Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

''Dosja'' Biznesmenët e njohur që u gjobitën nga Shullazi
Publikuar me 19 Pri 2016

''Dosja'' Biznesmenët e njohur që u gjobitën nga Shullazi

Emiljano Shullazi dhe “banda” e tij, për Prokurorinë e Krimeve të Rënda dyshohet se ka kryer 6 vepra penale në më shumë se 15 raste të përsëritura.

ABCNews ka arritur të sigurojë një kopje të kërkesës së prokurorisë, të dorëzuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku kërkohet që Emiljano Shullazi dhe dy bashkëpunëtorët e tij të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve.

Sipas kësaj dosje, Emiljano Shullazi dyshohet se është kreu i një “bande”, e cila vijon aktivitetin e saj kriminal, për të realizuar ardhjen e pasojave, marrjen e përfitimeve të padrejta, nëpërmjet kanosjes si dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Në dosje janë renditur dyshimet ku Emiljano Shullazi, krahu i tij i djathtë Gilmando Dani dhe kushëriri Blerim Shullazi dhe persona të tjerë që po hetohen, janë përfshirë në veprimtari kriminale.

Sipas dosjes, thuhet se Shullazi së bashku me “bandën” e tij, i ka vendosur gjobë dhe ka përfituar shuma të mëdha parash nga biznesmenë të njohur në vend.

Prokuroria përmend me emra personat nga të cilët ka përfituar shuma të mëdha, por që për arsye etike nuk po i publikojmë emrat e tyre.

Në mesin e personave që kanë paguar gjobë si pasojë e kërcënimeve, është një koncesionar dhe pronar i kompanisë së madhe të hidrokarbureve në Shqipëri, përfaqësuesi i një kompanie të njohur kafeje dhe pronar i disa lokaleve në Durrës, si dhe një shtetas, i dënuar nga po kjo gjykatë në vitin 2007 për trafik droge tashmë pronar i disa qendrave tregtare.

Por burimet thonë se asnjëri prej tyre nuk e ka kallëzuar direkt të dyshuarin Emiljano Shullazi për gjobëvënien.

Gjithashtu në dosje thuhet se Shullazi me anë të dhunës dhe kërcënimeve ka përfituar një sipërfaqe të madhe tokë dhe ndërtesën brenda saj, e njohur ndryshe si ish-hotel Vollga në Durrës.

Për regjistrimin e kësaj prone, në dosje thuhet se “banda” e tij ka rrahur e dhunuar punonjës të hipotekës në Durrës dhe asaj qendrore në Tiranë.

Po me anë të kërcënimeve, prokurorët dyshojne se Shullazi po tentonte të privatizonte objektin e quajtur “Parku Sportiv” në Durrës.

Me të njëjtat metoda dhune dhe kërcënimi, prokuroria pretendon se “banda” e drejtuar nga Shullazi ka tentuar të marrë një sipërfaqe prej 1200 m2 parking në kryeqytet, pronarëve të së cilës në formë kërcënimi u ka vendosur edhe eksploziv.

Prokuroria në dosje ka renditur edhe akuzën për kanosje dhe kërcënim ndaj dy profesorëve Dhori Kule dhe Mynyr Koni për tërheqjen nga gara, akuza për të cilën prokurorët kanë administruar deklarimet e tyre.

Përveç këtyre akuzave, grupi hetimor ka ngritur dyshime se Emiljano Shullazi dhe banda e tij, prej kohësh në bashkëpunim me persona të tjerë, shtetas shqiptar dhe të huaj janë organizuar dhe kanë për qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Bazuar në të gjitha këto akuza dhe raste, prokuroria kërkon nga gjykata që tre të dyshuarit të mbesin në qeli me masën e sighurisë “arrest me burg”. 

Rasti flagrant: Dhurimi i ish-hotel “Vollga”
Dhurimi i ish-hotel “Vollga” për Emiliano Shullazin nga shoqëria “Saudi Brothers Commercial Company” sh.p.k., në fund të vitit 2014, është e dyshimtë për Prokurorinë pasi mund të jetë bërë përmes shantazhit.

Bëhet fjalë për një truall 2 498 metra katrorë pranë kullës veneciane në Durrës, e cila përveç kompanisë saudite ka dhe bashkëpronar shqiptar. 

Në kontratën e dhurimit të pasurisë për Shullazin thuhet se, me vullnet të lirë “Saudi Brothers Comercial Company”, sipërfaqen prej 749 metra ia dhurojne ne shenje mirënjohjeje shtetasit Emiliano Shullazit. 

Në procedurat noteriale të kalimit të pronësisë në dorë të Shullazit, “Saudi Brothers Commercial Company”, është përfaqësuar nga Ylvi Beqja, i cili rezulton administrator i kësaj kompanie. 

Hotel “Vollga” është ndërtuar gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Italia dhe u inaugurua më 21 prill 1940, me emrin “Hotel dei Dogi”. 

Ndërsa gjatë periudhës së miqësisë Shqipëri-Bashkimi Sovjetik (1949) mori emrin “Vollga”. Kjo pronë iu sekuestrua në prill të vitit 1945, bashkëpunëtorit të fashizmit Omer Fortuzit.


985
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI