Llogaria ime
Veriu Portal
Lajme
Përgjaket e djela e palmave në Egjipt, 30 të vdekur pas sulmit në dy Kisha

Dy shpërthime kanë përgjakur të Dielën e Palmave në Egjipt, një prej ditëve më të shenjta të kalendarit të krishterë që paraprin Pashkët.

Shpërthimi i parë ndodhi në një kishe koptike të qytetit të Tantas, ku të paktën 25 persona u vranë e rreth 70 të tjerë u plagosën.

Autoritetet dyshojnë se bëhet fjalë për një shpërthim të telekomanduar dhe bomba mund të ketë qenë e vendosur poshtë një stoli.

Megjithatë, nuk përjashtohet as mundësia e një sulmi kamikaz. Në kishë gjendeshin rreth 2 mijë besimtarë.

Një orë pas shpërthimit, policia arrestoi 2 persona që dyshohen se janë të përfshirë në sulm.

Pak orë më vonë, një shpërthim i dytë ndodhi në një tjetër kishë në Aleksandri, ku, sipas të dhënave paraparake, kanë humbur jetën të paktën 11 vetë e shumë të tjerë janë plagosur.

Atje po mbahej një meshë nga Papa Tawadros i dytë, kreu i Kishës Koptike, i cili nuk ka pësuar lëndime.

Komuniteti i krishterë në Egjipt ka qenë shpesh shënjestër e sulmeve nga militatët islamikë vitet e fundit. Në dhjetor të vitit të kaluar, 25 vetë humbën jetën kur një bombë shpërtheu gjatë një shërbese në Katedralen Koptike në Kairo.

Egjipti ka përjetuar një valë sulmesh nga militantët islamikë që prej vitit 2013, kur ushtria rrëzoi nga pushteti presidentin Mohammed Morsi, i pari udhëheqës i zgjedhur nga populli i cili vinte nga radhët e “Vëllazërisë Myslimane”, e më pas ndërmori një nismë spastrimi ndaj militantëve islamikë.

Disa prej mbështetësve të Morsit fajësojnë të krishterët se mbështetën puçin ushtarak. Shpërthimi i së dielës ka ndodhur teksa të krishterët koptikë festonin “Të dielën e Palmave”, një prej ditëve të shenjta në kalendarin e krishterë, që shënon hyrjen triumfatore të Jezus Krishtit në Jeruzalem.

Ngjarja shënohet vetëm pak javë përpara se Papa Françesku të vizitojë egjiptin, si dhe të takohet me përfaqësues të minoritetit të krishterë egjiptian, që përbën rreth 10 për qind të popullsisë së Egjiptit.

Përditësuar me 09 Pri 2017

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI
Jeni të kënaqur me masat e marra për Koronavirusin