Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Përdhunueset, gratë e akuzuara për përdhunim në Shqipëri
Publikuar me 20 Qer 2010

Përdhunueset, gratë e akuzuara për përdhunim në Shqipëri

Përdhunimi nuk ka qenë asnjëherë vepër ekskluzive e meshkujve edhe femrat janë gjendur përballë me këtë akuzë


 


10 femra të akuzuara për përdhunim apo bashkëpunim në këtë krim janë hetuar e proceduar vitin e kaluar në Shqipëri, por asnjë nga historitë e tyre nuk është bërë deri më sot publike. E ndërsa meshkujt e akuzuar për të njëjtën vepër janë më të shumtë femrat, historitë e këtyre të fundit mbeten të mistershme, ndërsa dosjet e tyre duket se nuk arrijnë në gjykatë. Raporti i Prokurorisë së Përgjithshme për krimet seksuale në Shqipëri ka zbuluar “të fshehtën” duke theksuar se të paktën dy vajza të mitura dhe 8 gra janë akuzuar për përdhunim, i njëjti raport lë të kuptohet edhe pse nuk veçon edhe një numër femrash të akuzuara e të hetuara për këtë krim edhe në vitin 2008.  Në gazeta kanë mbërritur gjatë kësaj kohe vetëm pak nga këto raste, ku më shumë bëhet fjalë për gra që bashkëpunojnë në përdhunim me meshkuj. Rasti i A.Sulës e cila detyroi duke kërcënuar me sopat të shoqin dhe fqinjën 22-vjeçare të kryenin marrëdhënie seksuale në sy të saj është më i famshmi i publikuar ndonjëherë në media shqiptare, ndërsa të gjitha denoncimet e tjera për të cilat flitet në raportin e prokurorisë kanë mbetur jashtë vëmendjes së medias.


Krimet seksuale në Shqipëri


Vendi ynë nuk është nga ato vende ku krimet seksuale janë në shkallë të lartë. Një raport i Kombeve të Bashkuara e rendit Shqipërinë ndër vendet me më pak krime seksuale për numër banorësh, ndërsa lista kryesohen nga vende si SHBA, Kanada apo shtete të tjera të zhvilluara. Raporti sidoqoftë nuk bën me dije nëse në këto shifra përfshihen të gjitha rastet e denoncuara dhe nuk ka asnjë statistikë për të përcaktuar nëse përdhunimet denoncohen masivisht. Sidoqoftë edhe sipas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme numri i përdhunimeve dhe krimeve seksuale është në ulje nga viti në vit. “Nga të dhënat rezulton se në vitin 2009 ka një ulje prej 5.2 % (për qind) të numrit të procedimeve të regjistruara për Krime Seksuale, në krahasim me vitin 2008. Në lidhje me të pandehurit rezulton nga të dhënat statistikore se ka ulje të numrit të të pandehurve të regjistruar në vitin 2009 prej 9,6% (për qind) në krahasim me vitin 2008”, theksohet në raportin e prokurorisë.


Ajo që thekson prokuroria në raportin e saj është se kriminelët seksualë në Shqipëri në pjesën më të madhe të rasteve vijnë nga radhët e të papunëve. Nga 61 raste më shumë se gjysma janë persona të papunë dhe vetëm 2 janë nëpunës e 5 të punësuar privatisht. Një tjetër fenomen që vihet re në lidhje me krimet seksuale është se pjesa më e madhe kryhen në qytet.  “Rezulton se 37 të pandehur kanë vendbanimin në' qytet, që do të thotë rritje e-këtij treguesi për vitin 2009 prej 12,12% (për qind) në krahasim me vitin 2008, ndërsa 16 prej tyre në komuna, që do të thotë një rritje të të pandehurve me vendbanim ne komunë për këtë grup veprash penale në vitin 2009 prej 23% (për qind) në krahasim me vitin 2008. Pra tendenca është e tillë që ka një prani më të madhe të këtij fenomeni në zonat urbane”, thuhet në raportin e prokurorisë.


Ndërkohë që viktimat më të shumta dhe rastet më të rënda në këto krime janë të miturat. Nga 8 raste dhune seksuale ndaj të miturve 7 janë vajzë dhe në disa raste përdhunimet kanë ndodhur në grup dhe në një rast viktima edhe është plagosur nga dhunuesit e saj. “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18" në vitin 2009 prej 30,43% (për qind) në krahasim me vitin 2008. Koeficienti i kriminalitetit për këtë vepër penale për 100.000 banorë' për vitin 2008 ishte 0,72 ndërsa në vitin 2009 është 0,5. Vihet re tendenca në rënie i këtij koeficienti për këtë vepër penale. Pesha specifike që zë kjo vepër penale në raport me grupin e veprave penale ku bën pjesë ka qenë 30.26% (për qind) në vitin 2008 dhe është bërë 22,22% (për qind) në vitin 2009”, thuhet në raport.


