Sporti
17°Tiranë
Hyr

Sporti › Europa League

Kukësit, 300 mijë euro shpërblim për të ndalur Trabzonsporin

Kushdo që mendon se Kukësi do të dorëzohet lehtë përballë Trabzonsporit, duhet t’i bëjë llogaritë me ambiciet e pandalshme të verilindorëve.Kuksianët do të tentojnë të kalojnë në fazën në grupe të turneut dhe sikur të mos mungonte motivimi nga prestigji…

·

Kukësit, 300 mijë euro shpërblim për të ndalur Trabzonsporin

Kushdo që mendon se Kukësi do të dorëzohet lehtë përballë Trabzonsporit, duhet t’i bëjë llogaritë me ambiciet e pandalshme të verilindorëve.

Kuksianët do të tentojnë të kalojnë në fazën në grupe të turneut dhe sikur të mos mungonte motivimi nga prestigji i një arritjeje të tillë, presidenti Safet Gjici ka nxitur më tej skuadrën me një premio rekord të vendosur për një klub shqiptar.

Në një konferencë për shtyp, Gjici u ka premtuar lojtarëve shumën e 300 mijë eurove nëse arrijnë të kalojnë Trabzonsporin, shifër që u shtohet rreth 200 mijë eurove të dhëna deri tani për skuadrën për kalimin e tre tureve në Europa League.

“Ju siguroj se do të shikojmë një ndeshje spektakolare. Tashmë ju e dini që kemi bërë edhe përforcime të tjera në reparte të ndryshme dhe besoj se ne do ta kalojmë me sukses këtë sfidë, edhe pse është ndeshje e vështirë dhe e fortë.

Natyrisht, stafi teknik e ka ndjekur nga afër ekipin e Trabzonsporit, edhe gjatë stërvitjes së një dite më parë. Besojmë që edhe me pak fat, do Zoti kalojmë në grupe”, u shpreh presidenti i Kukësit që mendon se kjo skuadër nuk përfaqëson më vetëm një qytet, por të gjithë vendin tonë.

“Do të jetë një mrekulli e jashtëzakonshme, jo vetëm për Kukësin, por edhe për të gjithë Shqipërinë që ne të kalojmë turin dhe të futemi në grupe. Për këtë arsye, çmimet e biletave janë si në turin e kaluar, më të ulëta se në ndeshjen me Flora Talin.

Realisht kam menduar më pak për çmimin, në mënyrë që të ketë sa më shumë tifozë në stadium. Ne na intereson që të vijnë sa më shumë tifozë, nuk na interesojnë çmimet e biletave. Kjo ndodh, pasi ndeshja është shumë, shumë e rëndësishme për ne”, shpjegoi Gjici.

Në fakt, të ardhurat nga biletat do të jenë shqetësimi i fundit i skuadrës kuksiane nëse kalon turin, pasi të ardhurat e UEFA-s për pjesëmarrjen në fazën në grupe janë 1.3 milionë euro.

Ndërkohë, skuadra e Skënderbeut ka vazhduar përgatitjet pa shumë bujë për ndeshjen në Ukrainë kundër Çornomorets Odesës. Josa do të zgjedhë vetëm gjatë ditës së sotme formacionin që do të hedhë në fushën e lojës, i ndikuar nga dëmtimet e disa lojtarëve kryesorë, si Arapi e Morina, që kanë lënë vendet bosh në rreshtimin e ekipit korçar.

Gjithsesi, kampionët e Shqipërisë pritet t’i kthehen skemës 4-5-1, ku vetëm Ribaj do të jetë në sulm, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës do të ketë më shumë detyra mbrojtëse, për ta ruajtur të paprekur portën e Shehit.

869 lexime

Komentet (0)

Shkruaj një koment

Komenti yt botohet pasi ta shohë një moderator.

Ende asnjë koment. Bëhu i pari.

Hyr

Me llogarinë e forumit: e njëjta për portalin, forumin dhe komentet.

ose me email

Harrove fjalëkalimin?

Nuk ke llogari?