Llogaria ime
Veriu Portal
Lajme
Maturantët sërisht në protestë, Rama: Nuk dinë për çfarë bërtasin

Kryeministri Edi Rama zhvilloi paraditen e sotme një takim me një grup maturantësh që kanë fituar të drejtën për të ndjekur studimet e larta.

Takimi i Ramës me maturantët fitues vjen pas protestave të shumta të një pjese tjetër të kësaj kategorie që nuk kanë rezultuar fituesë edhe me mesatarë shumë të larta deri në 9.7.

Në fjalën e tij, Rama u tha maturantëve fitues se, pozita në të cilën ndodhen aktualisht është dëshmia më e mirë se reforma në arsim po funksionon.

“Nga më të mirët, jo vetëm që askush nuk ka mbetur jashtë, por ka fituar në të paktën 4 degë. Kjo është e vërteta kuptimplotë e faktit që kjo reformë, shumë e vonuar, e domosdoshme, kurajoze dhe shumë e vështirë për shkak të një sistemi të ndërtuar së prapthi, funksionon më së miri”, tha Rama.

Sipas kreut të qeverisë, janë dy arsyet përse kjo reformë është funksionale.

“Së pari, sepse ka një transparencë të plotë; së dyti, sepse është e bazuar në konkurrencën që diktohet nga rezultatet dhe bën të pamundur interferencën e faktorëve të jashtëm, që kanë qenë gangrena e sistemit tonë universitar”, sqaroi Rama.

“Maturantët detyroheshin që 15 vjeç të bënin llogari sipas koefiçentëve dhe të bënin një zgjedhje duke përcaktuar në një moshë të brishtë të ardhmen e tyre. Pra, dega i imponohej nga halli që 15 vjeç”, tha Rama.

“Sot, ju jeni të çliruar tërësisht sepse keni marrë frytin e parë të suksesit të ndërtuar me punë në 3 vjet. Në sistemin e kaluar nuk mund të ndryshoje as degën e as renditjen, ishe skllav i zgjedhjes së bërë që 15 vjeç”.

Kryeministri nuk ka lënë pa përmendur faktin se më 22 shtator universitetet do të shpallin vendet bosh dhe të rinjtë do të kenë mundësi të konkurrojnë për to.

Protesta e jo fituesve
Ndërkohë jashtë kryeministrisë, një grup maturantësh jofitues po protestonin kundër sistemit të pranimit në universitete duke e quajtur të padrejtë.

Zërat e protestës dëgjoheshin brenda në kryeministri dhe Rama deklaroi: “E morën vesh që ju jeni këtu, vijnë bërtasin dhe nuk dinë për çfarë bërtasin, çfarë thonë, çfarë kërkojnë. Në vend që të shikojnë dhe të studiojnë të gjithë skemën dhe të marrin atë që mendojnë se meritojnë, rrinë në rrugë dhe bërtasin. Sikur të ishin vetëm këta, do ta zgjidhnim, por s’janë vetëm këta që bërtasin dhe këta janë më të pafajshmit, sepse ua çorodisin mendjen të tjerët”.

Përditësuar me 13 Sht 2016

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI
Jeni të kënaqur me masat e marra për Koronavirusin