Shqipëria në qendër të flukseve të parave në TikTok: Dyshimet për pastrimin e parave përmes dhuratave virtuale
Rrjeti social TikTok, i njohur kryesisht për argëtim dhe video të shkurtra, po kthehet gjithnjë e më shumë në një objekt hetimi ndërkombëtar për shkak të dyshimeve për pastrimin e…
Ndaje

Rrjeti social TikTok, i njohur kryesisht për argëtim dhe video të shkurtra, po kthehet gjithnjë e më shumë në një objekt hetimi ndërkombëtar për shkak të dyshimeve për pastrimin e parave nga krimi i organizuar. Në qendër të këtyre analizave dhe hetimeve gazetareske janë tre rajone specifike të botës: Meksika, Napoli dhe Shqipëria. Këto tri zona, të njohura edhe për lidhjet strategjike të grupeve të tyre kriminale në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, po regjistrojnë një përqendrim të pazakontë të dhuratave virtuale me vlerë të lartë gjatë transmetimeve "Live Match".
Sipas një investigimi të publikuar nga projekti Confidential i medias italiane Fanpage.it, ku kanë kontribuar edhe shkrimtari Roberto Saviano dhe Kryeprokurori i Napolit, Nicola Gratteri, sfidat direkte në TikTok po përdoren për të qarkulluar shuma marramendëse parash. Vetëm në Itali, vlerësohet se këto ndeshje direkte gjenerojnë rreth 60 milionë euro në vit, ku mbi 90 për qind e fluksit financiar lidhet me krijues të përmbajtjes nga zona e Napolit dhe rajoni i Kampanjës. Një fenomen i ngjashëm me shifra të larta është vërejtur edhe në komunitetin digjital shqiptar dhe atë meksikan, duke ngritur alarmin tek autoritetet ligjzbatuese në disa shtete, përfshirë SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Turqinë.
Ekspertët e luftës kundër pastrimit të parave shpjegojnë se mekanizmi është i thjeshtë, por efektiv për grupet kriminale. Persona të lidhur me krimin blejnë "monedha" në TikTok përmes kartave me parapagim ose llogarive të ndryshme, shpesh duke shmangur kontrollet e rrepta të identitetit. Më pas, gjatë transmetimeve direkte, ata dërgojnë dhurata virtuale shumë të shtrenjta, si "Luani" apo "Universi", që kapin vlerën e qindra eurove secila. Në disa raste të monitoruara, janë dhuruar deri në 350 mijë euro brenda pesë minutash.
Pasi dhuratat konvertohen në "diamante" dhe më pas në para reale në llogarinë bankare të personit që bën transmetimin, ato marrin formën e të ardhurave të ligjshme nga argëtimi digjital. Edhe pse platforma TikTok mban një komision që shkon rreth 50 për qind, për organizatat kriminale kjo humbje konsiderohet si "kostoja" normale për të pastruar paratë e pista. Më pas, krijuesi i përmbajtjes mban përqindjen e tij dhe ia kthen pjesën tjetër të parave donatorit në formë të gatshme ose përmes transfertave.
Siç thekson prokurori Nicola Gratteri, mafiet moderne kanë arritur të përshtaten me epokën digjitale, duke i shndërruar rrjetet sociale jo vetëm në mjete propagande dhe demonstrimi të fuqisë, por edhe në kanale të vërteta financiare paralele.
Lexo edhe
Komentet (0)
Ende asnjë koment. Bëhu i pari.