"Lazarati 2" në Shkodër, asgjësohen 7 parcela me kanabis
Policia e Shkodrës ka nisur mëngjesin e sotëm një aksion antikanabis në zona të thella të këtij qarku, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.Janë zona që kultivuesit i zgjedhin për të vepruar të qetë dhe larg syrit të…
Ndaje
Policia e Shkodrës ka nisur mëngjesin e sotëm një aksion antikanabis në zona të thella të këtij qarku, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Janë zona që kultivuesit i zgjedhin për të vepruar të qetë dhe larg syrit të policisë, kryesisht toka pa pronar.
Nga ky aksion është bërë i mundur zbulimi dhe asgjësimi i 7 parcelave të mbjella me nga 700-1000 rrënjë bimë kanabis sativa. Ato u zbuluan dhe u asgjësuan me anë të djegies, në fshatrat Vjerdh, Lisen dhe Mazrek në komunën Gur i Zi të Vaut të Dejës.
Operacionet për asgjesimin e kanabisit në zonën e Shkodrës janë intensive, shprehet shefi i operacionit anti-kanabis,Sajmir Rrustemi, i cili shton se terreni është mjaft i vështirë, ndërsa është duke u punuar për arrestimin e pronarëve.
Gjithashtu gjatë operacionit uniformat blu bënë të mundur edhe shoqërimin e një personi, i cili ndodhej në një parcelë të mbjellë me duhan.
15 grupe policore të përbëra nga 45 efektivë kanë marrë pjesë në aksionin policor në të cilin ndodhej edhe drejtori i policisë së Shkodrës, Shaban Nexhi.
Fshatrat e Mazrrekut të Komunës Gur i Zi, të Shoshit, të Shkrelit dhe të Shllakut janë të identifikuar si zona problematike sa i përket kultivimit të kanabisit.
Aksionet e policisë së Shkodrës në luften kundër kultivimit të lëndëve narkotike do vijonë duke qenë se në periudhën në të cilën ndodhemi, bima është e gatshme për korrje.
Devoll, kapen 15 bimë opiumi
Drejtoria e Policisë së Korçës njofton se gjatë kontrolleve për gjetjen e lëndëve narkotike të kultivuara është gjetur edhe opium. Kjo bimë është lëndë e parë për prodhimin e disa llojeve të drogës, kryesisht heroinën dhe mbillet gjerësisht në fushat e Afganistanit.
Por së fundmi policia ka gjetur 15 rrënjë të dyshuara si opium në fshatin Tren-Devoll. Për pasojë është arrestuar edhe shtetasi Raif Salami Xhaxhe, 56 vjeç, banues në fshatin Tren-Devoll.
Arrestimi i tij u bë pas kontrollit në ambjentet e jashtme dhe të brendshme të banesës së tij, ku veç bimëve të opiumit u gjetën e u bllokuan në cilësinë e provës materiale edhe 12 bimë narkotike të dyshuara si kanabis sativa.
Komentet (0)
Ende asnjë koment. Bëhu i pari.