Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Skënderbeu dhe qytetet e bregdetit shqiptar nën Venedikun
Publikuar me 03 Qer 2010

Skënderbeu dhe qytetet e bregdetit shqiptar nën Venedikun

ytetet e bregdetit në shek XIV-XV, Durrësi, Lezha, Shkodra, Ulqini, Tivari, Vlora, kanë qenë faktorë të rëndësishëm në shkëmbimin e mallrave në ekonominë feudale të kohës dhe kanë luajtur rol në zhvillimin politik-shoqëror të vendit. Në gjysmën II të shek XIV kishin lindur edhe disa tregje të rëndësishëm lokalë në grykat e lumenjve si tregu i Shufadasë në grykën e Matit, Shirqi, Ishmi, Pirgu, Semani në Jug ku, ishin vendosur prej një kohe tregtarë vendas e të huaj, sidomos venecianë dhe raguzanë. Në qytetet dhe tregjet e vendit vinin karvanë të vazhdueshme me mallra nga krahinat e viset e ndryshme të vendit e të Ballkanit, të cilat ngarkoheshin në Durrës, Vlorë, Shkodër, Ulqin, Tivar me kripë të prodhuar në vend. Në gjysmën e II të shek XIV, qytetet dhe tregjet i kishin shtënë në dorë zotërinjtë vendas, por me fillimin e sulmeve osmane, ata ia dorëzuan këto Republikës së Venedikut me marrëveshje përkatëse; kështu Topiajt lëshuan Durrësin (1392), zotërinjtë Dukagjinë Lezhën (1393) dhe Balshajt -Shkodrën, Drishtin (1396). Me Venedikun në Shqipëri zotërinjtë vendas bënin llogari, se mund të mbronin zotërimet e tyre nga turqit osmanë. Llogaritë sigurisht nuk ishin pa vend. Sinjoria ishte një shtet i fortë i kohës; dispononte një flotë të fuqishme detare, që kontrollonte detin dhe zhvillonte prej disa shekujsh një veprimtari të gjerë tregtare midis Perëndimit dhe Lindjes. Tregtarët venecianë ishin të pranishëm në Shqipëri që nga shek.XI. Sinjoria u përpoq të kishte marrëdhënie të mira me zotërinjtë shqiptarë. Ajo u dha atyre që në fillim mjaft favore, dhurata dhe privilegje, që të mbanin rregullin dhe qetësinë në zotërimet e tyre, të lejonin karvanët të vinin në tregjet dhe qytetet e bregdetit. Mirëpo ky fillim nuk qe i lehtë për të. Në 20 vjetët e parë të shekullit XV, Republika kaloi një periudhë thuajse të plotë lufte me Balshën III. Pas thyerjes së osmanëve nga mongolët në betejën e Ankarasë më 1402, pas rënies pra, të rrezikut osman. Balsha III kërkoi të rimerrte me ngulm zotërimin e Shkodrës dhe të Drishtit, që paraardhësi i vet, Gjergji II Strazimir Balshës i kishte dorëzuar Sinjoria më 1396-ën.
Mosmarrëveshjet
Mosmarrëveshje Sinjoria pati edhe me zotërinj të tjerë të kohës, përfshirë këtu edhe Gjon Kastritotin, të atin e Skënderbeut. Këto grindje e mosmarrëveshje kishin lindur si pasojë e politikës ekonomike në favor të interesave të veta që ndiqte Sinjoria në Shqipëri. Më 1433, Gjon Kastrioti i kërkonte Sinjorisë të mos paguante taksat doganore për pëlhurat, që kishte blere në Raguzë, të ktheheshin të arratisurit që kishin zënë vend në zotërimet e Venedikut në Shqipëri, të lejoheshin tregtarët e Raguzës të kalonin në zotërimin e tij, të mos lejoheshin zyrtarët venedikas të Lezhës të sajonin detyrime të reja doganore. Këtë situatë pak a shumë gjeti Skënderbeu kur u kthye në nëntor të vitit 1443 në Shqipëri. Skënderbeu u përpoq të kishte marrëdhënie të mira më Republikën e Venedikut. Ai kërkoi në fillim të qeverisjes së tij të kishte me Sinjorinë marrëveshjet që kishte pasur i Ati. Më 12 shkurt 1445, Skënderbeu bashkë me të vëllanë, Stanishin, kërkonte nga Sinjoria konfirmimin e kapitujve dhe koncesioneve, që i kishte njohur Kastriotëve më 1438-ën. Skënderbeu kërkonte të konsideroheshin qytetarë nderi nga Venediku, t'u lejohej të futeshin në zotërimet e Venedikut në Shqipëri bashkë me dhjetë vetë nga fisnikët e tyre. Koha në të cilën vepronte Skënderbeu ishte e rëndë, për shkak të sulmeve dhe fushatave osmane. Prandaj Skënderbeu u përpoq të kishte kontakt të drejtpërdrejtë me qeveritarët venedikas në Shkodër, Lezhë, Durrës, t'u dërgonte këtyre njoftime me letra mbi rrezikun osman. Këto informacione qeveritarët ia dërgonin Sinjorisë, duke kërkuar masa për përforcimin e zotërimeve, fortifikimin e kështjellave, sjelljen në Shqipëri të trupave të posaçme ushtarake për mbrojtje etj.
Megjithatë, këto marrëdhënie nuk vazhduan gjatë; më 1448 midis Skënderbeut dhe Republikës shpërtheu një luftë e ashpër për zotërimin e Danjës; kjo ndodhi pas vdekjes së zotit të Danjës, Lekë Zaharisë; kur e shoqja ia kaloi qytetin Venedikut; Skënderbeu pretendoi, se zotërimi i qytetit i takonte Lidhjes së Lezhës.
Miratimi i vrasjes
Viti 1448 është plot dokumente dhe fakte, që bëjnë të ditur përplasjen midis palëve. Më 4 maj 1448, Sinjoria mori shumë vendime që vlejnë të përmenden, ajo miratoi në fshehtësi çështjen e vrasjes së Skënderbeut një ofertë, që kishte shtruar para Sinjorisë një "besnik" i saj; për këtë "shërbim" vrasësi kërkonte si shpërblim një pension 100 dukatë në vit. Sinjoria u përpoq të binte në mirëkuptim edhe me komandantë ushtarakë osmanë, që ta ndihmonin në luftë kundër Skënderbeut; Sinjoria dërgoi një noter tek sulltani për këtë çështje. Më 27 qershor 1448 dogja i Venedikut F. Foskari dërgoi në Shkodër edhe Andre Venerion po më këtë urdhër. Synimi i Sinjorisë ishte që "të shporret Skënderbeu nga Shqipëria, dhe mundësisht nga bota". Në rast se Venerio do të merrte vesh se turku nuk kishte ndër mend të vinte në Shqipëri, atëherë ai duhej të ndryshonte menjëherë qëndrim ndaj Skënderbeut, duhej të bisedonte dhe të shitej si mik i tij, të pranonte t'i jepte deri më 1500 dukatë në vit siç kërkonte ai etj. Në rast se Skënderbeu nuk do të pranonte, Venerio duhej të nxiste kundër tij Pal dhe Nikollë Dukagjinin duke i premtuar të holla. Sinjoria e urdhëronte kont kapedanin e Shkodrës të paraqitej edhe para despotit serb, që kishte ardhur në Kotor, dhe t'i premtoheshin atij 1000 dukatë për zotërimin e Shkodrës (që pretendonte ai) por në këtë rast, nëse bindte dakort, duhej të shkatërronte Skënderbeun dhe jo ta kishte atë një fqinj të vetin. Lufta me Venedikun u bë e ashpër. Burimet dëshmojnë se kjo luftë nxiti fshatarët në Tivar të ngriheshin kundër Venedikut. Lufta vazhdoi gjatë por u mbyll më së fundi me marrëveshje midis palëve: Danja mbeti në duart e Sinjorisë, por Skënderbeu mori si shpërblim 1400 dukatë në vit prej saj. Në këtë luftë të dy palët patën rast të njihnin mirë forcën, peshën dhe qëndresën e njëri- tjetrit. Pas luftës, marrëdhëniet midis palëve mbetën thuajse të ftohta. Më 1450, Skënderbeu ishte përfshirë në mbrojtjen e Krujës; më 13 shtator Sinjoria mori një letër prej tij në të cilën ai e vinte në dijeni, se turku gjendej në një fshat afër Krujës dhe se ai po mbrohej trimërisht. Turku - shkruante Skënderbeu - do të ishte larguar prej kohësh, në rast se nuk do të furnizohej me miell dhe bukë të freskët nga kontkapedani i Shkodrës. Nga kjo letër Sinjoria pati frikë se Skënderbeut, mbasi të çlirohej nga turqit, "mund të zaptonte tokën e Republikës".
Pas rrethimit të parë të Krujës, Skënderbeu kaloi në lidhje të drejtpërdrejtë me Alfonsin V të Napolit. Hapat e para ndaj Napolit Skënderbeu i kishte bërë që më 1447. Në marrëveshjen e Gaetës, nënshkruar më 26 mars 1451 me Alfonsin V të Napolit, ambasadorët e Skënderbeut premtonin midis të tjerave, se do të blinin kripë nga kriporet e Napolit. Marrëveshje të ngjashme me Mbretin bëri edhe Gjergj Araniti. Ambasadori Filip Pantella i cili (u bë më vonë edhe kunati i tij), merrte përsipër në marrëveshje, se zoti Aranit do të detyronte nënshtetasit dhe vasalët e vet, që të mos merrnin kripë në asnjë vend tjetër, por vetëm tek "madhëria e tij mbreti". Premtimet për tërheqjen e kripës, që do ta sillnin në Durrës anijet spanjolle nuk mund të zbatoheshin lehtë. Kripa tregtohej nën kontrollin e plotë të Sinjorisë në Durrës, Lezhës, Shkodrës Ulqinit; flota e detare e Venedikut, që kontrollonte Adriatikun filloi të godiste anijet e mbretit të Napolit që tentonin të sillnin kripë në Shqipëri. Dëshmi për këtë, jep ambasadori Albrik Mallota, më 16 shtator 1455: "Dje në mëngjes, - shkruan ai - duke ecur me Madhërinë e tij Mbretin, ky çoi e thirri kancelarin e Sinjorisë dhe duke iu ankuar i tha shumë fjalë të këqija". "Kjo ndodhi, - shkruan Mallota, - sepse Sinjoria kishte kapur tre ose katër barka të mbushura me kripë, të cilat (mbreti - LM) ia dërgonte Skënderbeut dhe qyteteve të Shqipërisë. Sinjoria kishte kapur këtë kripë duke e konsideruar këtë mall "kontrabandë". Sinjoria kishte keqtrajtuar edhe personelin madje kishin këshilluar qytete të Madhërisë së tij Mbretit, që të largoheshin nga sundimi i tij e t'i dorëzoheshin turkut, sepse ata do t'i mbronin". Siç shihet Sinjoria kishte vendosur marrëdhëniet e saj me osmanët. Ajo kishte provuar se nuk donte luftë kundër osmanëve, por të zhvillonte tregti me zotërimet e tyre në Ballkan, duke u hequr shpërblimet dhe detyrimet doganore. Marrëdhëniet e Sinjorisë me osmanët u bënë një pike që përplaste Skënderbeun me venedikasit. Skënderbeu bënte të ditur Sinjorisë se: "Në bazë të paqes, që kemi firmosur, kemi rënë dakort që në rast nevoje unë me gjithë familjen e njerëzit e mi të kem mundësi të shkoj në çdo vend që të kem dëshirë. Tani kam marrë vesh se punët qenkan ndryshe. Tani po thoni, se nuk do të më lini të shkoj ku kam dëshirë. Por në qoftë se nuk duan të më konfirmojnë çfarë më kanë thënë njëherë, duhet të më lejojnë që ta di si të marr masa, e pastaj zoti e bëftë mirë". Kërcënimi i Skënderbeut ndaj Sinjorisë këtu është i qartë.
