Kriza e protestave/ Autokratët Vuçiç dhe Erdogan në krah të Edi Ramës

Ndërkohë që në perëndim kryeministri Edi Rama përballet me thirrje për t’u përmbajtur ndaj studentëve, dy nga liderët më autokrat të rajonit e mbështesin atë fuqishëm.
Ndaje
Mes reagimeve të paqarta që erdhën nga Bashkimi Europian për protestat në Shqipëri, ku një ditë kritikohej dhuna e tepruar nga policia dhe të nesërmen dhuna e protestuesve, dhe pas shqetësimit të kongresmenëve amerikanë për metodat represive me të cilën Rama e shtypi revoltën e studentëve, ranë në sy qëndrimet pro-Ramës të dy sivëllezërve të tij politikë, Aleksandër Vuçiç dhe Rexhep Taip Erdogan, që u pozicionuan në mbështetje të kryeministrit shqiptar.
Dy autokratët e vjetër ballkanikë i ofruan Ramës mbështetje në dy forma të ndryshme: i pari me këshilla politike se si duhej shtypur revolta, ndërsa i dyti përmes dërgimit të menjëhershëm të autobotëve të ujit, fringo të reja.
Më 21 tetor, pasi policia shqiptare kishte përdorur prej ditësh gaz lotsjellës, ujë me presion dhe shkopinj gome kundër studentëve, presidenti serb u shpreh se Rama nuk kishte qenë i ashpër sa duhet, por se kishte humbur kohë duke u përpjekur t’i zbuste protestuesit.
“Edi besoi më gjatë se unë se mund t’i zbuste me diçka. Dhe gaboi, humbi kohë”, deklaroi Vuçiç, duke paralajmëruar se zgjedhjet e parakohshme mund t’i kushtonin pushtetin kryeministrit shqiptar.
Për Vuçiçin, Rama mbetet “një nga asetet më të mëdha të Shqipërisë”, një vlerësim domethënës, që nuk është dëgjuar rrallë nga Beogradi për ndonjë politikan shqiptar
Kur foli për atë që ndodhi në Tiranë, presidenti serb nuk pati asnjë interes për arsyet e revoltës së rinisë shqiptare apo te pretendimet për dhunë policore që u shfaq me gjithë shëmtinë e saj rrugëve të kryeqytetit.
Dy ditë para tij, më 19 tetor, mbështetja nga Erdogan kishte ardhur në një formë tjetër. Një avion ushtarak turk solli në Rinas disa autobotë të rinj me ujë me presion, mjete që përdoren për shpërndarjen e turmave.
Përse ndodhi kjo? Çfarë i bashkon këta udhëheqës përtej interesave të përkohshme diplomatike dhe marrëdhënieve personale?
Ekziston një arsye më e thellë që mund të shpjegojë solidaritetin mes udhëheqësve autoritarë, si këta që aktualisht kanë pushtetin në Ballkan. Ata nuk kanë nevojë të jenë miq dhe të kenë të njëjtin mendim në çdo çështje. Ajo që i bashkon është diçka më e madhe: interesi për mbijetesën e një modeli qeverisjeje, aty ku pushteti është i përqendruar në duart e një njeriu.
Lexo edhe
Komentet (0)
Ende asnjë koment. Bëhu i pari.