Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

'Për vrasësit e tim biri..'
Publikuar me 05 Jan 2010

'Për vrasësit e tim biri..'


Që prej vdekjes së të birit, më 15 mars, në mendjen e Zamira Durdës ekziston vetëm një mendim, të cilin do që ta kthejë patjetër në veprim. Të bëjë të mundur që përgjegjësit e vdekjes së Edisonit, të ndëshkohen. "Unë tashmë jetoj vetëm për t'u çjerrë maskën autorëve dhe përgjegjësve të shpërthimit të Gërdecit. Jam betuar para varrit të tim biri se do t'i shkoj deri në fund kësaj çështjeje dhe do të bëj çmos që përgjegjësit e vdekjes së tij të dalin përpara drejtësisë dhe të ndëshkohen", - thotë Zamira.




Disa ditë më parë, në emër të familjarëve të viktimave të Gërdecit, Zamira Durda dorëzoi në prokurori kallëzimin penal ndaj ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu. Sipas saj, Mediu është përgjegjës për shpërthimin më 15 mars dhe për këtë arsye duhet të përballet me akuzat në gjykatë. "Kërkoj me çdo kusht gjykimin e Fatmir Mediut, pasi mendoj se ai është përgjegjësi kryesor për tragjedinë e 15 marsit. Ne kërkojmë që ai të dalë para gjykatës dhe të gjykohet për akuzat. Duhet që të përballet me gjykatën dhe kjo e fundit të vendosë, nëse është fajtor apo jo", - thotë e ëma e Edisonit, i cili humbi jetën vetëm në moshën 6-vjeçare.


Zamira Durda thotë se prokuroria nuk ka hetuar siç duhet për këtë çështje, madje, sipas saj, organi i akuzës duhet që ta kishte akuzuar Mediun edhe për vrasje dhe jo vetëm për shpërdorim detyre. "Mendoj që çështja nuk është hetuar si duhet nga ana e prokurorisë dhe akuzat e ngritura në rastin e Mediut janë të padrejta. Përveç akuzës së shpërdorimit të detyrës, ai duhej që të akuzohej edhe për vrasje, ashtu si dhe Delijorgji dhe Pinari. Është e patolerueshme ajo që ka ndodhur, dhe ai si ministër i Mbrojtjes ka përgjegjësinë kryesore për tragjedinë, pasi lejoi që të demontoheshin municione dhe predha në një zonë të banuar, dhe për më tepër nuk urdhëroi kontrollet për masat e sigurisë, kur dihet që ato nuk ekzistonin, ndërsa në fabrikë punonin edhe fëmijë", - pohon Zamira.


Mediu ministër, turp i madh!


Emërimi sërish ministër i Fatmir Mediut është fakti më irritues për Zamira Durdën. Sipas saj, ky është një turp dhe fyerje e madhe, jo vetëm ndaj viktimave dhe familjarëve të shpërthimit të 15 marsit, por gjithë shqiptarëve. Madje, Zamira thotë se emërimi i Mediut ministër tregon qartë se, jo vetëm qeveria, por edhe Presidenti i Republikës, që emëroi dekretimin e tij, janë të korruptuar.


"Emërimi i Fatmir Mediut si ministër i Mbrojtjes është një turp i vërtetë dhe një fyerje, jo vetëm për ne që humbëm të afërmit tanë, por për gjithë shqiptarët, që duhet të kenë për ministër një të akuzuar për vrasje, i cili nuk përballet me drejtësinë. Emërimi i tij si ministër tregon qartë që gjithë qeveria është e korruptuar, madje edhe presidenti, i cili përgjegjësinë e emërimit të Mediut ia la Berishës. Ai nuk duhej të kishte dekretuar Mediun si ministër", - shprehet Durda.


Ajo thotë se tashmë e ka humbur besimin te politika, e cila jo vetëm që nuk i ka ndihmuar për zbardhjen e çështjes dhe ndëshkimin e autorëve të tragjedisë, por iu është kundërvënë. Sipas saj, politikanët e të dyja krahëve janë të zhytur në korrupsion. "Te politika e kam humbur besimin se mund të na ndihmojë për të ndëshkuar përgjegjësit e shpërthimit. Të gjithë politikanët, si të djathtët, ashtu dhe të majtët, janë të përlyer dhe të zhytur në korrupsion", - thotë ajo.


Zamira shpreh zhgënjimin e vet edhe ndaj opozitës, e cila, sipas saj, nuk i ka mbështetur dhe nuk i ka ndihmuar dhe për më tepër i ka përdorur politikisht ata. "Opozita nuk ka na përkrahur dhe nuk na ka mbështetur si duhet. Madje, ata na kanë përdorur vetëm për interesat e veta. Që kur ndodhi tragjedia, ajo duhet që të kishte reaguar dhe të kërkonte rrëzimin e qeverisë dhe jo ta mbështeste atë. Opozita duhet të kërkojë me patjetër heqjen e imunitetit të Mediut dhe duhet të ndikojë për miratimin e një ligji të posaçëm që familjarët e viktimave të marrin pension".



Gjykata e Lartë dhe drejtësia e munguar



Pushimi i dosjes penale ndaj Fatmir Mediut nga ana e Gjykatës së Lartë, sipas Zamirës, ka qenë një fyerje e rëndë për familjarët e viktimave dhe një vrasje e dytë ndaj këtyre të fundit. Sipas saj, kur nuk jep drejtësi institucioni më i lartë i drejtësisë sonë, atëherë nuk mund të presim drejtësi nga institucionet e tjera. "Gjykata e Lartë është treguar e njëanshme, si në rastin e ndarjes dhe veçimit të dosjes së Mediut, ashtu dhe në pushimin e akuzës ndaj tij. Për më tepër, ajo nuk pranoi që ne të ishim palë në këtë proces, edhe pse jemi prekur drejtpërdrejt nga ngjarja dhe kemi humbur të afërmit tanë. Mund të them që Gjykata e Lartë, me atë që ka bërë, ka treguar veten, ndërsa ne na ka fyer rëndë dhe na ka vrarë për herë të dytë. Kur nuk vendos kjo gjykatë drejtësi, që është dhe institucioni më i lartë i drejtësisë, atëherë nga kush do vendoset drejtësia në vendin tonë?! Dua të them se edhe Gjykata e Shkallës së Parë nuk ka vepruar si duhet, duke na mohuar të drejtën të jemi palë në procesin ndaj të pandehurve", - shprehet Zamira.


Kjo e fundit pohon se, pavarësisht një sërë veprimesh, si ndarja e dosjes, pushimi i dosjes penale ndaj Mediut, mospërfshirja e tyre si palë në proces etj., ajo vazhdon që të shpresojë. Por, shpresa, sipas Durdës, ka një kufi. Dhe nëse nuk vendoset dhe veprohet sa më parë, ajo thotë se do të veprojë njësoj si ata që i vranë djalin e vogël. "Pavarësisht hetimeve të mangëta, pavarësisht ndarjes së dosjes, pavarësisht se nuk kanë pranuar si palë, pavarësisht pushimit të dosjes penale të Fatmir Mediut, ne do të vazhdojmë që të kemi besim dhe shpresë te drejtësia. Por ky besim dhe kjo shpresë nuk mund të zgjasin përjetë. Nëse drejtësia nuk vepron sa më parë, unë jam gati që të bëhem kamikaze dhe të vras ata që më morën jetën e djalit. Tashmë mua nuk më bën përshtypje asgjë. Për të vendosur drejtësinë ndaj atyre që më vranë djalin, jam e gatshme që të veproj njëlloj si ata. Si të mos veproj në këtë mënyrë, kur unë ende nuk kam as trupin e tim ati për ta qarë, që gjithashtu humbi jetën në shpërthimin e 15 marsit?"- pohon Durda.


"Meta më kërkoi votën në shtëpi për të ndëshkuar qeverinë e Gërdecit"



Edhe pse është përpjekur që t'i shmanget politizimit të dhimbjes dhe fatkeqësisë së saj, Zamira Durda nuk mund ta pranojë faktin që vota e saj në zgjedhjet e 28 qershorit shkoi për ata që ajo i cilëson si vrasësit e të birit. Zamira tregon se është e zhgënjyer nga Ilir Meta, të cilin e ka pasur mik shtëpie dhe i dha votën. E irrituar ajo thotë se kreu i LSI e kishte vizituar në shtëpi dhe i kishte premtuar që pas 28 qershorit "qeveria e Gërdecit", siç e quante ai, nuk do të ishte më në pushtet. Ndërsa pas zgjedhjeve ndodhi krejt e kundërta, pasi Meta, jo vetëm që nuk e mbajti premtimin e dhënë ndaj Zamirës, por u bashkua me ata, të cilët i akuzonte si vrasës. "Jam e zhgënjyer nga Ilir Meta, i cili para zgjedhjeve të 28 qershorit më erdhi në shtëpi dhe më tha se do të ndikonte për dënimin e shkaktarëve të tragjedisë që më mori djalin. Unë i dhashë votën atij që të rrëzonte "qeverinë e Gërdecit", siç e cilësonte Meta dhe jo të bashkohej me të. Ndihem e zhgënjyer që vota ime ka shkuar dhe ka ndihmuar pikërisht vrasësit e tim biri. Nuk mund ta mendoja kurrë këtë gjë. Si mos të irritohem nga ky fakt, kur vota ime shkon pikërisht te vrasësit e djalit tim? Si mos të bëhem kamikaze, kur shoh këtë padrejtësi dhe këtë fyerje të rëndë që më është bërë?" - shprehet e irrituar ajo.


Zamira thotë se nuk do t'ia kishte dhënë kurrë votën Metës, nëse do ta dinte se ky i fundit do të bashkohej në të njëjtën qeveri, të cilën ajo e akuzon si përgjegjëse për vdekjen e të birit.