Raporti vë në dukje edhe një fenomen tjetër jo shumë të dukshëm në media. Në të vërtet sipas tij në Shqipëri nuk ka pasur në 2009 asnjë rast të ushtrimit të pushtetit për të kryer marrëdhënie seksuale, por në 2 vjet më parë, dy shefa janë akuzuar nga vartëset e tyre për abuzim me detyrën dhe ngacmime seksuale në vendin e punës.  


Numri i personave të akuzuar për marrëdhënie seksuale brenda familjes dhe atyre homoseksuale me dhunë është mjaft më i vogël se sa rasti i përdhunimeve të tjera, por as këto vepra që dënohen ashpër nga shoqëria nuk janë shmangur. Sipas raportit të prokurorisë shqiptare për përdhunimet janë të paktën 2 raste dhune seksuale ndaj meshkujve njëri prej të cilëve i mitur. Ndërkohë raste të krimeve seksuale në familje në vitin 2009 ka vetëm 1 rast. Raporti thekson rënie të këtyre veprave penale, por numri i krimeve ndaj personave të paaftë është rritur në katër nga 1 që kishte në vitin 2008. Sipas raportit të prokurorisë personat e pazot për tu mbrojtur janë sulmuar disa herë më shumë gjatë vitit 2009.  Sidoqoftë numri i krimeve seksuale në Shqipëri është në rënie të vazhdueshme. Sipas raportit: “Në vitin 2006 vihet re ulje prej 12% (për qind) të procedimeve të regjistruara në krahasim me vitin 2005; në vitin 2007 ka tendencë në rritje prej 45.45%> (për qind) në krahasim me vitin 2006; në vitin 2008 vihet re një tendencë në ulje prej 28% (për qind) në krahasim me vitin 2007 të procedimeve të regjistruara për këtë vepër penale; në vitin 2009 ka përsëri një ulje të veprave penale për këtë krim”.


Përdhunueset një rast misterioz


Numri i femrave që janë akuzuar për përdhunim në vitin 2009 është 10, prej të cilave janë dy të mitura. Por megjithë këtë numër jo të vogël asnjë prej historive të këtyre përdhunimeve nuk është publikuar. Në fakt një qëndrim i tillë ndaj dhunës seksuale për të cilën akuzohen femrat është mjaft i përhapur në të gjithë botën. Sipas studiuesve shumë herë meshkujt e përdhunuar nuk merren seriozisht, madje paragjykohen nga trupat gjykues. Një tjetër fenomen në rastet e përdhunueseve femra është fakti se këto veprojnë kryesisht ndaj të miturve, përgjithësisht njerëzve që ndodhen nën varësinë e tyre. Në SHBA dhe Britaninë e Madhe numri i madh i rasteve të dhunueseve femra janë mësuese që ngacmojnë seksualisht nxënësit e tyre. Po ashtu në mjaft raste flitet edhe për dhunë seksuale në familje, ku nëna kryen krim ndaj fëmijëve të saj. Rasti i krimeve seksuale të femrave ndaj femrave është gjithashtu i përhapur, por po kaq diskret sa edhe krimi seksual i femrave ndaj meshkujve. Gratë që sulmojnë seksualisht gratë janë në numër jo të vogël në botë, por në mjaft raste edhe këto raste fshihen apo mbahen sekret. Ndërkohë sa i përket Shqipërisë edhe pse jo drejtpërdrejt një krim seksual, njihen disa raste tutoresh femra të cilat abuzojnë me gra apo vajza të mitura. Policia shqiptare në mjaft raste ka raportuar arrestimin e grave më të mëdha në moshë që shtyjnë në pr4ostitucion vajza të mitura dhe i shfrytëzojnë ato. Sidoqoftë rasti më i famshëm i një përdhunimi nga ana e një femre në Shqipëri është ai i A.Sulës 40 vjeçe. Një vajzë 22-vjeçare, e ka kallëzuar  atë se e kishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale më të shoqin, muaj pasi kishte dalë nga burgu Sula vra edhe bashkëshortin në qendër të Tiranës. Sipas policisë për rastin që ka ndodhur tre vjet më parë viktima  tregoi se fqinja e kishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale me të shoqin. "A.Sula më thirri nga porta e shtëpisë. Më kërkoi që të shkoja pak tek shtëpia e saj, pasi kishte një muhabet. Unë nuk e vura në dyshim fare dhe u nisa. Sapo hyra brenda, ajo mbylli derën me shul dhe përballë pashë burrin e saj. Unë i përshëndeta dhe qëndrova në këmbë, por gruaja kishte marrë një sopat në dorë dhe më detyroi të kryeja marrëdhënie seksuale me dhunë me të shoqin”, ka treguar ajo. Gjatë kohës që ajo detyrohej të kryente marrëdhënie seksuale me burrin e shoqja e kërcënonte me armë në kokë që të mos kundërshtonte. "Ajo bën sikur nuk ka qejf të bëjë seks me burrin tim. Por, ju nuk duhet ta besoni”, ka thënë atëherë në polici e akuzuara.


Ekstradohet nga Roma, tutoria që shfrytëzoi për dy vjet dy vajza


Interpol Tirana ka bërë të mundur ditën e djeshme ekstradimin nga Roma të Valbona Kazanxhiut, e cila akuzohet për shfrytëzimin e dy vajzave për prostitucion. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 397/1, datë 18.07.2007, ndaj kësaj shtetaseje ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”. Në  datë  19.04.2007 në orën 16:30 është bërë  ndalimi në flagrancë  i të dyshuarve Valbona Kazanxhi dhe Ismail Lasku, pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin  gjatë një periudhe kohore dy vjeçare  kanë shfrytëzuar për qëllime prostitucioni  dy vajza dhe pikërisht B.D. dhe E.D. Siç rezulton nga materialet e prokurorisë, të dëmtuarat janë detyruar të ushtrojnë prostitucion në rrethana rënduese me forma të ndryshme presioni dhe kërcënime. Të  dyshuarit për kryerjen e veprave të lartpërmendura kanë qenë përfituesit material të fitimeve që kanë  rrjedhur nga ky aktivitet. Nga kallëzimi i bërë nga B.D. rezulton kjo e fundit  ka rënë pre e Valbona Kazanxhiu, e cila e ka detyruar që të ushtrojë prostitucion  duke përdorur metoda të ndryshme të presionit psikologjik, fizik,por edhe ekonomik. Aktiviteti dyshohet të jetë ushtruar në  motele të ndryshme, gjithnjë me klientë të gjetur dhe të paracaktuar nga e Valbona Kazanxhiu. Për organizimin e këtyre takimeve kjo e fundit përfitonte 10.000 lekë për secilin takim. Në kohën e detyrimit të dëmtuarat kanë qenë të mitura, çka e bën rëndësinë  dhe rrezikshmërinë e veprës dhe të rrethanave të  kryerjes të konsiderueshme.


Gruaja “merimangë” përdhunoi dhjetë burra


Titulli i mësipërm nuk përbën aspak ekzagjerim, as dhe përmban dozë ironie pasi historia e cila u shtjellua në Rusi, është reale dhe jo produkt fantazie. Edhe pse dëgjohet e pabesueshme, ekzistojnë gra të cilat janë të armatosura me epshe të sëmura seksuale dhe që përballë kënaqësisë së tyre nuk ngurojnë të përdhunojnë, madje jo një as dy por plot dhjetë burra. Përballë drejtësisë ndodhet një grua nga Rusia, e cila akuzohet për dhjetë përdhunime të njëpasnjëshme. Sipas burimeve policore përmendet se 32 vjeçarja tepër simpatike para se t’i përdhunonte u jepte dozë të madhe qetësuesish. Madje burrat e pafat, pas sulmeve të gruas “merimangë”, u drejtuan në spital, me trauma serioze në organet gjenitale të tyre dhe me helmim i cili rrjedhoi nga sasia e qetësueseve të konsumuar që u kishte dhënë më parë përdhunuesja. Megjithatë, çudi shkakton fakti që gruaja e re lidhte me litarë organet gjenitale të burrave, me qëllim që të qëndronin aktive seksualisht, në çastin kur ndodheshin nën efektin e narkozës. Nuk përjashtohet fakti që gruaja në fjalë të ketë përdhunuar dhe burra të tjerë në të shkuarën, prandaj dhe organet policore vazhdojnë hetimet e mëtejshme në lidhje më këtë linje probabiliteti!


 


Të dhënat


 



  • 61 persona të akuzuar për përdhunim

  • 10 femra, 2 të mitura

  • 51 meshkuj, 9 të mitur


3567
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI