Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Pse duhet ri-shkruar historia shqiptare
Publikuar me 21 Sht 2007

Pse duhet ri-shkruar historia shqiptare

Flet zonja Liri Belishova

Arta Agolli

-Zonja Belishova, cili është mendimi juaj për propozimin e kryeministrit të vendit për rishkruarjen e historisë?

Rishkrimi i historisë është një domosdoshmëri sepse historia e shkruar gjatë diktaturës komuniste nuk u shkrua mbi baza shkencore, por mbi bazat e marksizëm-leninizmit ose më saktë, mbi bazat më të këqija të enverizmit.

Sidomos historia e periudhës së pamvarësisë, dhe aq më tepër ajo e luftës fashiste dhe komuniste, dhe periudhës së diktaturës komuniste, kërkojnë një analizim të thellë objektiv, në bazë të dokumentave, të fakteve dhe duke bërë vlerësimin e duhur.

Kjo është dhe një detyrë që u ka propozuar Parlamenti i Asamblesë evropiane të gjitha vendeve ish komuniste, detyrë që paqyrohet edhe në rezoluta që aprovoi Parlamenti shqiptar në tetorin e kaluar, në masat që duhen marrë për dekomunistizimin.

Dihet se shkruarja e historisë është një proces i vazhdueshëm sepse dalin fakte, dokumenta të panjohura më parë, por edhe sepse vetë zhvillimi i mendimit kërkon rivlerësim të ngjarjeve historike. Për vendin tonë kjo nuk është një nevojë normale. Kjo është, për më tepër, ajo që thamë më lart, nevoja për të zhveshur historinë që ka qënë shkruar nga manipulimet, ideologjizimet komuniste.

Gjatë diktaturës janë shtrembëruar edhe faktet, janë fshehur dokumentat, janë gjymtuar këto dokumenta. Po ju bie vetëm një shembull që nuk është më i rëndësishmi: Është shkruar dhe propoganduar që Enver Hoxha ka lozur rolin kryesor në zhvillimin dhe përgatitjen e Konferencës së Pezës. Kurse ato dokumenta origjinale që janë ruajtur në Arkivën e Shtetit tregojnë të kundërtën. Vetë Enver Hoxha ka deklaruar në Pleniumin e Komitetit Qendror në nëntor të vitit 1944 (siç dëshmohet nga proces verbali) se atë e lajmëruan të vejë në Pezë në vigjilje të hapjes së Konferencës së Pezës. I gjeti atje të tëra gati, madje edhe referatin për vigjiljen kombëtare në atë konferencë. Rishkruarja e historisë mbi bazë shkencore në bazë të eksperiencës së përparuar, ka rëndësi shumë të madhe për formimin e ndërgjegjes kombëtare, për edukimin e brezave të rinj që nga shkollat fillore e deri tek shkollat e larta, për njohjen e vendit tonë në botë.

Do të jetë një ndihmë edhe për mediat të cilat kanë shumë pasaktësira shumë gjynahe në ato që botojnë për çështjet historike sidomos në Luftën Antifashiste dhe të pas luftës.

Më ka ardhur keq duke dëgjuar se kryeministri duke folur për nevojën e rishkruarjes së historisë duke dëgjuar disa zëra të papërgjegjshëm, po ka bërë një vepër antikombëtare kërkoka të heqë vëmendjen nga mungesat e energjisë elektrike dhe të furnizimit me ujë etj.

Inxhinierët nuk mund të shkruajnë historinë se me të do merren historianët. Për çështje të tilla siç është rishkrimi i historisë duhet një qëndrim më i përgjegjshëm. Për të tilla çështje duhet të mos krijohen artificialisht mosmarrëveshje.


-A eksziston rreziku i politizimit të kësaj ndërmarrjeje të inicuar prej kryeministrit?

Rishkrimi i historisë është një çështje shumë e vështirë natyrisht, por SHQIPËRIA ka potenciale shkencore, ka punonjës shkencorë të aftë, të cilët gjatë këtyre viteve, pas përmbysjes së diktaturës kanë pasur mundësinë të përfitojnë nga eksperienca të vendeve demokratike. Kurse më përpara kanë qënë krejt të izoluar.

Unë mendoj që nuk ka rrezik të përdoret për qëllime politike rishkruarja e hitorisë. Historianët kanë dhe do të kenë liri të plotë për studimet e tyre, natyrisht pikëpamjet do të jenë të ndryshme në vlerësimin e ngjarjeve historike dhe në vlerësimin e personaliteteve hstorike, por do të ishte shumë e dobishme që të organizoheshin sa më shumë konsulta dhe debate politike, sepse e vërteta siç dihet, del nga ballafaqimi i dokumentave, i argumentave, i mendimeve të ndryshme. Natyrisht do ketë botime në paraqitje të ndryshme.

Këto vite, pas përmbysjes së diktaturës komuniste, shihen tendenca të njëanshmërisë: disa vazhdojnë t’u referohen vetëm dokumentave dhe argumentave që mbrojnë komunizmin dhe E.Hoxhën, ose t’i minizojnë përgjegjësitë e tyre, kurse disa botojnë vetëm dokumente dhe argumente që janë në favor të Ballit Kombëtar, përpiqen të ulin rëndësinë e Luftës Antifashiste.

Historiani duhet të bëjë betimin që i kërkohet dëshmitarit në gjyq të thotë të vërtetën, gjithë të vërtetën (sepse e vërteta jo e plotë s’është më e vërtetë) dhe asgjë më shumë se e vërteta ( se shtesat janë shpifje).

Natyrisht, vlerësimet mund të mos lënë subjektivizëm, por pasaktësi drejt faktit, dokumentit. Ka disa çështje që historianët duhet të jenë dakort, se fizikantët nuk diskutojnë, për shembull, nuk diskutojnë është apo jo planeti ynë i rrumbullakët, diktaturat naziste dhe fashiste si edhe ato komuniste ishin fatkeqësitë e shekullit Njëzetë.

Rëndësi ka shumë përgatitja në nivel të lartë shkencor të teksteve të historisë që do të përdoren në shkolla dhe universitete.

Kjo është një punë me shumë përgjegjësi. Për shkruarjen e historisë rëndësi duhet t’u jepen dokumentave, jo vetëm ato që kanë mundur të kenë arkivat shqiptare. Duhen caktuar fonde dhe njerëz të aftë që të dërgohen për të marrë dokumenta në arkivat e shteteve: Gjermani, Itali, SHBA, Rusi etj. Duhen marrëveshje me këto shtete.

Historia dhe përgjithësisht shkencat e quajtura albanalogjike, kërkojnë një vëmendje shumë të madhe nga shteti ynë, për të ndihmuar me fonde dhe përkrahje.

Si vend i vogël ne e kemi të vështirë, që të themi diçka më shumë. Ne jemi dhe duhet të jemi, qendra kryesore ku duhet të gjejnë ndihmë studiuesit dhe shkencëtarët e Kosovës, shqiptarët e maqedonisë, të Malit të Zi e kudo ku jetojnë në botë. E kuptoj që kemi shumë probleme dhe fondet janë të pakta, por për shkencat albanologjike për institucionet e historisë duhet të jenë “xhyrmertë”, sepse mungesat na dëmtojnë sot dhe aq më tepër e kanë faturën të rëndë për të ardhmen.


1440
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI