Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Perandoria osmane dhe shqiptarët
Publikuar me 07 Tet 2010

Perandoria osmane dhe shqiptarët

Nga Dritan Egro
Kur njëri prej intelektualëve shqiptarë të kohës së Zogut u ankua për nivelin e jetesës së Shqipërisë së atëhershme duke bërë përgjegjës sundimin e gjatë osman, bashkëshortja e ambasadorit të atëhershëm turk në Tiranë (1934) ia ktheu: “Fajin e keni vetë; meqenëse burrat më të lartë të Shtetit Osman kanë qenë shqiptarë/arnautë, si ka ndodhur që ata nuk e kanë ndihmuar vendin e tyre?!” Këtë opinion të shprehur herët në kohë nga bashkëshortja e një kryediplomati turk, në fakt e kam dëgjuar jo rrallë edhe nga shumë intelektualë të sotëm shqiptarë, të cilët e përsërisin rregullisht jo vetëm nëpër tavolina bisedash “intelektuale”. Por ndërsa bashkëshortja e ambasadorit turk e përdori këtë përgjigje si argument për të dalë nga situata, me keqardhje e them se ky opinion i intelektualëve shqiptarë, në më të shumtën e rasteve edhe njohës së historisë, mendoj se vjen nga një mosnjohje e thellë e realitetit shqiptar kur ai ishte pjesë e një formacioni politik perandorak. Është më se e vërtetë se elementi shqiptar, i identifikuar me emrin arnaut, qysh kur osmanët vizituan për herë të parë viset tona, përbën një nga komponentët më të rëndësishëm etnikë që shoqëruan këtë perandori qysh prej fillimit dhe deri në momentet e fundit të saj. Roli dhe pesha e tyre as nuk duhet mbivlerësuar dhe as nuk duhet nënvleftësuar, por kërkon veçse një njohje objektive pa “pasion tifozësh”. Sot është një fakt i padiskutueshëm se shkalla e përfaqësimit të popujve të Ballkanit, sidomos në fushat e administrimit të shtetit dhe në strukturat ushtarake osmane, dominon në krahasim me shkallën e përfaqësimit të popujve të Lindjes së Mesme apo rajoneve që Shteti Osman sundonte në lindje të Stambollit. Statistikat e mbështesin këtë argument, madje e tillë kjo situatë mbeti deri në fund të jetës së këtij shteti. Arsyet se pse sulltanët osmanë preferuan më së shumti elementin ballkanas në drejtim të perandorisë janë disa. Së pari, Ballkani më parë nuk e kishte njohur sundimin perandorak të ndonjë shteti musliman, pra për pasojë shkalla respektive e njohjes ishte e kufizuar. Vendësit në shërbim të sulltanëve do të ishin nëpunësit idealë që do të amortizonin diferencat kulturore dhe fetare midis sunduesit dhe të sunduarit.


Së dyti, Ballkani ishte lehtësisht i provokueshëm nga shtetet europiane që kërkonin të frenonin vërshimin osman, i cili si ambicie përfundimtare kishte zgjerimin drejt Europës Perëndimore, dhe, së treti, elementi ballkanas duke qenë kulturalisht dhe fetarisht pjesë e Europës Perëndimore, kishte një njohje më të mirë për Europën dhe Krishterimin. Ky kontigjent drejtuesish potencialisht mund t’i shërbente më me efikasitet Shtetit Osman, në përmbushje të ambicieve të veta politike dhe ushtarake edhe jashtë territoreve ballkanike. Kurse aspektet që duhen njohur, kur bëhet fjalë për rolin që ka luajtur në historinë e kësaj perandorie ky apo ai element etnik, së pari, kanë të bëjnë me mekanizmat që çdo formacion perandorak instalon për të marrë nën garanci maksimale fillimisht zgjerimin e më pas jetëgjatësinë e tij dhe, së dyti, elementët specifikë të çdo grupi etnik që osmanët gjetën dhe i njohën si të tillë në Ballkan. Qysh në inkursionet e para në Ballkan, në gjysmën e dytë të shek. të 14-të, osmanët penetruan deri në brigjet lindore të Adriatikut. Në përputhje me praktikat osmane të organizimit ushtarak, trupat sulmuese nuk paguheshin nga buxheti qendror, por mbaheshin vetëm falë të ardhurave që siguronin nga shitja në treg e plaçkës së luftës, ku një vend të rëndësishëm zinin edhe robërit që vinin nga viset ku ata kryenin inkursionet. Kronisti bizantin Dukas shprehet se si pasojë e këtyre sulmeve: “popullsia shqiptare e madhe në numër, u pakësua”. Kronikat bizantine dhe osmane të kohës informojnë se shqiptari Bajazit Pasha, krahu i djathtë i sulltan Bajazitit I dhe bijve të tij, ka luajtur rol dominant në lojën politike të kohës, asaj midis osmanëve dhe Bizantit. Qysh prej kësaj kohe prezenca e shqiptarëve në strukturat shtetërore dhe ushtarake, madje duke synuar edhe shkallët më të larta, do të jetë e rregullt dhe e qëndrueshme. Po të lexosh me kujdes kronikat osmane të shek. XV, do të vësh re se kronistët osmanë, ndërsa theksojnë “kokëfortësinë” e shqiptarëve në qëndresën e tyre, po aq edhe i vlerësojnë ata si luftëtarë të fortë dhe mbi të gjitha besnikërinë e tyre.


Krahas robërve, sistemi osman i devshirme-së (grumbullimit periodik të djelmoshave jomuslimanë) në fakt ishte mekanizmi legal që i hapi rrugë integrimit të elementit shqiptar në të gjitha strukturat e shoqërisë osmane. Duke filluar qysh nga fillimi i shek. të 16-të, në lojë hyri edhe një faktor tjetër, i cili përcaktoi në një masë të madhe edhe integrimin e elementit ballkanas, për pasojë edhe atij shqiptar në Perandorinë Osmane: kalimi i osmanëve në Otranto (1480/1) dhe rënia e Durrësit në duart e osmanëve (1501) ishin ngjarje që shkaktuan një traumë psikologjike te popujt e Ballkanit, pasi u kuptua se tash e tutje në lojë nuk ishte më fati politik i Ballkanit, por ai i Europës Perëndimore. Kjo e fundit tani duhet të mendonte më shumë për t’u mbrojtur vetë nga osmanët, sesa për të ndërmarrë ndonjë fushatë kryqtare për të çliruar Ballkanin. Që nga ky moment Ballkani mbetej të ishte një vatër potenciale provokimi sa herë që shtetet europiane kërkonin të hapnin konflikte të armatosura me Shtetin Osman. Konvertimi gradual dhe masiv i shqiptarëve në Islam, veç të tjerash shënon edhe një hap pragmatik të shqiptarëve për të shfrytëzuar në maksimum mundësitë që ky shtet islam u afronte për të mbërritur, madje, deri në pozicionin e dytë për nga rëndësia, pas atij të sulltanit. Madje, këtu duhet theksuar rasti i Qyprilinjve nga Rroshniku i Beratit, e vetmja dinasti jo turke, e cila de facto drejtoi në tre breza perandorinë, për më se gjysmë shekulli.


Duke pasur një fuqi të tillë jo vetëm Qyprilinjtë, por edhe të tjerë shqiptarë para dhe pas tyre, “pa sfiduar” vëmendjen që duhet t’u kushtonin problemeve të perandorisë, u kujdesën veçanërisht për të vendosur shqiptarë në poste kyçe të perandorisë, në qendër dhe provinca.


Ngjitja e shqiptarëve në këto nivele të papara më parë kishte me vete edhe koston e asaj që ata individë, qysh disa shekuj më parë, duhej të mendonin globalisht, pra si persona përgjegjës për fatet e një shteti me interesa botërore për kohën. Këtu fillon të shfaqet edhe dyzimi midis të qenit shqiptar dhe nëpunësit të devotshëm të një perandorie botërore. Me këtë realitet mund të shpjegohet edhe pozicioni i atit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit, i cili falë mbiemrit dhe njohjeve familjare u ngjit në poste nga më të lartat e Perandorisë, por nga ana tjetër mori përsipër edhe përgjegjësitë e shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar, kur e kuptoi se shkatërrimi e Perandorisë Osmane mund të çonte në copëtimin përfundimtar të viseve shqiptare. Njohja gjithnjë e më e madhe e dokumentacionit osman, krahas atij që vjen nga kancelaritë e tjera, do të hedhë më shumë dritë mbi situatën që realisht ka karakterizuar viset shqiptare gjatë periudhës osmane, por, nga ana tjetër, do të shpërfaqë edhe vendin që pozicioni gjeostrategjik i territoreve shqiptare ka zënë si në vizionin strategjik osman, ashtu edhe në atë europian. Gjithsesi, studimi i dimensionit shqiptar në historinë e Perandorinë Osmane është një histori marrjeje, por edhe dhënieje. Shqiptarët dhanë shumë nga vetja e tyre, aq sa mund të thuhet se ata ishin mes atyre grupeve etnike që spikatën në shfrytëzimin maksimal të mundësive që ofroi ky shtet shumëkombësh. Deri në fillim të shek. XX Shteti Osman përbën rastin më të mirë ku shqiptarët shpalosën kapacitetin e tyre shtetdrejtues.


3767
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI

silvia

like

Diele, 11 Nëntor 2012 16:29