Miti i liderit "të pazëvendësueshëm": Pse Evropa vlerëson dorëheqjen demokratike dhe jo kapjen e shtetit
Në fjalimin e tij të fundit, Kryeministri Edi Rama përdori sërish të njëjtën strategji të vjetër të autokratëve: shantazhin publik dhe viktimizimin. Duke deklaruar se në lojë nuk është pushteti…
Ndaje

Në fjalimin e tij të fundit, Kryeministri Edi Rama përdori sërish të njëjtën strategji të vjetër të autokratëve: shantazhin publik dhe viktimizimin. Duke deklaruar se në lojë nuk është pushteti i tij, por "tryeza e negociatave me BE-në", Rama u përpoq t'u vëjë fajin protestuesve, duke i paraqitur ata si pengesën e vetme që rrezikon ta lërë Shqipërinë jashtë Evropës. Ky argument, sipas të cilit "nëse ikën lideri, bie shteti dhe integrimi", është tipari më i qartë i një mendësie që i afrohet më shumë autokracisë sesa vlerave perëndimore.
Por Europa reale – ajo që bazohet mbi parimet e vërteta demokratike – funksionon krejt ndryshe. Bashkimi Evropian nuk integron dhe nuk premton individë apo liderë të përjetshëm, por sisteme funksionale dhe institucione të forta. Në botën demokratike, shenja më e lartë e një lideri të madh nuk është mbajtja e karriges me forcë dhe gaz lotsjellës, por aftësia për të bërë një hap pas kur vendi futet në krizë dhe kur populli kërkon llogari.
Shembulli më i pastër i kësaj kulture politike vjen nga Britania e Madhe, djepi i parlamentarizmit. Në vitet e fundit, Kryeministrat britanikë si David Cameron, Theresa May, Boris Johnson apo Liz Truss dhanë dorëheqjen thjesht dhe pa pritur që vendi të zhytej në kaos apo dhunë urbane. Ata u larguan jo sepse humbën dashurinë për pushtetin, por sepse kuptuan se kur një lider nuk ofron dot më zgjidhje për vendin ose kur humb besimin politik, detyra e tij është t'u hapë rrugën të tjerëve. Dorëheqja në demokracitë perëndimore shihet si një akt përgjegjësie dhe dinjiteti, një mundësi për t'i dhënë vendit një energji të re dhe zgjidhje të reja përmes njerëzve të aftë.
Ndërsa në Londër liderët ikin sapo dështojnë me reformat apo marrëveshjet, në Tiranë Edi Rama i quan kritikët dhe protestuesit "një tufë të paaftësh dhe mediokrish", duke e lidhur fatin e një kombi të tërë vetëm me emrin e tij. Ky është parandjenja e një diktatori apo autokrati që e sheh shtetin si pronë private dhe veten si të pazëvendësueshëm. Evropa që Shqipëria kërkon, nuk ndërtohet duke u fshehur pas frikës dhe as duke akuzuar rininë se po djeg të ardhmen. Përkundrazi, Evropa e vërtetë kërkon liderë që respektojnë rotacionin dhe që kuptojnë se askush nuk është më i rëndësishëm sesa vullneti i qytetarëve të vet.
Lexo edhe
Komentet (0)
Ende asnjë koment. Bëhu i pari.