Llogaria ime
Veriu Portal
Lajme
Shoqata e biznesit: Të veprohet sa më shpejt, ja 8 propozimet

Dhomat e Tregtisë dhe shoqatat e tjera të biznesit, në një shkresë zyrtare që i kanë dërguar kryeministrit Edi Rama, ministres së financave Anila Denaj, ministrit të shtetit për Mbrotjen e Sipërmarrjes, Eduard Dhalsi dhe ministrit për rindërtimin, Arben Ahmetaj kanë kërkuar 8 masa mbështetëse për sipërmarrjen, e cila sipas tyre po i drejtohet kolapsit.

Konkretisht, propozojmë si më poshtë vijon:

1. Të kompensohen pagat e punonjësve dhe të përjashtohen nga të gjitha detyrimet fiskale deri në kthimin në normalitet, të gjitha:

a. Sipërmarrjet e sektorit të transportit të udhëtarëve urban, ndërurban dhe ndërkombëtare.

b. Sipërmarrjet e sektorit të hoteleri turizmit dhe agjensitë e rrugëtimit.

c. Sipërmarrjet e biznesit të vogël dhe të mesëm që janë të mbyllura si pasojë e masave shtrënguese.

2. Të përjashtohen deri në kthimin e normalitetit nga:

a. Detyrimet fiskale (tatim fitimi, tvsh, sigurimet shoqërore, tatimi mbi të ardhurat dhe tatimi në burim) për të gjitha sipërmarrjet që të ardhurat e muajt mars 2020 janë 20% më pak se mesatarja e muajt shkurt dhe janar 2020.

b. Të aplikohet 20% ulje të çmimit për furnizimin me energji elektrike dhe ujë për të gjitha sipermarrjet në sektorin e prodhimit.

c. Detyrimet e sektorit të hotelerisë për taksën vendore (lek/krevat) si dhe të gjitha taksat e tjera vendore që kanë të bëjnë me pasuritë e sipërmarrjes private deri në kthimin e normalitetit.

d. Të gjitha detyrimet nga taksat vendore për mjetet e trasnportit të udhëtarëve dhe  ambienteve që përdoren dhe shërbejnë për aktivitetin e biznesit edhe nëse këto ambiente janë me kontratë qiraje dhe jo vetëm në pronësi të vetë sipërmarrjes.

dh. Subvencion i 50 % të vlerës së qirasë për të gjitha sipërmarrjet e pezulluara nga masat shtrënguese për muajt mars dhe prill.

e. Për automjetet e transportit te pasagjereve të shtyhet vlefshmëria e siguracionit dhe taksave për një periudhë të barabartë me kohëzgjatjen e pezullimit të veprimtarisë, por jo me pak se 3 muaj.

ë. Të shtyhen për një periudhe 3 mujore vlefshmëritë e të gjitha autorizimeve apo liçensave që sipërmarrja private posedon në ushtrimin e aktivitetit.

3. Të përjashtohen nga të gjitha detyrimet e pikës 2 si dhe të kompensohen nga qeveria shqiptare të gjithë punonjësit e kompanive që të ardhurat e muajt mars 2020 janë 30% më pak se mesatarja e muajt janar dhe shkurt 2020. (Në rast se kompanitë nuk kanë bërë shkurtime më shumë se 10% të fuqisë punëtore).

4. Garancia sovrane e vënë në dispozicion të sipërmarrjes private duhet të jetë e pa limituar dhe të përmbushë të gjitha kërkesat e sipërmarrjes private që kanë një rënie të të ardhurave në muajin mars 2020 më shumë se 20% e mesatares së muajt janar dhe shkurt 2020, përfshirë edhe sipërmarrjet bujqësore, blegtorale dhe peshkimi.

Këto sipërmarrje, aplikojnë për kredi vetëm:

– për likuidimin e pagave të  punonjësve

– për likuidimin e furnitorëve

– për kapital qarkullues.

Garancia sovrane duhet të ofrohet:

a. Me një tarifë interesi jo më shumë se 0,2%.

b. Shlyerja e kësaj kredie të fillohet në janar të vitit 2021, gjithmonë nëse jemi në fazën e kthimit në normalitet.

c. Kësti i shlyerjes mujore nuk duhet të jetë më shumë se 20% e fitimit mujor të realizuar nga kompania kredimarrëse.

5. Të rishikohet me mënyrë të përshpejtuar proçeduriale buxheti, duke hequr dorë nga investimet dhe shërbimet publike jo bazike në përputhje me gjendjen e fatkeqësisë natyrore, në mënyrë që të krijohen instrumentat financiare për të përballuar situatën covid-19.

6. Qeveria shqiptare (institucionet e pushtetit qëndror dhe pushtetit lokal), të marrë masat që të likuidojë të gjitha detyrimet ndaj sipërmarrjes private, brenda muajit prill 2020, si dhe të shlyej në kohë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kontratat e veprave dhe shërbimeve publike që nuk janë të anulluara me apo pa rishikim buxheti.

7. Të pranohet automatikisht nga sektori financiar kredidhenes kërkesa e sipërmarrjes private si kredimarrës për riskedulimin e kredisë (shtyerje afati të paktën 3 muaj) dhe në varësi të situatës së masave shtrënguese.

8. Për të gjitha donacionet, që sipërmarrja shqiptare do të ndërmarrë për t’i ardhur në ndihmë përballimit të situatës Covid-19, kërkojmë njohjen e tyre si shpenzim i zbritshëm nga sistemi fiskal.

Miratimi i kërkesave të mësipërme, propozuar nga të gjitha përfaqësitë e sipërmarrjes private, do të sjellë një lehtësim të situatës duke bërë të mundur dhe rikuperimin e shpejtë të aktivitetit ekonomik.

Duke shpresuar në bashkëpunim dhe bashkërendim të qeverisë që Ju përfaqësoni, sistemi i dhomave të tregtisë dhe industrisë së Shqipërisë, si edhe të gjithë shoqatat e sipërmarrjes private në Shqipëri, janë të angazhuara për të qënë pjesë e tryezave dhe debatit teknik në mënyrë që qeveria shqiptare të hartojë një paketë financiare suportuese në dobi të sipëmarrjes private dhe ekonomisë shqiptare në tërësi.

Kryetarja e bashkimit të dhomave të tregtisë dhe industrisë Shqipëri, zonja Ines Muçostepa, përfaqëson dhe të drejtat e këtij bashkimi dhomash tregtie dhe shoqata biznesi që mbështesin këtë paketë financiare.

Përditësuar me 05 Pri 2020

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI
Jeni të kënaqur me masat e marra për Koronavirusin