Histori lezbikesh në rrugët e Tiranës
Ato janë pjesa e padukshme e shoqërisë. Për të mos rënë pre e paragjykimit që nis që në familje, shumë prej tyre detyrohen të martohen, edhe pse të palumtura. Artistja suedeze Sofia Hultin ka zbuluar gjatë një shëtitjeje në Tiranë…
Ndaje

Ato janë pjesa e padukshme e shoqërisë. Për të mos rënë pre e paragjykimit që nis që në familje, shumë prej tyre detyrohen të martohen, edhe pse të palumtura.
Artistja suedeze Sofia Hultin ka zbuluar gjatë një shëtitjeje në Tiranë shumë prej tyre. Ajo si çdo lesbike, është ulur, ka biseduar me to, dhe bën publike shumë prej historive të tyre.
Ekspozita e saj “Unë jam si çdo lesbike” u çel mbrëmë në galerinë FAB të Akademisë së Arteve. Kush mund ta dijë nëse disa nga personazhet ishin apo jo të pranishme në atë ekspozitë, ato sërish janë të padukshme me pamjen e tyre, por bërtasin përmes historive personale.
Sofia ka mbledhur shumë syresh gjatë shëtitjes së saj në kryeqytet dhe i ka sjellë ato si një guidë në formë audioje. Edhe pse i tregon në vetën e parë, (si e huaj është e çliruar nga çdo paragjykim), historitë e saj janë të gjitha shqiptare. Për këtë arsye dhe titullin e zgjodhi “Unë jam si çdo lesbike”. Historitë janë nga më të ndryshmet.
Janë lesbiket e fshehura nën petkun e bashkëshortes, ato që kanë dy jetë: një të fshehtë, e një për sytë e botës. Për sytë e botës janë të martuara dhe kanë një burrë. Presioni i familjes ka triumfuar mbi dashurinë brenda gjinisë. Janë pastaj guximtaret që kanë treguar seksualitetin e tyre pa marrë parasysh pasojat. Kanë fituar lirinë e të qenit vetvetja, por kanë humbur ngrohtësinë familjare.
Përveç punës së artistes suedeze Sofia Hultin, pjesë e kësaj ekspozite ishte edhe premiera e filmit me metrazh të shkurtër të kineastit Ergys Meta. Filmi i Metës trajton historinë e dashurisë dhe hakmarrjes së një çifti homoseksualësh. Rezidenca Artistike “Aleanca Unstraight” është një sipërmarrje e Aleancës kundër Diskriminimit të LGBT dhe “The Unstraight Museum”, e mbështetur nga Instituti Suedez.
Disa nga rrëfimet e lesbikeve të kryeqytetit
Si rashë në dashuri
Kur filloj mendoj për këtë, mendoj se gjithmonë kam qenë lesbike, por u sigurova një vit më parë kur ndjeva se kisha rënë kokë e këmbë në dashuri me shoqen time më të ngushtë. Kishim dy vite që njiheshim para se të ndodhte gjë, por kur kthej vështrimin pas më duket se ato vite njohjeje kishin qenë njësoj si takime dashurie. Fantazoja shumë për të, do doja të isha gjithë kohës me të, por në fakt nuk arrija t’ia thosha, megjithatë një ditë ajo më thotë se dëshironte të më pyeste për diçka dhe e dija se kishte të bënte me çfarë ndjeja dhe i thashë: “Më pyet” Ajo më përgjigjet: “Jo, nuk mundem”. Dhe unë i them: “Jo të lutem, më pyet”. “Jo, nuk do të pyes” dhe ky debat zgjati për rreth një orë. Dhe kur ajo në fund më tha: Ok, do të të pyes. Çfarë do të mendoje nëse do të puthja?”
Sulmi
Kur isha 17 ose 18 vjeçe, po shëtisja me të dashurën time pikërisht në këtë rrugë. Ishim për dore dhe 5 çuna që na panë filluan të ulërisnin dhe kapën për krahu të dashurën time dhe e tërhoqën tutje nga unë. U inatosa dhe fillova të zihesha me ta. Njëri prej tyre kishte një shishe në dorë dhe më sulmoi me të, duke arritur të më priste me anë të saj në krah. Sigurisht që iu përgjigja sulmit të tij, por ata ishin shumë dhe askush nuk u afrua të na ndihmojë. Gjithmonë është kështu. Më kanë sulmuar shpesh dhe askush nuk ndalon të më ndihmojë.
Kampi i krishterë
Këtë verë familja ime më dërgoi në kampin fetar për një javë dhe atje u hap një debat i paparashikuar për homoseksualitetin dhe të gjithë ishin kundra tij. Kishte shumë urrejtje dhe injorancë dhe njerëzit thanë gjithë ato gjëra homofobe dhe idiote. Ishte krejt e dukshme se ata veçse sa e lexonin dhe e përsërisnin Biblën. Këtë libër shkruar vite me parë. Dhe në fillim vetëm rrija dhe i dëgjoja në heshtje, por pas pak nuk po i duroja më dhe iu ktheva kësaj vajzës që sapo kishte bërë një ligjëratë homofobe. Njerëzit që ishin aty u kthyen të gjithë dhe më thanë: A nuk je e krishterë? – Jo, dhe unë i mbështes të drejtat gay. Nuk mund t’u thosha që isha lesbike, por isha shumë e inatosur dhe fola vërtet me zë të lartë. Dhe u ndjeva e guximshme, u ndjeva mirë, vërtet mirë. Më pas drejtori i kampit foli me mua dhe unë i thashë që jam lesbike. Dhe ai tha: “Nuk ka gjë, por unë do të lutem që kjo gjë të kalojë”. Tani ai më kontakton shpesh, duke dashur të thotë se mund të më shërojë me gjërat e tij të Biblës, por unë thjesht i them se nuk jam e interesuar.
Lexo edhe
Komentet (0)
Ende asnjë koment. Bëhu i pari.