Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Berisha: Si më mbajtën pesë muaj peng në Afrikë
Publikuar me 10 Mar 2012

Berisha: Si më mbajtën pesë muaj peng në Afrikë

Piloti Xhejms Berisha

Flet Xhejms Berisha, piloti që loboi për Kosovën.

“Në shtetin e Eritreas më kujtuan për spiun amerikan. Behgjet Pacollit i kam borxh jetën”

Kur Xhejms Berisha shpalli misionin “Flying for Kosovo”, lobimin për njohjen e pavarësisë nëpërmjet publicitetit me aeroplan privat mbi shtetet e Amerikës Latine dhe Afrikës, gjithkujt iu duk si aventurë. E rrezikshme, duhet shtuar sot, tri vite pas iniciativës së pilotit 40-vjeçar shqiptaro-amerikan. Gjatë fluturimit mbi qiejt e 95 shteteve, në dy prej tyre ka qenë në prag të vdekjes. “Herën e parë, në Sudan, më shpëtoi Zoti. Në të dytën, në Eritrea – Behgjet Pacolli”, thotë Xhejms Berisha që në nisje të intervistës ekskluzive për gazetën “Panorama”, duke na bërë kuriozë për vijimin. Sa për fundin, vjen i lumtur në këtë rrëfim, ashtu siç janë të gjitha historitë e pambaruara. Sepse Xhejms Berisha ka edhe dy shtete të tjera për të përshkuar me avionin e tij para se të mbyllë zyrtarisht misionin “Flying for Kosovo”. Janë Egjipti dhe Libia, dy vendet ku mbizotëron kaosi dhe paniku, por këto nuk janë arsyet përse ai ka ndërprerë fluturimet për Kosovën. Fiks një pyetje për t’iu bërë Xhejms Berishës…
Më 29 shkurt u bënë tre vjet që kur keni nisur lobimin “Flying for Kosovo”, por që është ndërprerë prej shumë muajsh. Për çfarë arsyesh?
Me aeroplanin tim modest “Cesnna 172”, 4-vendësh, me një motor (të prishur tashmë), që e bleva në nisje të misionit, e kam ndërprerë lobimin që në fund të majit 2011, pasi pësova aksident në një shkretëtirë të Sudanit, në Afrikë. Nga përplasja në tokë, avioni më doli jashtë përdorimit. Ndërsa më pas tentova të loboj duke udhëtuar me mjete të tjera, derisa të rregullohej avioni im. Në gusht 2011 u nisa për në shtetin që personalisht e quaj diktatorial, Eritrea, ku më ndodhi aksidenti tjetër dhe mbeta për 5 muaj në burg si peng.
Të ndalojmë pak te aksidenti i parë në Sudan. Çfarë ndodhi?

Xhejms Berisha me Pacollin pas lirimit

U çova në fluturim nga Port Sudan për të shkuar drejt Chartum-it, kryeqytetit të Sudanit. Temperaturat ishin tejet të larta, i kishin kaluar 45 gradë celsius, ndërsa poshtë shihja shkëmbinjtë e shkretëtirës që më ngjanin herë të tillë, e herë si mirazh. Isha rreth 8500 këmbë në ajër, ose 2700 metra mbi nivelin e detit kur ndjeva të dridhura dhe kërcitje në avion. Vaji i motorit plasi gjithandej dhe motori doli jashtë funksionit. Asgjë nuk kontrolloja dot më dhe çfarë ishte më e rrezikshme, shkëmbinjtë ishin tepër të lartë. Nga minuta në minutë mund të bija sipër tyre. Kështu po rrëshqisja drejt tokës, ndërkohë që tentova të kërkoj ndihmë nëpërmjet frekuencave. Fatmirësisht rastisa në frekuencë me një pilot tjetër, me të cilin mbajta komunikimin gjatë gjithë kohës, duke i transmetuar koordinatat. Pas 10 minutash, falë Zotit, arrita të kaloja shkëmbinjtë dhe prej së largu vura re një rrugë të gjatë dhe të gjerë, por të paasfaltuar. Duke qenë se e vetmja gjë që punonte në kabinë ishte timoni, e drejtova atë drejt rrugës që piketova. Pesë minuta më pas, me shumë vështirësi, arrita të prek tokën, duke ecur zvarrë me aeroplan në atë rrugë, e cila për pak metra përfundonte në një humnerë të madhe. Pata fat që në atë rrugë kalonin rrallë makina, pasi përdorej vetëm për t’u lidhur me një minierë, rreth 43 km që aty. Ndërkaq, pilotin me të cilin po rrija në komunikim me anë të frekuencave, e lajmërova për vendndodhjen.
A u lënduat nga ky aksident?
Vetëm tronditje të brendshme pata, jo ndonjë gjë të rëndë. Lëndimin më të madh e pata psikologjik, por edhe material. Nga ky aksident m’u dëmtua aeroplani, i cili edhe sot e kësaj dite ndodhet atje. Motori më i lirë që arritëm të gjenim më pas kushtonte 20 mijë dollarë, ndërkohë që duheshin dhe shpenzime të tjera për transportin, karburantin, dhe misioni nuk i kishte kaq para.
Po vetë, a patët probleme për t’u larguar që andej?
Kam pasur ankth shumë, por edhe ndihmë. Rreth një orë e gjysmë pasi u rrëzova mbi shkretëtirë, që larg po shihja një valë pluhuri që po vinte drejt meje. Një makinë tip “Jeep” u ndalua para meje dhe nuk prita sa të flasin ata, por iu luta në anglisht për pak ujë, duke u treguar njëkohësisht një shishe bosh që e kisha vetë. Pasi më dhanë ujë, nisa t’i tregoj historinë njërit prej tyre që dinte anglisht, i cili mori dikë në telefon. Pas një ore, 30 persona të tjera erdhën pranë meje. Siç mora vesh më vonë, ishin menaxherë dhe punëtorë sudanezë të minierës që ndodhej në fund të asaj rruge. Në mes tyre, dua të përmend atë që tashmë është miku im, kanadezin Denis Baillargeon. Njëherë, gjatë një udhëtimi të tij nga Maqedonia për në Bullgari, atij i kishte ndihmuar një shqiptar në një moment të vështirë. Ai nuk e kishte harruar atë mirësi dhe sapo kishte marrë vesh që jam shqiptaro-amerikan, kishte shfaqur menjëherë dëshirën dhe vullnetin për të më ndihmuar. Atë natë Denisi më mori në ndërtesat pranë minierës dhe më trajtoi si mik shtëpie, duke më ofruar çdo gjë. Të nesërmen, nga siguria nacionale e Sudanit dhe aviacioni civil erdhën ekspertët përkatës për kryerjen e hetimeve mbi aksidentin. Ata tentuan që të më mbanin në paraburgim, por pas përfundimit të procedurave dhe marrjes sime në pyetje, Denisi autorizoi dhe organizoi një ekip për ngarkimin e aeroplanit tim në një kamion karroatrec, me të cilin ata transportonin edhe buldozerët e tyre tejet të rëndë. Për 7 orë ishin 10 persona që mezi e mbaruan këtë proces, i cili përfundoi kur avioni u depozitua pranë minierës, i ruajtur me roje. Transportimi është ndjekur edhe nga forca të shumta e të armatosura të policisë, ndërsa temperatura ishte 47°C. Në ditën e katërt, personeli i minierës më ndihmoi për të shkuar në Port-Sudan për të marrë një vizë, pasi si pilot unë kisha të drejtë qëndrimi vetëm 72 orë. Megjithatë, nuk doja që ta lija në mes misionin. Për më tepër që isha drejt fundit. Në radhë për të lobuar ishte shteti i Eritreas, ku vendosa që të udhëtoj drejt tij me aeroplan komercial. Pra, pagova biletën.
Kur u nisët në Eritrea në Afrikës?
Më 9 gusht 2011. Arrita në aeroport, paraqita dokumentet dhe shkova më pas në hotel. Qëndrova për 6 ditë me radhë dhe gjatë kësaj kohe paraqita shkresën zyrtare pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe fola për lobimin edhe me diplomatë të Francës të atashuar aty, të cilët kanë marrëdhënie më të mira me këtë shtet, që njihet për mënyrën jodemokratike të qeverisjes. U përpoqa të kontaktoj me median, por ndryshe nga shtetet e tjera, ishin të gjitha të censuruara. Pas 6 ditësh duhej të kthehesha në Chartum. U ktheva në aeroport, dhashë pasaportën dhe dokumentacionin e plotë, pagova 20 dollarë taksa dhe po prisja fluturimin. Gjithçka ishte në rregull deri 10 minuta para se të hipja në avion.
Ç’ndodhi në këto 10 minuta?
Më vijnë nga personeli i aeroportit dhe më thonë që t’i ndjek, pasi nuk kam mbushur edhe një formular tjetër para largimit. Shkova pas tyre dhe kur u futëm në zyrë, më pyesin se pse nuk kam vizë.
Pse nuk kishit vizë?
Si pilot, nuk më nevojitej.
Po ju udhëtuat në mënyrë private. Komerciale, siç e theksuat…
Dakord, por unë mbetem sërish pilot. Unë isha futur në aeroportin e Eritreas me të njëjtin dokumentacion që edhe po largohesha. Nëse ato do të kishin qenë problem, atëherë nuk do të më lejohej hyrja. Dhe këtë u përpoqa që t’ua argumentoja, por shpejt erdhën dhe forca të tjera të rendit dhe më arrestuan.
Me çfarë motivi?
Motivin zyrtarisht nuk ma thanë asnjëherë. Me sa kam kuptuar dhe nga sa më është thënë më vonë, policët e sigurisë nacionale që janë direkt nën komandën e Presidentit të Eritreas, shtetit nën diktaturë, kanë dyshuar për mua se jam agjent i CIA-s amerikane.
A keni qenë i tillë?
Jo. Po për këta zyrtarë të policisë, vetëm fakti që unë disponoja pasaportë amerikane më radhiste në listën e të dyshuarve si agjent. Ishin të fiksuar pas idesë së spiunazhit amerikan.
Sa kohë qëndruat nën arrest?
Fillimisht më mbajtën në paraburgim për tri ditë, ku më morën në pyetje. Madje, gjatë ditës së tretë, isha në prag lirimi dhe po më çonin për në aeroport. Por ende pa bërë dy km, dikush i telefonoi oficerit që po më shoqëronte dhe ai më ktheu në qeli. Që aty nisi aventura ime e tmerrshme pas hekurave për 153 ditë.
Kaq u dënuat nga gjykata?
Unë nuk kam dalë asnjëherë para gjykatës, pasi nuk kam pasur akuzë zyrtare. Gjithashtu nuk kam pasur as avokat. Unë jam mbajtur peng në Eritre. Gjatë qëndrimit tim në burg nga 9 gushti e deri më 18 janar, jam marrë 4 herë në pyetje. Këto seanca janë bërë nga koha e arrestimit e deri më 29 shtator. Pas kësaj date askush nuk u kujtua për mua. Ndërkaq, nga momenti i shoqërimit në aeroport nuk kam arritur të komunikoj dot as me misionin dhe as me familjen. Askush nuk e ka ditur se ku jam. E dinin që fluturimi im i fundit ishte Eritrea, por nuk kishin informacion se çfarë kishte ndodhur më pas. Pra që unë gjendesha pas hekurave.
Si jeni trajtuar gjatë kohës së qëndrimit në burg?
Trajtim? Nuk kishte trajtim, por çtrajtim. Unë kam qëndruar i vetëm në qelinë 1 të Burgut Nr. 5 nga gjithsej 15 burgje që ishin në Asmarea. Mendoni në kryeqytetin me 300 mijë banorë kishte 15 burgje dhe të gjitha ishin të mbipopulluara. Mua më mbanin më vete për të tjera arsye. Njerëzit jetonin me frikën e spiunimit dhe askush nuk guxonte të fliste. Edhe mua në fillim, në atë gjysmë ore që dilja të merrja ajër të pastër, askush nga të burgosurit nuk më afrohej nga paniku se mund të akuzoheshin edhe ata si bashkëpunëtorë të “agjentit të CIA-s”. Në qeli nuk kisha as krevat. Si i tillë shërbente një shtrojë shumë e hollë kashte, e qepur nëpër të. Për mbulesë kisha vetëm një batanije të lehtë, që e përdorja njëkohësisht edhe për të fjetur mbi të, edhe për t’u mbuluar. Sa i përket ushqimit, unë do të kisha vdekur nëse nuk do të më kishin dhënë për të ngrënë nga buka e nënave të tyre të burgosurit e tjerë. Ushqimi i qelisë ishin vetëm fletë lakre, thjerrëza ose spinaq me ujë, të paziera mirë.
A jeni dhunuar në burg?
Fizikisht nuk jam dhunuar asnjëherë. Por psikologjikisht më kanë rrënuar. Akoma nuk e ndiej veten mirë, pasi më kishin humbur shpresat se do të dilja gjallë nga ai burg. Siç ju thashë, nga 29 shtatori as për të më marrë në pyetje nuk erdhi më njeri. Dhe duke dëgjuar aty histori, që disa të burgosur kishin mbetur aty si puna ime me vite, ndihesha njëkohësisht gjallë dhe vdekur. Nuk besoja se do të lirohesha.
Dhe kur e besuat?
Vetëm kur kam parë zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli. Nuk kam për t’ia harruar kurrë të mirën që më bëri. Më dha jetën për së dyti, ndaj edhe ia kam borxh vetë jetën time. Ishte e martë, 17 janar 2012, ora 17:00 kur më vjen një oficer i sigurisë kombëtare dhe shefi i burgut. Ky i fundit, si me gjysmë shakaje, më tha: “Nëse dëshiron të kthehesh në shtëpinë tënde, duhet të lahesh dhe pastrohesh. Nesër në ora 07:00 do të jesh i lirë dhe nuk duam që të afërmit e tu të të takojnë kështu”. Pavarësisht deklaratës, nuk e besova, por gjithsesi bëra siç tha. Gjithë natën nuk fjeta, duke menduar nëse ishte apo jo e vërtetë. Të nesërmen ora shkoi 7:00. Kaloi 8, 9, 10 dhe… asnjë lajm. I humba dhe ato pak shpresa që m’u ndezën, por pikërisht në këtë kohë, në orën 10:35, vjen të më takojë drejtori i Protokollit të Ministrisë së Jashtme të Ertiresë. Ai më përshëndeti dhe më ofroi një palë dokumente për të firmosur. Më pas më drejtoi drejt një makine luksoze dhe disa policë të burgut më hapën derën që të futesha. Fërkoja sytë dhe kujtoja se po ëndërroja. Makina u nis, ishin dhe dy zyrtarë brenda. Atëherë guxova të pyes: “Nuk jam mirë psikikisht. Ju lutem, më tregoni çfarë po ndodh”. Njëri prej tyre ma ktheu: “Një delegacion nga Kosova po pret që t’ju marrë në aeroport”. Në ato çaste shpërtheva në lot. Kurrë me krenar nuk jam ndier që Kosova, shteti i vogël me dy milionë banorë, të kishte fuqi më të madhe për shpëtimin e jetës sime, sesa SHBA e 300 milionë banorëve. Në fakt, që në momentin që ai zyrtari përmendi “delegacion”, e mora me mend që pas gjithë këtij organizimi duhej të ishte Behgjet Pacolli. Vetëm eksperienca e tij për lirimin e pengjeve, diplomacia dhe miqësitë e fuqishme që ka, mund të më shpëtonin edhe mua, siç ndodhi. Kur arritëm në aeroport, mua më dërguan te hapësira VIP dhe që aty drejt një avioni privat. E dallova që kishte germën “N”, shenja dalluese për avionët amerikanë dhe u lumturova. Përmes një tapeti të kuq u ngjita deri në katin e dytë dhe aty po prisja.
Nuk ishte aty z.Pacolli?
Bashkë me z. Pacolli kishte ardhur për të më marrë edhe biznesmeni Remzi Ejupi. Atyre u ishte kërkuar që ndërkohë që do të lirohesha unë, të vizitonin kryeqytetin, Asmarenë. U kthyen disa minuta më vonë dhe sapo hynë në katin e parë, zbrita dhe unë. U hodha në krahët e të dyve dhe qava si fëmijë mbi supet e tyre. Pas 5 muajsh, më në fund po flisja shqip. Kur avioni u ngrit në orën 14:31, pas disa vonesash për marrjen e lejeve dalëse, më në fund kam marrë frymë i lirë.
Po me familjen tuaj, u lidhët ndërkohë?
Në Eritrea jo, pasi ishim akoma në ankth, derisa u ngritëm në qiell. Megjithatë, ata ishin në dijeni për bisedimet e z.Pacolli dhe e prisnin kthimin tim. Atë ditë ne nuk u kthyem menjëherë në Prishtinë siç ishte parashikuar, por devijuam në Stamboll.
Pse devijuat?
Sepse nuk isha mirë. Qëndrimi im në burgun e Asmaras kishte ndikuar tejet keq në psikologjinë time. Doja të isha i kthjellët kur të takoja familjen time, anëtarët e misionit, por edhe të gjithë popullin e Kosovës që po më prisnin me padurim. Kur mburrim në Stamboll, u çmalla në telefon me nënën dhe krejt familjen time. Ndërkaq, u lidha drejtpërdrejt në telefon me RTK-në, duke u dhënë provën e zërit tim se isha gjallë.

ELISABETA ILNICA


1459
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI