Taksat e reja, fillon rritja e çmimeve

Qytetarët janë përballur këtë fillimviti me rritjet e para të çmimeve në treg si pasojë e rëndimit të taksave. Nga 1 janari ka hyrë në fuqi paketa e re fiskale, e cila rrit taksat për një sërë produktesh si karburantet…
Ndaje
Qytetarët janë përballur këtë fillimviti me rritjet e para të çmimeve në treg si pasojë e rëndimit të taksave.
Nga 1 janari ka hyrë në fuqi paketa e re fiskale, e cila rrit taksat për një sërë produktesh si karburantet, cigaret apo dhe pijet energjike.
Por, reflektimi i tyre në treg nuk ka qenë i njëjtë. Për naftën dhe benzinën, në disa pika me pakicë, çmimi i shitjes ka mbetur i pandryshuar, ashtu si përpara datës 1 janar. Ndërsa, në disa të tjera ai është rritur nga 6 deri në 8 lekë për litër.
Tregtarët thonë se rritja e taksave nuk është përcjellë e plotë në çmim pasi në treg ende tregtohet pjesë e rezervave të zhdoganuara përpara 1 janarit.
Por, ata thonë se në ditët në vijim çmimi do të shtrenjtohet sërish, derisa të përcjellë të plotë rritjen me 10 lekë të taksës së qarkullimit dhe efektin me 2 lekë të tatimit mbi vlerën e shtuar.
Por, teksa tregu i karburanteve ka qenë i përmbajtur në rritjen e çmimeve, ndryshe ka ndodhur me atë të cigareve, ku çmimet janë rritur me ritme të forta, deri dhe dy herë më shumë sesa taksa.
Me paketën e re fiskale, qeveria e rriti akcizën e cigareve me 20 lekë për paketë, që së bashku me efektin nga tatimi mbi vlerën e shtuar e rëndon koston e tyre me 24 lekë.
Por, për disa marka cigaresh tregtarët e kanë rritur çmimin me 50 lekë, mbi dy herë më shumë se sa shtesa e taksës.
Diferenca shkon si fitim shtesë për tregtarët.
Komentet (0)
Ende asnjë koment. Bëhu i pari.