Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

ENCIKLOPEDIA E SHTETIT DHE E POPULLIT TE TRILLUAR
Publikuar me 22 Sht 2009

ENCIKLOPEDIA E SHTETIT DHE E POPULLIT TE TRILLUAR

Një popull, që ka akademikë si ata që i ka populli i vetëquajtur maqedonas, ai popull edhe gjatë kohës do të mbetet i ngatërruar në të kaluarën e vet, pa ditur as vendlindjen dhe as emrin e prindërve. Një popull, që ka akademikë të llojit të Bllazhe Ristovskit, përjetë do mbetet i hutuar përpara rrugëve që e çojnë drejt së nesërmes dhe asnjëherë nuk do e kuptojë se shëmtinë tënde nuk mund ta mbulosh duke i shpallur të tjerët njësoj të shëmtuar sa vetvetja. Dhe një popull, që ka akademikë si ata që i kanë maqedonasit, është popull që duhet të të dhimbset, sepse ai popull do vuajë shumë, derisa të arrijë të rrisë elita kulturore, politike e shkencore, të cilat do kenë guxim të përballen me portretin e vërtetë të tyre kolektiv. Më në fund, një popull që ka elita shkencore si këta që e përpiluan dhe e lejuan botimin e Enciklopedisë së Maqedonisë, edhe më tej do jetojë në mjegullën e punimeve "shkencore", që do dëshmojnë atë që e thonë thuajse të gjithë fqinjët e Maqedonisë, përpos shqiptarëve: se nuk është lehtë të trillosh popull dhe shtet në kohën e internetit. Pra, do dëshmojnë me dorën e tyre atë që thonë disa shkencëtarë grekë, bullgarë e serbë: se nga një popull dhe shtet i trilluar nuk mund të presësh asgjë më shumë, përpos histori, kulturë dhe gjuhë të trilluar, të arnuar nga mbeturinat e popujve të tjerë të Ballkanit. Tani të kalojmë tek ata që financuan botimin e saj, pra edhe te shqiptarët në pushtet, të cilët në mos më shumë, duhet ta pengojnë financimin e projekteve antishqiptare me paratë e shtetit. Të dalim te përfaqësuesit e BDI-së në pushtet, të cilët këto ditë ishin kritikë ndaj autorëve dhe botuesve të kësaj Enciklopedie, thua se ata janë organizatë joqeveritare, e jo parti në qeverinë e Gruevskit. Të dalim te BDI-ja, e cila duhet të dijë çfarë vendimesh merren nëpër kabinetet ministrore dhe se cilat botime i lëvdon dhe i përuron Kryeministri i këtij shteti.

Kur bëhet fjalë për përfaqësuesit e BDI-së në pushtet, duhet thënë qartë: sa u përket atyre, Gruevski mund të bëjë të gjitha përgatitjet për t‘i sulmuar vendbanimet shqiptare, e ata këtë ta marrin vesh pasi t‘u bien bombat mbi kokë. Dhe të dalin pastaj para nesh e të protestojnë kundër një veprimi të tillë antishqiptar të qeverisë, thua se ata kanë qenë kopshtarë të Gruevskit, e jo atë që thonë se janë - bashkëdrejtues të shtetit.

Duhet, pra, të thuhet hapur ajo që është përsëritur shumë herë deri më tani: BDI-ja është pjesë e qeverisë së Gruevskit, për të njëjtat arsye që më parë ishte PDSH-ja pjesë e koalicionit qeverisës - që të shërbejë si mbulesë për antishqiptarinë e VMRO-DPMNE-së. Dhe si të tillë, përfaqësuesit e BDI-së as që guxojnë ta drejtojnë gishtin nga përgjegjësit e vërtetë për botimin e kësaj Enciklopedie: drejt ministres së Kulturës, e cila nuk i përfill shqiptarët, sa edhe sot e kësaj dite, e shteron arkën e shtetit për përmendore e kisha, e për kulturën shqiptare nuk ndan mjete as sa për kopshtin zoologjik të Shkupit. Duhet thënë gjithashtu hapur, se mbase, nuk janë larg së vërtetës pohimet se BDI-ja, as që do reagonte kundër botimit të kësaj Enciklopedie, sikur të mos kishin reaguar ambasada amerikane dhe ajo angleze.

Kaq lidhur me pushtetarët shqiptarë, sa të dimë se kë duhet ta padisim për Enciklopedinë e Maqedonisë, ne, shqiptarët e këtushëm.

Tani të themi hapur diçka që ka të bëjë me gjithë ne shqiptarët e Maqedonisë: gjatë dy dekadave të kaluara, më të vlefshmen që ne bëmë, ishte t‘u dëshmonim qarqeve antishqiptare maqedonase dhe "kolltukokratëve" tanë shqiptarë, se jemi kolektivitet që ka një virtyt shumë të lartë njerëzor - di të falë, por edhe një mangësi trishtuese njerëzore - harron shpejt. Si të tillë, ne mirë bëmë që i falëm të gjitha "brodecët" tanë, por nuk bëmë mirë që i harruam të burgosurit e pafajshëm, që nuk kërkuam përgjegjësi nga askush, as nga pushtetarët tanë që u vunë në krah të terrorit shtetëror mbi shqiptarët, e të cilët sot na tregojnë për mjerimin që shpreh Enciklopedia skandaloze e Maqedonisë, duke mos na shpjeguar ndërkohë se ç‘tregojnë "brodecët" që na ndodhën.

Ne mirë bëmë që falëm "gostivarët" tanë, por nuk bëmë mirë pse aq shpejt harruam se para do muajsh, Maqedonia bleu edhe me paratë tona helikopterë luftarakë, pa e ditur këtë pushtetarët e BDI-së, e ne nuk kërkuam përgjegjësi prej atyre që duhet të na mbrojnë që të mos na përsëritet viti 2001, kur policia dhe ushtria maqedonase rrafshoi fshatrat e shqiptarëve të këtushëm me granatat që ne ua kishim blerë.

Kaq lidhur me autorët dhe botuesit e Enciklopedisë së Maqedonisë, kaq edhe për pushtetarët tanë që i habiti ky botim, financimin e të cilit e ka lejuar qeveria ku ata marrin pjesë, kaq edhe për ne shqiptarët e këtushëm, që nuk e kuptojmë se çdokush ta bën vetëm atë që ia lejon.

Tani të them diçka që s‘ka të bëjë me këtë temë: ka parashikime se deri në vitin 2020 do të vdesë shtypi i shkruar dhe se në Maqedoni, maqedonasit do të jenë pakicë etnike. Autorin e këtij teksti nuk e trishton rreziku i zhdukjes së gazetave, atë nuk e bën të ndihet më mirë pse pasardhësit e tij do mund të jenë pronarë dominues të këtij shteti: atë e mërzit e vërteta, se të rinjtë e asaj kohe do të qeshin me të gjithë ne të sotmit dhe nuk do ia dalin ta kuptojnë atë që ne kemi shkruar për verbërinë e atyre që dolën në krye të kolonave si vizionarë, e duke mos parë as majën e hundës së tyre. Autorin e këtij teksti e brengos e vërteta, se në vitet kur Maqedonia do ketë emër dhe mbiemër tjetër, pasardhësit e tij do të tallen me këto shkrime dhe do thonë: sa paraardhës budalla që paskemi pasur - në vend që të shtrihet buzë detit të marrëzisë njerëzore e të rrezitet siç bëjnë shumica e të tjerëve, ai ka ngul këmbë që atë ta zbrazë me kovë.



1145
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI