Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

10 grabitjet me te bujshme te bankave ne histori.
Publikuar me 26 Sht 2010

10 grabitjet me te bujshme te bankave ne histori.

Duke marrë shkas nga tentativa e grabitjes së një banke në Tiranë nëpërmjet një tuneli, skenar ky, i cilësuar si hollvudian,Veriu Portal sjell  10 historitë më të famshme të vjedhjeve të bankave. Grabitës të dhunshëm, por edhe Robin Hud fisnikë, plane të studiuara prej muajsh, ndoshta dhe prej vitesh, por edhe shkrepje mendimi spontan, histori të papërsëritshme dashurie, por dhe pranga të ftohta tradhtie. S’kishte si pjesa më e madhe e tyre t’u shpëtonte prej duarsh regjisorëve, të cilët skenarin për filmin e tyre e kishin gati. A nuk është e tillë historia e çiftit të famshëm Bonnie dhe Clyde, grabitësve të bankave e dyqaneve, të cilëve iu janë kushtuar libra e këngë?

1. Grabitja e “Dunbar Armored”     
Grabitja e “Dunbar Armored” është më e madhja e kryer ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka ndodhur në vitin 1997 në Los Anxhelos, Kaliforni. Grabitësit arritën të merrnin nga “Dunbar Armored” 18.9 milionë dollarë. Truri i kësaj grabitjeje gjigande ishte Allen Pace, i cili punonte në Dunbar si inspektor rajonal i sigurisë. Gjatë kohës së shërbimit ai kishte mundësi që të fotografonte dhe ekzaminonte depon e blinduar të makinave të kompanisë. Ai rekrutoi pesë prej shokëve të tij të fëmijërisë dhe më 13 shtator 1997 Pace përdori çelësat e tij për të hyrë në ndërtesë. Ai i kishte kronometruar kamerat e sigurisë dhe kishte përcaktuar se si duheshin shmangur. Sapo hynë brenda grabitësit pritën në barin e stafit duke sulmuar rojet një nga një. Pace e dinte që të premteve në darkë kasaforta depoja kryesore ishte e hapur për shkak të shumave të mëdha të parave që zhvendoseshin. Ai dinte saktësisht se cilat çanta duhej të merreshin. Policia e kuptoi menjëherë se kjo ishte një grabitje e kryer nga persona të brendshëm dhe ekzaminuan Pace-in por s’mundën t’i gjenin asgjë. Por një prej anëtarëve të bandës Lamar Hill gaboi kur i dha një personi një shumë parash të mbështjella akoma me shiritin e kompanisë. Personi në fjalë shkoi menjëherë në polici dhe Hill u arrestua. Ai shumë shpejt rrëfeu emrat e bashkëpunëtorëve të tij dhe Allen Pace u dënua me 24 vite burg. Por një pjesë e parave prej 14 milionë dollarësh akoma nuk janë gjendur.

2. Vjedhja e Bankës së Amerikës  
Në vitin 1998, një gangster i quajtur Ralph Guriano vendosi të grabisë Qendrën Tregtare Botërore të Bankës së Amerikës. Ai kishte një person të brendshëm me të cilin bashkëpunoi, të quajtur Salvatore Calciano, i cili kishte punuar në këtë vend për 20 vjet. Kështu një kamion u parkua në garazhin e bankës, dy persona qëndruan në kamion, ndërsa të tjerët të armatosur dhe të maskuar sulmuan dy roje të sigurisë, të cilët ishin duke transportuar paratë e nga kati i 11-të i ndërtesës në parkingun e saj. Sulmi ndodhi në ashensor kur banditët arritën ta ndalonin atë dhe të futeshin brenda tij, duke i neutralizuar dy rojet. Pas kësaj grabitësit morën 10 çantat e mbushura me para dhe i ngarkuan në kamionin që ishte duke i pritur në garazhin e ndërtesës. Sasia e parave që ndodheshin brenda çantave ishte gati 3 milionë dollarë.


 


3. Grabitja e Bankës Qendrore në Brazil   
Cilësohet si një nga grabitjet më të mëdha në botë. Një bandë grabitësish, në fundjavën e 6-7 gushtit të vitit 2005, u futën me anë të një tuneli në Bankën Qendrore në Fortaleza të Brazilit. Ata morën 5 kontenierë me bankënota, me një vlerë prej 70 milionë dollarësh, ose 61 milionë eurosh. Grabitësit, tre muaj më parë ngjarjes, kishin marrë me qira një shtëpi boshe në qendër të qytetit dhe që atje hapën një tunel 78 metra të gjatë. Shtëpinë ata e kishin kthyer në një dyqan me lule natyrale dhe dheun që nxirrnin nga toka, e justifikonin me ndërrimin e plehut të luleve. Tuneli ishte ndërtuar mirë, 4 metra nën sipërfaqe të tokës. I veshur me materiale druri dhe plastike, ai ishte ndriçuar mirë dhe kishte sistem me ajër të kondicionuar. Pas futjes në bankë, grabitësit çaktivizuan gjithë sistemin e alarmit të brendshëm dhe sensorët. Gjatë fundjavës, ata patën kohën e duhur për të nxjerrë bankënotat, të cilat peshonin rreth 3.5 kuintal. Rreth 50 persona janë arrestuar në lidhje me ngjarjen, në mes tyre të afërm të rojeve të sigurisë, policë. Disa prej të dyshuarve janë gjetur të vrarë.

4. Great Brinks  
Vjedhja me armë e Great Brinks, në gradacielën “Brinks” në Boston, Massachusetts, më 7 janar 1950, është cilësuar si një nga krimet e shekullit në SHBA. Grabitësit arritën të vidhnin rreth 1.2 milionë dollarë në kesh dhe gati 1.5-milionë dollarë të tjera në formë çeqesh.  Banda e përbërë nga gashtë persona studioi për gati dy vjet nga një ndërtesë fqinj të gjitha lëvizjet e punonjësve në depot e gradacielës ku mbaheshin paratë. Ata arritën të vidhnin kopjet e çelësave të kasafortave si dhe sistemet e alarmit të depove. Pas dy vjetësh, më 7 janar 1950, banda vendosi të veprojë. Të veshur me uniformat e punonjësve të sigurisë së ndërtesës grabitësit u futën në ndërtesë në orën 6.50 të mëngjesit dhe pasi eliminuan disa punonjës të sigurimit, hapën kasafortat dhe morën andej të gjitha sasitë e parave. Policia amerikane arriti të zbulojë disa anëtarë të bandës grabitëse vetëm disa vjet më vonë.

5. Kenneth Noye
Një prej grabitjeve më të mëdha në botë është edhe ajo e vjedhjes së 10 tonë shufrave ari dhe 3 milionë stërlinash në aeroportin “Heathrow Airport” në Londër, më 26 nëntor 1983. Ideatori dhe organizatori i kësaj grabitje është anglezi Kenneth Noye, i cili së bashku me gjashtë bashkëpunëtorë të tjerë arriti të hapë magazinën sekrete në aeroport, duke realizuar kështu një nga grabitjet më spektakolare. Policia angleze arriti të zbulojë autorët e kësaj grabitje dhe të arrestojë bashkëpunëtorët e Kenneth Noye. Ky i fundit arriti të fshihej, dhe vetëm në vitin 1986 policia arriti ta arrestojë atë. Ai u dënua me 14 vite burg, nga të cilët kreu vetëm tetë. Aktualisht Kenneth Noye është duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm që gjykata angleze i dha në vitin 1998 për vrasjen e një të riu.

6. Valerio Viçei  
Grabitësi italian hyri në historinë si autori i një prej vjedhjeve më të mëdha të bankave. Në 12 korrik 1987 ai është autori i grabitjes së depozitave bankare “Knightsbridge Security Deposit” në Londër, Angli. Ai arriti të grabisë gati 40 milionë stërlina angleze dhe 68 milionë dollarë, shumë që e barabartë me kursin e sotëm është gati 200 milionë dollarë. Vjedhjen ai e realizoi në sajë të bashkëpunimit me të fejuarën e drejtorit të bankës, të cilën ai kishte vetëm pak kohë që e kishte zënë të dashur. Valerio Viçei u arrestua vetëm një muaj pas grabitjes së tij, më 12 gusht 1987, pas një ndjekje spektakolare me makina midis tij dhe policisë angleze. Gjatë ndjekjes së policisë Valerio Viçei ishte nën drejtimin e një “Ferrari Testarossa”. Pas vendimit të gjykatës angleze, ai u ekstradua në Itali, ku më 18 prill të vitit 2000 ai vritet nga policia italiane gjatë një tentative tjetër të tij për të grabitur.

7. Albert Spaggiari
I thirrur nga shokët Berti, krimineli francez njihet si truri i grabitjes së bankës “Societet Generale” në Nisë, në vitin 1976. Megjithëse ai kishte krijuar një jetë komode, ajo i dukej e mërzitshme dhe prandaj i hyri rrugës së krimit. Me anë të një tuneli dhe të bashkëpunëtorëve të tij, në një fundjavë, kur Franca festonte “Ditën e Bastilles”, ai grabiti në “Societete Generale” 400 kuti depozite dhe vodhi rreth 60 milionë franga. Në disa kuti, Spaggiari dhe njerëzit e tij gjetën edhe fotografi nudo të VIP-ave të vendit, të cilat i ngjitën në muret e bankës, kështu kushdo që hynte mund t’i shihte. Ata lanë edhe një mesazh në muret e bankës: “Pa urrejtje, pa dhunë, pa armë”. Ky ishte mesazhi i Spaggiarit për botën, dhe ai  e konsideronte veten më shumë se një hajdut ordiner. Pas arrestimit të një prej bashkëpunëtorëve të tij, policia arrin edhe tek Spaggiari. Atë e arrestojnë sapo kthehej nga Lindja e Largët, ku kishte shkuar si fotograf gjatë vizitës të kreut të bashkisë së Nisës. Më pas arratiset nga dritarja e gjykatës, ndërsa i kishte çuar gjykatësit një dokument të kodifikuar duke i tërhequr vëmendjen me të. Në vitin 1989, trupi i tij i dorëzohet së ëmës dhe vdekja e tij cilësohet në rrethana të mistershme.

8. Andre Stander, Afrika e Jugut
Historia e kapitenit të policisë dhe një prej hajdutëve më të mëdhenj të bankave, Andre Stander u shndërrua nga kinemaja amerikane në një film i cili u shfaq në vitin 2003. Andre Stander ishte një oficer i lartë policie dhe shërbente në departamentin e vrasjeve dhe të grabitjeve në Johannesburg, në vitet ‘70. djali i një prej gjeneralëve më të njohur të Afrikës së Jugut, Andre Stander filloi të grabiste banka në mesin e viteve ‘70. Grabitjet ai i kryente gjatë pushimit të drekës që ai kishte kur kryente shërbimin. Menjëherë pas grabitjes ai kthehej në skenën e krimit si oficer policie për të hetuar grabitjen. Ai u arrit të zbulohej për krimet e tij vetëm pasi kishte kryer 30 grabitje bankash. Por, megjithëse u arrestua dhe u dënua me 75 vjet burg në vitin 1980, ai arrin të arratiset nga burgu, duke u larguar më pas në SHBA. Në vitin 1984 ai vritet në Florida gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë amerikane.

9. Edward Ned Kelly
Edward Ned Kelly, është grabitësi i bankave i kthyer në legjendë në Australi. Ai jetoi në vitet 1855-1880 dhe përveçse një hero popullor për mosbindje ndaj autoriteteve koloniale, ai njihej si Robin Hudi i kohëve moderne. Altruist dhe kavalier, ai kishte fituar famën e Robin Hudit. Që fëmijë ai kishte probleme me ligjin. Në moshën 14-vjeçare u arrestua për herë të parë, pasi ofendoi një pronar ferme. Një vit më vonë u arrestua sërish, pasi u akuzua si bashkëpunëtor i një grabitësi bankash. Por këtë “talent” të tij ai e përdori më vonë bashkë me bandën e tij që quhej “Banda e Nedit” dhe që përbëhej nga vëllezërit e tij më të vegjël. Kështu në vitin 1878, ai bashkë me bandën e tij grabiti bankën “Euroa” me metodën e pengjeve. Një vit më pas, ata thyejnë bankën “Jerilderie”, një ngjarje e cila është cilësuar si më e guximshmja dhe me një plan shumë të zgjuar. Banda hyri në policinë e Sidenit dhe futi në qeli dy policë. Me veshjet e tyre, dy anëtarë të bandës, Nedi dhe Joe Byrne shkuan në bankë dhe vodhën 2 mijë paund. Ndërkohë, pjesa tjetër e grupit kishte tërhequr vëmendjen e policisë dhe të njerëzve, duke mbajtur disa pengje në një hotel. Në vitin 1880 Nedi kapet dhe dënohet me varje. Qelia e tij, sot është kthyer në muzeun “Ned Kelly”.

10. Bonnie and Clyde 
Ky çift ka qenë subjekt i shumë filmave e këngëve. Më e fundit është ajo e kënduar nga këngëtarja Beoynce me Jay-z. Bonnie Parker (1910–1934) dhe Clyde Barrow (1909–1934) ishin grabitës bankash me nam, të cilët udhëtuan nëpër pjesën qendrore të Shteteve Bashkuara gjatë periudhës së Depresionit të Madh. Aktet e tyre ishin të njohura në mbarë vendin. Ata tërhoqën vëmendjen e shtypit amerikan dhe lexuesve gjatë asaj periudhe, e cila shpesh herë cilësohet si “era e armikut publik” ndërmjet vitit 1931-1935. Edhe pse ata mbahen mend si grabitës bankash, Bonnie dhe Clyde zakonisht preferonin të grabisnin dyqane të vegjël apo qendrat e karburantit të vendosura buzë rrugës. Ka shumë versione për njohjen e tyre, por mbi një pikë të gjithë bien dakord: ishte dashuri me shikim të parë. Bonnie dhe Clyde u vranë më 23 maj 1934, në një rrugë të shkretë, pranë Luizianas nga katër policë teksanë e dy nga Luiziana.


5921
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI