Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Bac Adem, "pavarësia e dytë" u kry!
Publikuar me 17 Shk 2008

Bac Adem, "pavarësia e dytë" u kry!

Xhafer Rakipllari
Kur në marsin e ’98 korrespondenti i AFP-së Zhan Pier Kampanjë shkruante për qytete fantazma, të shkatërruar dhe të minuar nga serbët, nga kulla e Jasharëve, shkrumbuar nga paramilitarët serbë, një tym i zi dhe i trashë ngrihej në lartësi drejt malit. Në hyrje të Prekazit, një vocërrak davarisej në rrugën e shkretë, me flokët që i mbulonin fytyrën dhe fshihnin lotët. Bonjak dhe i pashpresë, nga shtëpia kish ikur një ditë më parë, por e ndjente se do të kthehej sërish. Kurse nëna dhe motrat e tij kishin “ikur” përgjithnjë. Djali i vogël, me flokët e gjata si “çikë”, thoshte se banonte atje; dhe bënte me gisht malet nga ku babai i tij kish nxituar me pushkë në dorë dhe qeleshe me flamur të kuq në ballë. Edhe sot Prekazi dhe Drenica skuqen.
Në sheshet, rrugët kryesore të saj, Prishtinës, Prizrenit, Mitrovicës, Pejës dhe gjithë qyteteve në Kosovë valëviten si rrallëherë flamuj kombëtarë. Në anën tjetër, Tirana, Shkupi, Ulqini, Presheva dhe kudo ku jetojnë shqiptarë festojnë ditën historike të pavarësisë së Kosovës. Në një nga rrugët kryesore të kryeqytetit më të ri në hartën e Evropës, Prishtinës, disa të rinj kanë vendosur një foto të madhe të komandantit dhe heroit legjendar, Adem Jashari, ku shkruhet “Bac, u kry!”. Po, po, pavarësia u kry! Betejat e luftëtarëve shqiptarë në Kosovë për të fituar pavarësinë që nisën qyshse nga ndarja e trojeve etnike shqiptare nuk i sollën Kosovës çlirimin apo bashkimin kombëtar, por amaneti i atyre trimave për të rrokur “pushkët e lirisë”, u përcoll brez pas brezi duke i falur Kosovës së begatë heronj legjendarë si Adem Jashari.

 Teksa në qershor ’99 bëhej bilanci i luftimeve të ashpra me paramilitarët serbë kuptohej qartazi gjëma e shkaktuar: 10 000 të vdekur, 20 000 femra të dhunuara, 3 000 persona të zhdukur, më shumë se 1 milion të zhvendosur me dhunë, dhe 70 % e infrastrukturës e shkatërruar; mes dëshmorëve ishte dhe heroi legjendar Adem Jashari, lindur më 28 nëntor ‘55 mbështjellë me flamurin e Skënderbeut dhe vdekur më 6 mars ‘98 duke kënduar himnin shqiptar. Lindja dhe vdekja e Bacës Adem u shoqërua me krisma e këngë, se shqiptarët edhe vdekjen e bëjnë me krisma e këngë. Prekazi, Drenica dhe Kosova u ndjenë krenare në çdo të shtënë pushke për Bacën, aq sa thirrjet "Prite, prite Azem Galicën o heeejjj", e zëvendësuan me "Prite, prite Adem Jasharin o heeejjj". Baca Adem e dashuronte Kosovën, trimat e tij ishin të çliruar nga ideologjizmat, veç shqiptarizmës. Kur nisi vala e arrestimeve në fund të vitit ‘91 Baca ishte i pari që mbërtheu fort pas vetes pushkën dhe u përsëristi shokëve: "Armët nuk i kemi marrë që t'ia dorëzojmë armikut, por që të luftojmë deri në fishekun e fundit". Dhe djemtë e shqipes nuk lanë armët, por u përgjigjën duke dhënë jetën si theror për pavarësinë. Gjithë Kosova luftonte me ta në Kullën e Jasharëve.

Shkjau kishte vrarë Bacën Adem, por kishte krijuar një legjendë. Me rënien dëshmor të Bacës, çetës së tij dhe mijëra ushtarëve të UÇK-së , Kosova çeli shtegun e lirisë. Heroizmi i komandantit i dha shtytjen më të fuqishme shqiptarëve atdhetarë në rrokjen në masë të armëve drejt rrugës së pakthim të lirisë. Në këto çaste të shumëpritura dhe mallëngjyese për mbarë botën shqiptare, Baca Adem, me jetën, veprën dhe lavdinë e tij i jep përmasa akoma më të mëdha Festës tonë të dytë të pavarësisë.
Sot, djaloshi i vetmuar rrugëve të Prekazit të shkretuar ecën kryelartë duke nderuar figurën e Bacës; nga frengjitë e kullave nuk del më tym, por valvitet flamuri kuqezi. Drejt maleve, me mall e kthen sërish vështrimin, kësaj radhe për ti treguar atit dhe Bacës se amaneti i tyre u vu në vend… Bac Adem, u kry!


1586
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI