Llogaria ime
Veriu Portal
Lajme
Zyrtare, shtohen dy taksa të reja në 2017

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, akciza e gazit për makinat do të jetë 13 lekë për litër, ndërsa taksa e luksit do të paguhet nga makinat me vlerë 5 milionë lekë, nga 7 milionë që është aktualisht.

Komisioni i Ekonomisë miratoi dje në parim vetëm me votat e maxhorancës paketën fiskale për vitin e ardhshëm.

Paketa fiskale përfshin edhe ulje të rentës minerale nga 6 për qind në 3 për qind, ulje të akcizës për duhanin vendas nga 4400 lekë/kg në 2500 lekë/kg, si dhe zerim të tarifave doganore për industrinë e fasonëve, që aktualisht janë 2 deri në 15 për qind.

Paketa fiskale u prezantua nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili i cilësoi ndryshimet disiplinuese dhe nuk kanë si qëllim rritjen e të ardhurave.

“Paketa është modeste në influencën e të ardhurave, gatigati e papërfillshme. Ne kemi planifikuar 27 miliardë lekë të ardhura më shumë në 2017-n dhe i gjithë kontributi është nga rritja ekonomike dhe përmirë- simi i miradministrimit”, u shpreh ministri i Financave.

Opozita votoi kundër paketës fiskale, pasi, sipas ish-ministrit të Financave, Ridvan Bode, paketa fiskale është klienteliste dhe nxit evazionin.

Deputeti i opozitës, Bode, u shpreh se aplikimi i akcizës së gazit, jo vetëm rëndon qytetarët, por shton edhe premisat e evazionit.

“Vendosja e akcizës së gazit çorodit tregun dhe shton premisat për evazion fiskal. Nuk është koha për të rritur akcizën e gazit në treg, pasi përdoret nga familjarët”, u shpreh Bode.

Ministri i Financave, Ahmetaj, shpjegoi se nuk do të ketë rritje të gazit që përdoret nga familjarët.

“Nuk më takon të përdor fjalë përtej kuadrit zyrtar si çoroditëse, por për gazin të jemi korrektë. Nuk kemi vendosur akcizë të gazit që përdoret nga familjarët, për gatim apo ngrohje, dhe nuk do ta bëjmë këtë gjë, e vendosim vetëm për automjetet”, tha Ahmetaj.

Ministri sqaroi se ndryshimet do të rrisin sigurinë e mbushjes së bombolave të gazit nga familjarët.

“Është një korrektim edhe për çështjet e sigurisë për qytetarët, ku për automjetet mbushja e gazit do të jetë vetëm në pikat e benzinatës. Për qytetarët, pikat e mbushjes së gazit do të jenë specifike me elemente shtesë sigurie. Orientimi është kërkuar Ministria e Energjetikës. Nëpërmjet destinimit të pikave të mbushjes së gazit për makinat dhe veç për qytetarët kemi dy elemente, sigurinë dhe mundësinë e uljes apo zerimit të evazionit”, u shpreh ministri.

Përditësuar me 25 Nen 2016

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI
Jeni të kënaqur me masat e marra për Koronavirusin