishte me origjinë nga fshati Bujan i Tropojës, por familja e saj ishte transferuar prej 15 vitesh në fshatin Kullë, që ndan Manzën me Sukthin. Megjithatë, që të dy jetonin me qira në Durrës, për shkak të studimeve që ndiqnin prej 3 vitesh.

Në familjen e Manushaqes
Për të shkuar në zonën ku jeton familja e Manushaqes, është paksa e vështirë. Jo shumë nga fakti i amortizimit të rrugës, sesa nga mungesa e një emri të mirëfilltë të fshatit. Shtëpia e Margjekajve ndodhet e veçuar mbi një kodër dhe rrethohet së largu prej 3 fshatrave, por e përfshin Kulla. Ndryshe, banorët e zonës orientohen nëpërmjet një devijimi rruge të fortë, që quhet “Kthesa e ariut”.
Që aty, pas një kilometri rruge më këmbë, arrin në familjen Margjeka. Dje, banesa e tyre e papërfunduar akoma, ishte e mbushur plot me njerëz. Burra që shpërndanin cigare dhe gra që vajtonin me të zeza. Ishte momenti që po i jepnin lamtumirën e fundit vajzës së shtëpisë, Manushaqes.
Pas varrimit, situata nuk është se ndryshon shumë.
Familja e saj është hermetike për të treguar rreth fatkeqësisë, me argumentimin “ende nuk e kemi sqaruar as ne. Si familje nuk jemi në dijeni realisht se çfarë ka ndodhur dhe nuk jemi ulur të diskutojmë dhe të përballim faktet. Janë shumë gjëra për t’u sqaruar, për të cilat ne si familje do të marrim informacionet, pasi të kalojnë tri ditët e para të mortit”. Babai dhe tre vëllezërit e Manushaqes mohojnë që e ndjera t’i ketë paralajmëruar për vetëflijimin, ndërsa sa u përket motrave, nuk i lejojnë që të flasin “në ditët e zisë”. Megjithatë, njëra prej motrave ka dhënë tashmë dëshminë e saj paraprake në Policinë e Durrësit, ashtu si edhe disa shokë e shoqe të çiftit të dashuruar.

Dëshmitë e para
“Abdullai e ka dashur vërtet dhe ka qenë serioz në marrëdhënien e tij me Manushaqen. Ai ka dashur që të fejohet me të, por familja e tij në Dibër e ka refuzuar kategorikisht. Nuk pranonin për shkak se Manushaqja ishte 6 vjet më e madhe sesa Abdullai. Pas kërkesës së tij për fejesë, familja e vuri para kushtit të prerë Abdullain: Zgjidh e merr, o atë, o ne!”. Kjo është një nga dëshmitë e shokëve të Abdullait, të cilën e ka konfirmuar edhe motra më e vogël e Manushaqes, me të cilën jetonte në një shtëpi me qira, në Lagjen Nr.1 në Durrës. Sipas saj, çifti kishte festuar dy ditë para se Abdullai të varte veten, pasi Manushaqja kishte ditëlindjen.
Madje, ai i kishte dhuruar asaj edhe një unazë premtimi për të qenë bashkë gjithë jetën, por njëkohësisht i kishte treguar edhe rreth debatit me familjen.
“Nuk kam ç’të bëj për momentin, veçse të vras veten. Ata (familja) nuk duan në asnjë mënyrë që ne të fejohemi, por unë jam yti përjetë”, mësohet t’i ketë thënë ndër të tjera Abdullai Manushaqes, sipas dëshmisë të së motrës.
Biseda e tyre kishte zgjatur për rreth 3 orë në një lokal të Durrësit, por mëria mes dy të rinjve kishte vijuar edhe për 48 orë të tjera. Derisa, mbrëmjen e së enjtes, Abdullai i kishte telefonuar Manushaqes, duke e paralajmëruar sërish se do të vriste veten pas pak çastesh.

Me kaq ai i kishte mbyllur telefonin, ndërsa thirrjeve mbrapsht të Manushaqes nuk i ishte përgjigjur më. Përmes panikut, Manushaqja ishte nisur menjëherë drejt shtëpisë së Abdullait, ndërsa kishte telefonuar shokun e tij të dhomës, si dhe të zotin e shtëpisë ku ai jetonte me qira. Ky i fundit i ishte përgjigjur se e kishte parë para 15 minutash që të ngjitej sipër në dhomë dhe kishte shkuar menjëherë për ta kontrolluar. Tepër vonë… Abdulla Çenga ishte vetëflijuar në ballkon, duke u varur në bluzën me të cilën kishte bërë xhiron e fundit të dashurisë me Manushaqen.

Motra ne polici
Pasi ka parë mesazhin e Manushaqes që e paralajmëronte se do të vetëvarej, motra e saj më e vogël në moshë ka vrapuar menjëherë drejt universitetit “Aleksandër Moisiu”. Sipas dëshmisë së saj, ajo ka menduar se mos e gjente Manushaqen në ato ambiente, pasi kishte dhe provimin e fundit për të dhënë. Pasi nuk ka mundur të lidhet me Manushaqen as me anë të telefonit, atëherë e motra i është drejtuar policisë për ndihmë. Në orën 08:30, forcat e rendit e gjetën vajzën 28-vjeçare të vetëvarur.

Diplomimi
Manushaqe Margjeka kishte për të dhënë edhe një provim të fundit, përpara se të merrte diplomën. Paralelisht punonte si shitëse në një supermarket të Durrësit, pasi banonte aty. Pak ditë para vetëvrasjes, Abdullai, duke pasur admirimin e pedagogëve dhe stafit drejtues të universitetit pasi njihej si një student i mirë, i ka kërkuar një pedagogeje që ta ndihmonte ditën e provimit Manushaqen. Vetë pedagogia pohoi se e ka marrë në konsideratë kërkesën e studentit.

Mesazhi i fundit
Nëse vetëflijimi i Abdulla Çengës ishte i vështirë për t’u kuptuar, Manushaqe Margjeka e dha arsyen e saj. Ajo kishte lënë një shënim për motrën e saj më të vogël, ku shkruhej: “Më fal që po e bëj këtë veprim, por nuk mund të jetoj dot pa Abin tim. Ti zemra ime vazhdo jetën tënde, ne do të kujdesemi nga parajsa për ty, do të të mbrojmë dhe do të jemi engjëjt e tu mbrojtës. Po iki nga kjo jetë, duke ia dedikuar këtë akt të dashurit tim, Abit…”


1490
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI