Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Nder dhe tradhti, Shqiptarët “vriten” për femra
Publikuar me 03 Gus 2010

Nder dhe tradhti, Shqiptarët “vriten” për femra

Tre vëllezër, nga 17 deri në 23 vjeç, u ekzekutuan me armë në Vidohovë të Devollit, një rrëke gjaku krejt e pakuptueshme barbare dhe mizore për shumë që e mësuan historinë e saj në media. Një histori tradhtie, xhelozie e përzierë me krenari dhe nder dhe ndoshta pikërisht për këtë nuk është e vështirë që të gjesh në kryeqytet njerëz që të pohojnë me zë “mirë ua bëri... të kishte vrarë edhe atë”. Për policinë një mentalitet i tillë nuk është i panjohur, më shumë se 60 për qind e konflikteve në vend dhe po kaq e vrasjeve shkaktohen nga grindje që kanë motive nderi dhe lidhen me gratë, të cilat ende shoqëria nuk i pranon me status të barabartë.

Për nder

Në Vidohovë gjithçka nisi nga lidhja e vëllait më të madh me gruan e autorit të krimit, një lidhje e cila shkatërroi përfundimisht jetën e dy familjeve. Dashuria, pasioni e nderi, ndërthurur me krenarinë janë ndjenja që i çon shqiptarët të “vriten” mes tyre. Policia flet për mijëra konflikte të pajtuara prej saj, që kanë si motiv bazë një nga ato që përmendëm më lart, e që përcaktohen me termin “motive të dobëta”. Gjatë vitit të kaluar mbi 40 vrasje mes shqiptarëve u kryen pas konflikteve të nisura për “ngacmime”. Ndërkohë që nga 13.579 konflikte të regjistruara, sipas policisë mbi 3/5 e tyre kanë nisur si arsye e “nderit të prekur”.

Po kështu xhelozia, nderi i cenuar dhe krenaria, ishin arsyet që detyruan autorin e krimit, t’u bënte pritë tre vëllezërve dhe të zbrazte ndaj tyre të gjithë plumbat e kallashnikovit. Në fillim, ai ia kishte falur gabimin gruas së tij dhe kishte gjetur gjuhën e përbashkët me të riun, por llafet e shumta në fshat “rizgjuan” sërish dhunën. Dhe ky nuk është rasti i vetëm. Kronika e zezë në vend është e mbushur me ngjarjet, të cilat fillesën e kanë tek nderi i femrës apo i atij që “zotëron” atë. Kjo e fundit padashur kthehet në “fajtore”.

Sipas statistikave nga policia, ngjarje të tilla për “motive të dobëta” zënë pjesën më të madhe të punës për zgjidhjen e tyre. Por janë edhe arsyeja kryesore e sulmeve të dhunshme me pasojë jetën, midis shqiptarëve. Para tre ditësh, një tragjedi u shmang në një gjimnaz në Mamurras, ku pas një sherri për shoqen e klasës, një gjimnazist u ndalua ndërsa ishte nisur të qëllonte shokun e tij me pistoletë. Një ngjarje e ngjashme si gjithë të tjerat të ndodhura në vend, ku problemi nuk është tek fillesa, por tek mënyra e zgjidhjes së problemit.

Ndërmjetësimi

Policia duket se është ndërgjegjësuar mbi arsyet e konflikteve në vend dhe përpjekjet e saj kanë bërë që gjatë vitit 2009 të parandalohen nga Policia e Shtetit 22.590 konflikte midis palëve. Sipas informacioneve të marra, rreth 2/5 e këtyre konflikteve lindin për shkak të pronësisë, ndërsa pjesa tjetër klasifikohen si të dobëta. Kjo do të thotë një sherr i çastit, që lind nga mentaliteti i ashpër, por edhe nga mënyra e pandryshuar e shqiptarëve për t’i zgjidhur gjërat vetëm me forcë. Sipas burimeve nga policia, konflikti i nisur për femra, është një nga më të shumtët në vend. Ndërkohë që në sasi më të pakët janë ato të nisura për arsye të tjera, si sherre banale e konflikte në familje. Nga informacionet e marra nga Drejtoria e Hetimit të Krimit, në Policinë e Shtetit rreth 65.8% e vrasjeve të ndodhura gjatë vitit 2009 janë kryer për motive të dobëta. Ndërkohë që një pjesë e madhe e tyre kanë lindur pas sherreve të nisura për femra. Kur bëhet fjalë për të dashurat e tyre, apo për të afërmet, duket se nuk ka zgjidhje tjetër përveç vetëgjyqësisë. Megjithatë, vërehet se megjithatë këtë problem, nga puna e kryer janë arritur që të zgjidhen një numër i konsiderueshëm i këtyre konflikteve, të ndodhura gjatë vitit të kaluar.

Pronat

Konfliktet për pronat zënë një pjesë të rëndësishme në statistikat e Policisë së Shtetit për sa i përket konflikteve të ndodhura gjatë vitit 2009. Kështu, në 12 muaj u shënuan 9.011 sherre të nisura si rezultat i mosmarrëveshjeve për pronësinë. Qarku me problematik është ai i Tiranës, ku është përqendruar edhe numri më i madh i popullsisë. Një ndikim në ndodhjen e këtyre përplasjeve ka problemi i pazgjidhur i ndarjes së tokave. Megjithatë, si rezultat edhe i punës së kryer nga ana e policisë, është arritur që të pajtohen 2.270 sherre. Pas Tiranës, qarku më shumë probleme pronësie është Elbasani, ndërsa pas tij vijnë Durrësi, Fieri dhe Vlora. Pronat sidoqoftë mbeten një nga konfliktet e hapura në vend, që shënojnë edhe një nga arsyet kryesore të krimeve dhe përplasjeve të dhunshme shpesh brenda një gjaku.

Konfliktet

Në vitin 2009 në territorin shqiptar dhe në 12 qarqet e tij janë regjistruar 22.590 konflikte. Nga këto rreth 9.011 kanë si motive ato të pronësisë, ndërsa 13.579 karakterizohen si motive të dobëta. Gati 40% e sherreve të nisura në vend kanë lindur për shkak të mosmarrëveshjeve të pronësisë. Nga statistikat për vitin 2009, në një ditë në territorin shqiptar, policisë i është dashur që të merret me 61 sherre. Një shifër e konsiderueshme kjo, duke pasur parasysh, po popullsinë e vendit. Pas kryeqytetit, qarqet më problematikë janë ata të Elbasanit, Durrësit, Fierit e Vlorës.

Kryeqyteti, problematik me pronat

Në Tiranë në një ditë në vitin 2009 kanë ndodhur rreth 19 konflikte. Policisë së qarkut i është dashur që të “pajtojë” 6.850 sherre midis palëve gjatë 365 ditëve. Sipas informacioneve të marra, rreth 2.270 e këtyre konflikteve kanë lindur si pasojë e mosmarrëveshjeve për pronësinë. Ndërkohë që pjesa tjetër prej 4.580 sherresh kanë ndodhur për motive të dobëta. Numri i madh i banorëve dhe hapësira e vogël e bashkëjetesës midis tyre, janë disa nga arsyet kryesore, që çojnë në të tilla përplasje mes personave. Ndërkohë që qarku me problemet më të vogla, është ai i Dibrës, ku në vitin e kaluar u shënuan 655 sherre, të zgjidhura nga policia.

Vrasjet

Gjatë vitit 2009 në Shqipëri u kryen 79 vrasje. Sipas të dhënave nga policia, 52 vrasje të ndodhura ose 65% e tyre, janë kryer pas sherreve të nisura për motive të dobëta.

Ndërkohë 7 vrasje janë kryer nga pakujdesia. Për pronësi janë ekzekutuar gjashtë persona, pas konflikteve të nisura, ndërsa brenda familjes janë kryer 16 vrasje. Kështu, nga sherret e nisura për motive të dobëta, duke filluar që nga ato për femrat e për të vazhduar me sherret e çastit, kanë çuar në numrin më të madh të të vdekurve. Për gjakmarrje dhe hakmarrje ka pasur nga një të vrarë në vitin e kaluar.

Qarqet Konfliktet Konfliktet për pronat për motive të dobëta

Tiranë 2270 4580

Durrës 974 851

Elbasan 1264 2819

Korçë 378 990

Berati 301 665

Fieri 911 770

Vlorë 737 699

Gjirokastër 628 555

Lezhë 379 228

Shkodër 348 754

Kukësi 464 355

Dibër 342 313


Raste

Itali, shqiptari ther me thikë të shoqen për xhelozi


Një emigrant shqiptar ka qëlluar me thikë gruan e tij në fyt, duke i marrë jetën. Ngjarja ndodhi në provincën Teramo të Italisë. Shkëlqim Koni, 45 vjeç, që sipas policisë italiane kohët e fundit kishte pasur kriza të rënda nervore, si pasojë e papunësisë dhe xhelozisë për gruan, rreth orës 4 të mëngjesit ka marrë një thikë në kuzhinë dhe i ka prerë fytin 32-vjeçares Rudina Koni, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Menjëherë sapo ka kryer krimin, Koni ka telefonuar vetë policinë dhe u ka treguar për ngjarjen e rëndë. Ai është arrestuar menjëherë nga autoritetet italiane, ndërsa dy djemtë e tij 7 dhe 8-vjeçarë, nuk e kanë parë skenën e krimit, pasi ndodheshin në gjumë. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar thika, me të cilën është kryer vrasja. Të dhënat e para të policisë italiane flasin për një depresion të autorit të krimit, i cili kishte qenë prej kohësh i frikësuar për humbjen e dy fëmijëve dhe gruas së tij, për shkak të papunësisë, por gjithashtu kishte shfaqur edhe shenja xhelozie ndaj bashkëshortes.

Xhelozia, vret me pistoletë të dashurën pastaj veten

Ka qëlluar me armë të dashurën dhe pastaj veten. Krimi i rëndë ndodhi rreth orës 15:55 të ditës së djeshme, në rrugën e “Porcelanit” në Tiranë, ku 45-vjeçari Hazir Sallahu, efektiv në Seksionin e Objekteve pranë komisariatit nr. 2 të policisë ka qëlluar me armën e shërbimit 34-vjeçaren Anila Laze dhe më pas ka vrarë veten. Dëshmitarët lajmëruan menjëherë policinë, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes për të zbardhur rrethanat e vrasjes së dyfishtë. Burime nga policia thanë se nga hetimet e para dyshohet se polici Hazir Sallahu dyshonte se gruaja me të cilën ai bashkëjetonte prej dy vjetësh e tradhtonte. Ata janë grindur në rrugë, ku pas fjalëve të ndërsjella 45-vjeçari ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar tri herë Lazen, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas ka qëlluar edhe veten.

I moshuari vret me pistoletë gruan dhe fqinjin nga xhelozia

I ndikuar nga xhelozia një 70-vjeçar nga Sauku i Tiranës, ka vrarë gruan dhe fqinjin e tij për motive xhelozie. Më pas, autori i krimit, Halim Shehu është dorëzuar më pas në polici dhe ka pranuar krimin e dyfishtë. Autori i vrasjes ka vrarë me pistoletë gruan e tij, Fatime Shehu, si dhe fqinjin Xhevdet Xhabrahimi. Nga të dhënat paraprake mësohet se Shehu me fqinjin e tij Xhabrahimin ka pasur më parë probleme pronësie. Halim Shehu, ka pranuar vrasjen e dyfishtë, dhe ka thënë se motivi kryesor i vrasjes ka qenë xhelozia.

Masakra e Kozarës, vret me armë vëllanë, kunatën dhe fëmijën e tyre

Ka vrarë me armë vëllanë e tij, kunatën shtatzënë dhe fëmijën e tyre dy vjeç, vetëm që të mbulonte lidhjen sentimentale që kishte me kunatën. Autori i ngjarjes në fshatin Kozarë të Kuçovës, Luan Mara, ka deklaruar se e ka kryer vrasjen pasi i vëllai e akuzonte para prindërve se ai kishte marrëdhënie me gruan e tij, dhe prandaj e kishte kryer krimin. Vrasja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 10 shkurtit të 2006. Viktima ishin Shpëtim Mara, bashkëshortja e tij shtatzënë, Florija dhe fëmija i tyre, 2-vjeçar, Artioli.

Qëllon 30-vjeçarin, se nuk ishte dakord për lidhjen e mbesës

Një 30-vjeçar u qëllua me pistoletë nga xhaxhai i gruas së tij, pasi ky i fundit nuk ishte dakord për martesën e tyre. Viktima Armando Hasani, banues në Tiranë në rrugën "Qemal Stafa", pranë zonës së njohur si "Xhamllëku", u qëllua për vdekje, nga xhaxhai i gruas së tij, Albert Gashi. Mësohet se dëshmitarë të ndryshëm, banorë të zonës, kanë parë për disa minuta skenën kur Albert Dashi i kishte drejtuar Hasanit pistoletën në kokë dhe më pas ka qëlluar mbi të gjithë krehërin e fishekëve. Sipas policisë, shkak i vrasjes ishte mosaprovimi i familjes së nuses për lidhjen e dy të rinjve.


2970
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI