Llogaria ime
Veriu Portal
Lajme
Shifrat/ Popullsia e shqipërisë rritet për herë të parë pas 16 vitesh

Popullsia e Shqipërisë në 1 Janar 2017, rezultoi 2.88 milionë duke pësuar rritje për herë të parë që nga viti 2001.

Krahasuar me një vit më parë popullsia u rrit me 1 mijë banorë, raportoi INSTAT.

Në 1 Janar 2017, popullsia banuese e Shqipërisë përllogaritet 2.876.591 banorë, krahasuar me 2.875.592 që ishte në 1 Janar 2016.

Gjatë vitit 2016, kanë lindur rreth 32 mijë foshnje, ndërsa kanë vdekur rreth 21 mijë persona.

Shtesa natyrore e popullsisë ishte pozitive me rrerth 11 mijë persona.

Nga ana tjetër, migracioni neto ka pësuar një rritje në krahasim me vitin e mëparshëm edhe pse vazhdon të mbetet negativ.

Për herë të parë pas vitit 2001, shtesa natyrore tejkaloi migracionin neto, duke rezultuar në një rritje të lehtë të numrit të popullsisë banuese në 1 Janar 2017.

Instat pohon se krahasimi i dy piramidave të popullsisë 2011-2017, siguron një evidencë të qartë të procesit të moshimit në vend, i cili ka filluar të jetë prezent në zhvillimin demografik të vendit.

Një reduktim i bazës së piramidës (ulja e numrit të lindjeve) vihet re nga viti 2010 deri në vitin 2016.

Nga ana tjetër rritja e jetëgjatësisë ka bërë më numeroze pjesën që zenë të moshuarit në popullsinë e Shqipërisë, siç duket edhe nga zgjerimi i piramidës në pjesën e sipërme (65+ vjeç).

Në vitin 2016 raporti i varësisë së të rinjve ka shënuar një rënie në krahasim me vitin 2015, nga 27,3 % në 26,7 %, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve ka pësuar një rritje të lehtë nga 18,4 % në 18,9 % gjatë të njëjtës periudhë.

Raporti gjinor në lindje po i afrohet nivelit natyror (105 meshkuj për 100 femra), duke shënuar vlerën 106.9 në vitin 2016, nga 109.5 që ishte në vitin 2015.

Raporti gjinor i popullsisë gjithsej ka pësuar një rënie të lehtë, në krahasim me vitin 2015 nga 102.7 në 102.5 meshkuj për 100 femra.

Mosha medianë e popullsisë u rrit nga 34 vjeç në 2015 në 35 vjeç në 2016.

Migracioni neto (diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve), pësoi një tkurrje si pasojë e uljes së numrit të emigrantëve nga rreth 41 mijë në rreth 33 mijë dhe rritjes së numrit të imigrantëve nga rreth 21 mijë në rreth 23 mijë gjatë 2015-2016.
Tirana, Fieri, Durrësi dhe Elbasani kanë peshën më të lartë në popullsinë gjithsej.

Në 1 Janar 2017, Tirana zë rreth 30 % të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, duke u ndjekur më pas nga Fieri (11 %), Durrësi (10 %) dhe Elbasani (10 %). Sa i përket qarqeve të tjerë, pesë prej tyre zënë 2 % deri 5 % të popullsisë gjithsej.

Në 1 Janar 2017, popullsia u rrit në tre qarqe të vendit
Përllogaritjet e popullsisë në 1 Janar 2017 treguan se vetëm tre qarqe të vendit shënuan një rritje të popullsisë krahasuar me një vit më parë, ndërsa nëntë prej tyre shënuan një rënie të saj.

Rritja më e madhe u vu re në Tiranë (+23.0 për 1000 banorë), duke u pasuar nga Durrësi (+16.5 për 1000 banorë) dhe Vlora (+4.15 për 1000 banorë).

Në të kundërt, uljet më të mëdha të popullsisë u vunë re në Gjirokastër (-30.6 për 1000 banorë), Dibër (-26.9 për 1000 banorë), Berat (-25.8 për 1000 banorë) dhe Kukës (-21.3 për 1000 banorë).

Në total, popullsia banuese e Shqipërisë u rrit me rreth +0.3 për 1000 banorë, në 1 Janar 2017.

Qarku me moshën medianë më të ulët është Tirana (33 vjeç), ndërsa qarku me moshën medianë më të lartë është Gjirokastra (37 vjeç).

Përditësuar me 14 Shk 2017

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI
Jeni të kënaqur me masat e marra për Koronavirusin