"Berisha hipokrit. Na nxori forcat e Sigurimit, kur shkuam ta takojmë"



Zamira Durda thotë se në gjithë historinë e Gërdecit, kryeministri Berisha ka qenë më hipokriti. Sipas saj, ai u ka premtuar atyre se do t'i ndihmonte dhe do të bënte të mundur ndëshkimin e përgjegjësve, që në fakt nuk ka ndodhur. Madje Zamira thotë se ka tentuar disa herë që ta takojë personalisht atë, por i kanë nxjerrë përpara forcat e Sigurimit. Ajo thotë se qeveria e Berishës është tallur keq me fatkeqësinë e tyre dhe në vend që t'u lidhte një pension të veçantë, u thoshte se viktimat nuk kanë paguar siguracionet. Aq hipokrit është treguar Berisha, sipas Durdës, sa njerëzit e vet i kanë telefonuar familjarëve të saj për t'u shkuar vizitë në banesë gjatë fushatës zgjedhore, gjë që ata e kanë kundërshtuar me përbuzjes. Berisha, sipas Zamirës, është nga ata tipa që të vret ditën dhe të qan natën. "Kryeministri Berisha ka qenë më hipokriti në këtë histori. Ai na premtoi se do të na jepte pension dhe kjo gjë nuk ka ndodhur. Unë personalisht nuk kam marrë gjë, ndërsa gratë e burrave që gjetën vdekjen në Gërdec marrin vetëm një pension qesharak për 50-60 mijë lekë. Dhe këto i marrin, sepse u takon me ligj, jo sepse ua dha posaçërisht qeveria. Kur shkuam te kryeministri për të kërkuar që të na lidhte pension, drejtori i Marrëdhënieve me Publikun, Elham Sharra, na tha që nuk u takon pension, pasi të afërmit tanë që humbën jetën nuk kishin paguar siguracionin. A ka tallje më të madhe se kjo?! Madje, disa herë, kur kemi shkuar për të takuar kryeministrin, na kanë sjellë edhe forcat speciale, të cilat na kanë kërcënuar. Kryeministri Berisha është treguar hipokrit që në fillim, kur tha se nuk e dinte se ku binte dhe çfarë bëhej në Gërdec, madje nuk e dinte që në fabrikën e demontimit të municioneve punonte baxhanaku i tij.


Berisha madje mashtroi dhe u tall me Mimoza Krujën, e cila u detyrua që ta priste atë në shtëpi. Ai i premtoi asaj se do ta ndihmonte të merrte pension tri ditë më pas, ndërsa një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më sot dhe ajo duhet që të mbajë tri vajzat e veta me rrogën prej 15 mijë lekësh që merr si pastruese në Bashkinë e Vorës. Berisha është aq hipokrit, sa njerëzit e tij gjatë fushatës zgjedhore morën në telefon shtëpinë e tim ati, i cili gjeti vdekjen më 15 shtator, për të bërë vizitë te mamaja dhe vëllezërit e mi. Ne e përbuzëm dhe nuk e pranuam kërkesën e tij, pasi Berisha është nga ata njerëz që të vret ditën dhe të qan natën", - pohon gjatë fjalës së saj Zamira Durda.
 



"Gërdeci, njolla e turpit për PD, dhe jo e krenarisë"



Irritimin më të madh Zamira Durda thotë se e ka ndjerë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, kur zëdhënësja e PD, Majlinda Bregu, dilte dhe tregonte me arrogancë se Partia Demokratike kishte fituar në Gërdec. Sipas saj, Gërdeci nuk duhet të jetë krenaria e PD, por turpi i saj, pasi është shenja e qartë e korruptimit të kësaj të fundit.


"Na kanë fyer rëndë dhe me hipokrizinë më të madhe. Nuk dija ku të futesha nga irritimi, kur pas zgjedhjeve të 28 qershorit, Majlinda Bregu dilte në televizor dhe thoshte me krenari dhe arrogancë se PD kishte fituar në Gërdec. Si nuk i erdhi turp asaj femre? A ka fëmijë vetë ajo? A kanë zemër këta politikanë, që na fyejnë dhe luajnë përditë me dhimbjen tonë? Si mund të krenohet PD se fitoi zgjedhjet në Gërdec, kur ajo na vrau të afërmit tanë? Ajo na mori jetën. Ç'kuptim ka tashmë fitorja në Gërdec, kur në fakt është njolla e zezë e kësaj qeverie dhe shenja më e qartë e korrupsionit dhe kapjes së shtetit?" - shprehet Zamira.


Kjo e fundit pohon se ka shkuar edhe në zyrën e kryeparlamentares, Jozefina Topalli, e cila i ka premtuar se do ta ndihmonte që të zgjidhte çështjen e pensionit për familjarët e viktimave të Gërdecit. Por, që prej asaj kohe, ajo thotë se Topalli nuk ia ka ngritur më telefonin, edhe pse ka tentuar që ta marrë me qindra herë në telefon. "Kryeparlamentarja Jozefina Topalli më priti në zyrën e vet dhe më premtoi se do të na ndihmonte për zgjidhjen e problemeve tona. Ajo më dha numrin e telefonit dhe më kërkoi që ta merrja për çdo shqetësim. Por, premtimi i saj mbeti vetëm formal. Kam tentuar me qindra herë që ta marr në telefon, por tashmë nuk ma hap më", - thotë Zamira.



1201
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI