Lajme
12°Tiranë
Hyr

Lajme › Sociale

Paketa Fiskale 2027/ Ulet TVSH për ushqimet, rriten tatimet për biznesin dhe pagat

Paketa Fiskale 2027/ Ulet TVSH për ushqimet, rriten tatimet për biznesin dhe pagat

Teksa pritet prezantimi i buxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2027, zbardhja e projektligjeve të përgatitura nga Ministria e Financave nxjerr në pah ndryshime në disa prej taksave kryesore, që prekin konsumatorët, bizneset dhe të punësuarit.

·

Në një kohë kur sipërmarrjet përballen me kosto të larta, zhvlerësimin e euros dhe vështirësi në ruajtjen e konkurrueshmërisë, qeveria propozon rritjen e tatimfitimit nga 15% në 17% dhe pothuajse dyfishimin e tatimit mbi dividendin, nga 8% në 15%.

Ndryshimi i parë lidhet me TVSH-në për produktet ushqimore. Pas vitesh debatesh, qeveria propozon uljen e normës nga 20% në 6% për një listë produktesh bazë, ku përfshihen buka dhe mielli, qumështi dhe kosi natyral, vezët, orizi, makaronat, vaji ushqimor, mishi, peshku bazë, frutat dhe perimet e freskëta, bishtajoret, sheqeri dhe ushqimet bazë për foshnja. Lista e detajuar e produkteve do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në të njëjtin nen parashikohet edhe rritja e TVSH-së për sektorin e akomodimit. Norma për hotelet me pesë yje, agroturizmin dhe shërbimet e akomodimit në strukturat turistike propozohet të rritet nga 6% në 10%. Ndërkohë norma e përgjithshme e TVSH-së parashikohet të shkojë në 21% nga 20% që është aktualisht.

Ndërhyrje parashikohen edhe te tatimi mbi pagat. Për pagat bruto mbi 200 mijë lekë në muaj, pragu nga i cili zbatohet norma 23% propozohet të rritet në 300 mijë lekë. Kjo normë do të aplikohet për pagat nga 300 mijë deri në 700 mijë lekë ndërsa për të ardhurat mbi 700 mijë lekë në muaj propozohet për herë të parë një normë e re prej 32%.

Paketa parashikon gjithashtu ashpërsimin e mekanizmave për mbledhjen e detyrimeve tatimore, zgjerimin e zbatimit të gjobave për transaksionet me para në dorë dhe rritjen graduale të akcizës së duhanit deri në vitin 2033.

 Nga ana tjetër, bizneset pritet të lehtësohen nga detyrimi për dorëzimin e dyfishtë të pasqyrave financiare, ndërsa regjimi i veçantë i TVSH-së për Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX, propozohet të zgjatet deri në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Komentet (0)

Shkruaj një koment

Komenti yt botohet pasi ta shohë një moderator.

Ende asnjë koment. Bëhu i pari.

Hyr

Me llogarinë e forumit: e njëjta për portalin, forumin dhe komentet.

ose me email

Harrove fjalëkalimin?

Nuk ke llogari?