Ankesat
Marrëdhëniet e Skënderbeut me Sinjorinë mbetën mjaft problematike. Sinjoria kërkonte prej Skënderbeut t'i nënshtrohej detyrimeve doganore që ushtronte në zotërimet e veta. Ne kemi rast të dëgjojmë Skënderbeun të ankohet në Venedik për proveditorin e Lezhës lidhur me disa stofra të tij mbajtura si mall kontrabandë: "Proveditori ynë i Lezhës, shkruante ai, "më ndaloi disa stofra raguzane si kontrabandë dhe do të m'i kthejë kur të vendosë Sinjoria juaj. Lus Sinjorinë tuaj që të këtë mirësinë të urdhërojë të më dorëzohen stofrat". Ankesa të tilla kundër qeveritarëve venedikas Skënderbeu pati shumë: Më 1457, ai ankohej për hiletë që i bënin qeveritarët në kursin e kthimit të dukatëve që merrte nga Venediku. Një kërkesë interesante e Skënderbeut është kërkesa për të mos paguar detyrime doganore, sikundër nuk paguante edhe i ati në kohë të tij. Ai ngulte këmbë sidomos për pengesat që i shkaktonin qeveritarët venedikas në dhënien e provizionit që duhej të merrte nga Sinjoria nga Marrëveshja e Paqes së vitit 1448. Skënderbeu përpiqej t'ia bënte të qartë Sinjorisë, se zyrtarët e saj duhej t'i paguanin në kohën dhe në sasinë e duhur këtë provizion. Burimet provojnë, se me gjithë zemërimin e shkaktuar nga qeveritarët venedikas, Skënderbeu nuk e gjykoi asnjë herë me vend të kalonte në luftë me Venedikun. Ai i bënte të qartë Sinjorisë se edhe mund të hynte në luftë nëse ky problem do të lihej mënjanë prej saj. Ai shkruante se nuk e kishte të vështirë të fillonte luftën kundër qeveritarëve të saj, por nuk ishte ky qëllimi i tij; ai i bënte Sinjorisë të qartë se po ta fillonte këtë luftë do të dinte edhe ta bënte mirë. Megjithatë punët midis palëve nuk qëndruan gjithmonë njëlloj. Ngjarje dhe figura të rëndësishme i afronin dhe i largonin ata. Një figurë që afroi palët midis tyre qe Lekë Dukagjini. Skënderbeu dhe Sinjoria morën përsipër luftën kundër tij. Për këtë luftë palët bënë edhe marrëveshje më 18 gusht 1458. Lekë Dukagjini ishte armik i tyre dhe qe në luftë me Skënderbeun prej kohësh. Për këtë luftë bënte fjalë edhe Papa, më 10 shkurt 1459. Ai urdhëronte të shpallej ndëshkim kishtar kundër tij, por edhe Venediku e pati armik Lekën sepse kishte marrë befasisht Danjën dhe vrau kapedanin venedikas të kështjellës, ushtarët dhe njerëzit e Sinjorisë. "Lufta" kundër Lekë Dukagjinit doli me sukses për Venedikun por jo për Skënderbeun. Sinjoria bëri marrëveshje me Lekën; një marrëveshje që vendosi paqen dhe mirëkuptimin midis tyre. Marrëveshja u bë në prani të kapedanit të Shkodrës, proveditorit të Lezhës, podestës i Drishtit. Skënderbeu i falte Lekës "çdo fyerje e çdo dëm" dhe e pranonte atë me vëllezërit e tij si "bij të dashur, e miq shumë të shtrenjtë". Leka duhej t'i dorëzonte kont kapedanit të Shkodrës "kështjellën e Satit me malin dhe rrethe". Me qëllim që Leka të ishte i sigurt nga kjo kështjellë, venedikasit pranonin ta shkatërronin atë "… mjaft që Leka e vëllezërit të hiqnin dorë nga rindërtimi i saj kështjelle dhe të mos kërkonin të banojnë në atë mal pa pëlqimin e Sinjorisë". Sinjoria pranoi t'i dorëzonte Lekë Dukagjinit disa fshatra, e ky do të mbante fushën e Satit d.m.th, Zadrimën me disa katunde, por për këto do t'i jepte Sinjorisë dyllë më peshë 10 libra. Lekë Dukagjini e vëllezërit premtonin të merrnin kripë nga dhomat e vendet e Sinjorisë. Lufta kundër Lekës nuk e bëri Sinjorinë palë me Skënderbeun. Ky i fundit kishte mundur t'i merrte Lekës kështjellën e Satit (për të cilën bënte fjalë më lart Sinjoria) si dhe disa fshatra dhe toka të tjera. Skënderbeu i kishte marrë këto me forcë dhe kërkonte t'i mbante për vete. Por kjo qe e pamundur; ai u përplas për këto prona me Lorean Mauron, kapedanin e Gjirit, i cili i kërkonte Skënderbeut t'ia kthente këto toka Sinjorisë sepse i përkisnin asaj. Ky qe i ashpër në përgjigjen e tij gjë që ndjehet mirë në dokumentin e kohës, që duket se është shkruar siç ka folur Skënderbeu, prandaj edhe ia vlen të përsërisin këtu. "1459. Në vitin e krishtërimit të krishtit 1458 më një të motit qershor, në kështjellën e Lezhës i ndritshmi z.Lorenc Moro, kapedani Gjirit, ambasador i së ndriturës Sinjori të Venedikut, se gjoja unë kam rrëmbyer tokën e Satit nga duart e asaj të ndriturës Sinjori, më ka prurë urdhrin mua, Skënderbeut t'ia kthej tokën e Satit në duart e të ndriturës Sinjori me anën e kontit të Shkodrës. Meqenëse, nuk është e vërtetë se e kam rrëmbyer gjë nga duart e asaj Sinjorie, nuk e pranoj atë akuzë, por them se e kam rrëmbyer nga duart e armikut të Krishtit dhe të armikut tim. Megjithëkëtë, duke dashur të jem i dëgjueshëm kundrejt të ndriturës Sinjori të Venedikut, i kam dorëzuar kështjellën e Satit Kontit të thënë të Shkodrës, duke qenë i pranishëm zoti Lorenc Moro Kapitan i Gjirit. E për ato fshatra, që unë iu kam marrë nga dora e armikut të Krishtit, unë këta do t'i mbaj derisa të urdhërojë ajo e Shkëlqyer Sinjori e V, prandaj të më sqarojë".
Raguza
Lufta kundër osmanëve, siç u tha më lart, e lidhi Skënderbeun me Alfonsin V të Napolit. Skënderbeu u përpoq ta ruante këtë miqësi edhe pas vdekjes së Alfonsit; ai shkoi në ndihmë të birit të tij Ferdinadit me trupa të shumta ushtarake kundër baronëve kryengritës që ishin lidhur me princin e Tarantos. Skënderbeu kaloi me ushtrinë e tij në Raguzë. Ka mundësi që në këtë kalim ai, t'u ketë dhënë raguzanëve të drejtën për të tërhequr grurë nga zotërimi i tij. Tregtinë me grurin Venediku e kishte monopol të vetin që nga viti 1402. Fakti, që raguzanët arritën të bënin për vete Skënderbeun, e detyroi Venedikun t'u kujtonte raguzanëve se këtë grurë nuk mund ta dërgonin dot në Raguzë apo kudo gjetkë. Ajo i bënte të ditur atyre se kishte sjellë flotën e saj detare në Adriatik dhe kishte urdhëruar komandantin e saj që të sekuestronte si mall kontrabandë çdo sasi gruri, që do të lëvizte në det jashtë urdhrave të saj. Marrëdhëniet me kohë sigurisht ndryshuan. Venedikasit u bindën me kohë, se turqit osmanë kërkonin të pushtonin jo vetëm zotërimin e Skënderbeut, por edhe zotërimet e tyre në Shqipëri dhe jashtë saj. Kjo përcaktoi qëndrimin e Sinjorisë ndaj Skënderbeut. Më 1460, Sinjoria u bënte të ditur qeveritarëve të vet në Shqipëri se Skënderbeu është i dobishëm për të: Më 1463 Venediku po shkonte drejt luftës me ta. Ky qëndrim nxitej edhe nga Papa Piu II. Një legat i Papës i dërguar në Venedik për të biseduar me venedikasit njoftonte më 28 gusht se venedikasit dhe sundimtarët e tjerë, kishin kuptuar qartë rrezikun osman, përballë të cilit ndodheshin. Legati njoftonte, se çështja për të cilën ishte dërguar në Venedik kishte marrë fund për sa i përkiste pjesës së parë. "Në rast, se ditë tjera" - shkruante ai - "zotërinjtë venedikas deklaroheshin armiq të hapur të Sulltanit, dje ishte dita e parë që u shpall luftë zyrtare dhe u shpall kryqëzata kundër Turkut". Ky qëndrim u shpall "në sheshin e Shën Markut" me gëzim e hare të të gjithë të pranishmëve. Në këtë kohë ambasadorët e Skënderbeut kishin ardhur në Venedik dhe kishin zhvilluar bisedime lidhur me luftën kundër turqve. Më 23 gusht, midis palëve ishte nënshkruar edhe një marrëveshje për këtë punë. Sinjoria urdhëroi t'i jepeshin Skënderbeut 1500 dukatë nga provizioni i tij i "prapambetur"; ajo urdhëroi t'i jepeshin atij edhe 2000 dukatë të tjerë nga të ardhurat e shtetit, si dhe 600 dukatë të tjerë brenda një muaji siç ishte paraparë në bazë të "marrëveshjes". Këto marrëdhënie shkuan akoma më larg, më 25 shtator 1463, Sinjoria pranoi të bënte qytetar dhe anëtar të këshillit të lartë të Venedikut të birin e Skënderbeut, Gjon Kastriotin dhe pasardhësit e tij në të ardhmen; Gjoni atëherë nuk ishte më shumë se 8 vjeç. Më 17 tetor, dogja i Republikës, Kristorifer Mauro nisi në Shqipëri si proveditor zyrtarin e lartë Gabriel Trevizanon. Sinjoria e urdhëroi atë të kalonte nën urdhrat e tij të gjithë ushtarakët që kishte Venediku në zotërimet shqiptare, dhe të takonte më pas me Skënderbeun. Sinjoria i bënte të ditur Trevizanos: "Për sa i përket luftës kundër turkut, ne i kemi dhënë madhështisë së tij ushtarët tanë italianë që janë në ato anë, veç atyre do të dërgojmë vitin tjetër 500 kalorës dhe po aq këmbësorë, në dobi të asaj ekspedite. Sinjoria i thoshte Trevizanos se "jemi të kënaqur, që i biri (i Skënderbeut-LM) të jetë komandanti ushtrisë, i ushtrisë sonë dhe i ushtrisë së tij dhe Skënderbeu të jetë guvernator... Dëshirojmë që të gjithë ata italianë, të armatosur që janë tani atje, e që po dërgojmë, të jenë nën urdhrat tuaja e derisa të qëndrosh atje, asnjë rektor i ynë nuk duhet të jetë pengesë për ta, por të jesh i vetmi që të kesh mundësi të disponosh për ta..". Kjo marrëveshje hapi rrugën e bashkëpunimit midis tyre deri në vdekjen e Skënderbeut.


3636
  
6

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI

muhahahahaha

Mërkurrë, 03 Maj 2017 21:56

bufi

Martë, 07 Qershor 2016 19:32

sari

Hënë, 01 Dhjetor 2014 06:54

ledi

po me pelqene

Hënë, 16 Qershor 2014 14:57

lol

Enjte, 05 Qershor 2014 15:51

......

Shtunë, 18 Maj 2013 09:46