Lajme Hyr

Lajme › Kosova dhe Rajoni

Tensionohet situata në Malin e Zi, opozita kërkon largimin e Gjukanoviç

Tensionohet situata në Malin e Zi, opozita kërkon largimin e Gjukanoviç

Prej disa ditësh në republikën e Malit të Zi opozita e shtetit të vogël ballkanik po zhvillon protesta që synojnë rrëzimin e qeverisë. Opozita malazeze i kishte dhënë ultimatum kryeministrit Milo Gjukanoviç ditën e sotme për të pranuar një qeveri…

·

Prej disa ditësh në republikën e Malit të Zi opozita e shtetit të vogël ballkanik po zhvillon protesta që synojnë rrëzimin e qeverisë.

Opozita malazeze i kishte dhënë ultimatum kryeministrit Milo Gjukanoviç ditën e sotme për të pranuar një qeveri teknike, por refuzimi i tij ka sjellë rritje të tensionit në kryeqytet.

Shumë protestues janë mbledhur në qendër të kryeqytetit, përpara selisë së qeverisë, e cila për motive sigurie është rrethuar nga autoblinda.

Protestat në këtë vend morën jetë pak ditë më parë dhe degraduan në perleshje të dhunshme mes manifestuesve dhe forcave të rendit.

Opozita ka deklaruar se, protesta e saj bëhet kundër pushtetit dhjetëravjeçar të Gjukanoviç, por mazhoranca akuzon se protestat janë të nxitura nga jashtë Malit të Zi, për të destabilizuar vendin në prag të marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO.

Madje, mazhoranca malazeze thotë se në këtë çështje ka ndërhyrë Moska, e cila kërkon rritjen e ndikimit të saj në Ballkan.

“Kjo është një politikë strategjike e Moskës, që të mos lejojë zgjerimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut në Ballkan”, tha Gjukanoviç. Sipas kryeministrit malazez, kjo është edhe arsyeja se përse Rusia mbështet protestat në Podgoricë.

“Ne shohim sot që organizatorët e protestave janë të mbështetur fuqishëm nga nacionalistët nga Beogradi. Ndryshimi, i cili duhet të theksohet dhe që nuk është i vogël, është fakti që në këto momente Beogradi zyrtar nuk mbështet protesta dhe sulme mbi sovranitetin e Malit të Zi.

Ndalimi i zgjerimit të NATO-s në Ballkan është një objektiv zyrtar i politikës shtetërore ruse dhe kjo gjë na çon në përfundimin se organizatorët e protestave në Mal të Zi kanë mbështetje të forta nga disa qarqe të caktuara politike, ekonomike dhe sigurie jashtë Malit të Zi”, ka deklaruar kryeministri malazez, Milo Gjukanoviç.

Por ka mjaft ankth në pritje të protestës së lajmëruar për ditën e shtunë nga opozita “Fronti Demokratik”, një forcë politike me theks nacionalist proserb.

Partia e drejtuar nga Andrea Mandiç nisi aksionin për rrëzimin e qeverisë, që përbëhet nga koalicioni i drejtuar prej malazezit Milo Gjukanoviç.

Drejtuesit e protestës thonë se, shkaku është varfëria dhe qeverisja diktatoriale prej 20 vitesh me votat e vjedhura nga Gjukanoviç.

“Ne kërkojmë formimin e një qeverie të re. Kemi 20 vite që drejtohemi nga regjimi diktatorial i Milo Gjukanoviçit. Kërkesat tona janë ekonomike dhe politike dhe të bërit zgjedhje të lira në Mal të Zi”, tha Milan Knezeviç, organizator i protestave.

328 lexime

Komentet (0)

Shkruaj një koment

Komenti yt botohet pasi ta shohë një moderator.

Ende asnjë koment. Bëhu i pari.

Hyr

Me llogarinë e forumit: e njëjta për portalin, forumin dhe komentet.

ose me email

Harrove fjalëkalimin?

Nuk ke llogari?