Gjendja e studentit të dhunuar nga policia: Ndodhet te Trauma në shok psikologjik dhe me dëmtime në kokë e kurriz

Studenti 21-vjeçar (me inicialet M.S., i cili studion për Klinikë Dentare), i cili u përplas dhunshëm në tokë dhe u mor zvarrë nga policia në Tiranë, ndodhet aktualisht i shtruar…
Ndaje
Studenti 21-vjeçar (me inicialet M.S., i cili studion për Klinikë Dentare), i cili u përplas dhunshëm në tokë dhe u mor zvarrë nga policia në Tiranë, ndodhet aktualisht i shtruar në spitalin e Traumës në gjendje të rënduar psikologjike dhe me dëmtime në kokë e në kurriz. Sipas mjekëve, dëmtimet fizike pritet të shërohen shpejt, ndonëse tronditja emocionale mbetet e lartë.
Detajet e zbardhura nga ngjarja dhe gjendja e tij tregojnë një situatë mjaft serioze:
- Vonesa e dërgimit në spital: I riu ka mbërritur në spitalin e Traumës disa orë pas ngjarjes dhe vetëm falë insistimit të prindërve të tij. Familjarët e gjetën atë të mbyllur në Komisariatin Nr. 6 të kryeqytetit, ku po mbahej i shoqëruar pavarësisht plagëve. Mjekët e spitalit treguan se e kishin parë video-dhunën në rrjetet sociale dhe po e prisnin me shqetësim, duke u habitur nga vonesa e policisë për ta sjellë.
- Dinamika e ngjarjes: Pamjet filmike që kanë tronditur shoqërinë tregojnë se 21-vjeçari po qëndronte në rrugë pa bërë asnjë veprim të dhunshëm. Ai madje kishte hapur çantën përpara efektivëve për t'u treguar se brenda kishte vetëm librat e shkollës.
- Fjalët e studentit para se të rrihej: Përpara se të sulmohej nga uniformat blu, i riu po u tregonte policëve vështirësitë e tij jetësore: prindërit e papunë që nuk marrin as asistencë sociale, sfidën për të gjetur 3 milionë lekë për të paguar tarifën e universitetit dhe faktin që kishte tentuar disa herë të ikte jashtë shtetit për një të ardhme më të mirë.
Ngjarja ka ngjallur një reagim të ashpër publik. Ndonëse Ministri i Brendshëm Demo u mjaftua me pezullimin e policëve, deputetë të opozitës si Erald Kapri, i cili vizitoi të riun në spital, deklarojnë se kjo masë nuk mjafton dhe kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të ministrit dhe të kryeministrit Edi Rama.
Lexo edhe
Komentet (0)
Ende asnjë koment. Bëhu i pari.