Lajme Hyr

Lajme › Politike

Rama takon Berishën të dielën? Zaganjori nis të lobojë

Rama takon Berishën të dielën? Zaganjori nis të lobojë

TIRANE- Kandidati i mazhorancës për president Xhezair Zaganjori ka mbërritur rreth orës 10.00 në zyrën e kreut e PS-së Edi Rama. Pas 60 minutash takimi, Zaganjori nuk ka dhënë për gazetarët detaje nëse ka marrë apo jo dakordësinë e PS…

·

TIRANE- Kandidati i mazhorancës për president Xhezair Zaganjori ka mbërritur rreth orës 10.00 në zyrën e kreut e PS-së Edi Rama. Pas 60 minutash takimi, Zaganjori nuk ka dhënë për gazetarët detaje nëse ka marrë apo jo dakordësinë e PS për kandidaturën e tij.
"Takimin e kërkova unë në të mirë të debatit. Kam përshkruar arsyet e kandidimit tim, sepse edhe për mua pranimi i propozimit nuk ka qenë i lehtë", tha Zaganjori për mediat jashtë selisë së PS.
Kreu i PS, Edi Rama nuk ka bërë asnjë koment pas takimit me kandidatin e propozuar nga mazhoranca për Presidentin e ri të vendit.

TAKIMI RAMA-BERISHA TE DIELEN
Shqiptarja.com ka arritur të konfirmojë se Kryeministri Berisha dhe kryesocialisti Rama vërtetë do të takohen, por jo gjatë ditës së sotme siç thuhej në shtypin e ditës, por të djelën paradite. Ora e takimit mësohet se nuk është përcaktuar ende. Negociator i këtij takimi mes dy rivalëve politikë duket se është kreu i LSI-së, Ilir Meta.

PS ZBARDH TAKIMIN, RAMA: NUK VOTOJME KANDIDATE PA DIALOG
Kryetari i Partisë Socialiste takoi sot në selinë rozë zotin Xhezair Zaganjori me kërkesën e këtij të fundit.
Kryesocialisti dëgjoi me vëmendje gjithë çfarë dëshironte t’i shprehte zoti Zaganjori, lidhur me paraqitjen e emrit të tij nga ana e qeverisë si kandidat potencial për President i Republikës.
Nga ana e tij, Edi Rama i tha zotit Zaganjori se Partia Socialiste vazhdon të kërkojë një proces deri këtu të munguar, ku të gjitha palët parlamentare të përfshihen në një dialog konstruktiv.

Për Partinë Socialiste mbetet shumë e qartë se nga një proces dialogu konkret mes qeverisë e opozitës dhe konsultimesh intensive mes palëve parlamentare duhet të shkohet drejt emrit të Presidentit të ri të Republikës, jo anasjelltas. Prandaj edhe Partia Socialiste nuk do ta mbështesë në asnjë rast një kandidaturë të paraqitur pa proces dhe në rrugë krejt të njëanshme nga qeveria. Kjo, theksoi kryesocialisti gjatë takimit, vlen konkretisht qoftë për kandidaturën e zotit Xhezair Zaganjori, qoftë për çdo kandidaturë që do të paraqitej apo paraqitet nga qeveria nëse mungojnë dialogu konkret dhe konsultimet e domosdoshme për gjetjen e një kandidati apo kandidateje të dakordësuar mes qeverisë e opozitës.

Kryetari Edi Rama dhe Partia Socialiste mbeten plotësisht të angazhuar për një proces politik dobiprurës, në funksion të kalimit të provës shumëplanëshe ku e ka vënë Shqipërinë dhe politikën shqiptare si e tërë zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës.
Kohë për të humbur si deri më sot nuk ka dhe konsultimet duhet të nisin menjëherë, në një tryezë dialogu konkret të nivelit më të lartë mes palëve për t’i dhënë një shans real raundit të dytë dhe vetë Shqipërisë. Vetëm kështu mund të ndërtohet konsensusi i domosdoshëm që do të zgjidhte pozitivisht njërën nga katër pikat kyçe të paketës për të synuar statusin e vendit kandidat në BE, atë të zgjedhjes së Presidentit të ri, si edhe do të krijohej hapësira e nevojshme kohore për të ecur shpejt drejt zgjidhjes konsensuale të tre pikave të tjera.

ASNJE KOMENT ME IDRIZIN
Menjëherë pas takimit me kryesocialistin, kandidati Xhezair Zaganjori i është drejtuar lokalit "Princ Park" në Tiranë ku është takuar me kreun e PDIU, Shpëtim Idrizit. Pas takimit prej 45 minutash, asnjë prej tyre nuk ka dhënë komente për median.
TAKIMI ME BASHEN
Burime nga Shqiptarja.com bëjnë me dije se pak para se të zhvillonte takim me Edi Ramën, kandidati i mazhorancës për president ishte takuar me kreun e bashkisë së Tiranës Lulzim Basha te bar "Piaca".

462 lexime

Komentet (0)

Shkruaj një koment

Komenti yt botohet pasi ta shohë një moderator.

Ende asnjë koment. Bëhu i pari.

Hyr

Me llogarinë e forumit: e njëjta për portalin, forumin dhe komentet.

ose me email

Harrove fjalëkalimin?

Nuk ke llogari?