Blog Hyr

Blog › Blog

Erdhi!

Para një viti, gjithçka ishte gati për ta prekur finalen e madhe. Flamuri qe porositur tashmë. I kaltër, me hartën e verdhë të Kosovës, me yjet e bardha përmbi. Asgjë shqiptare s’kishte në të, por pakkush gjeti kohë të ankohej.…

·

Erdhi!
Para një viti, gjithçka ishte gati për ta prekur finalen e madhe. Flamuri qe porositur tashmë. I kaltër, me hartën e verdhë të Kosovës, me yjet e bardha përmbi. Asgjë shqiptare s'kishte në të, por pakkush gjeti kohë të ankohej. Po vinte pavarësia. Sa shumë jetë njerëzish kishin shkuar, sa mund, sakrificë, s'kishte kohë për t'u ankuar. Edhe ky lloj flamuri, që na identifikon prej një viti si shtet kosovar, ishte në listën e gjatë të çmimeve që duheshin paguar. Pavarësi pa kosto s'ka.
Përvjetori po troket në dyert e çdo kosovari, shqiptari ose çfarëdo minoritari, që mund ta ndiejë këtë ditë. Kosova "multietnike" bëhet gati ta shënojë për herë të parë Festën Kombëtare. Sot ka më pak eufori, më pak entuziazëm. Jo rastësisht edhe buxheti për 17 Shkurtin është më i vogël. Vjet u ndanë 1 milion, sivjet vetëm 150 mijë euro. Gjithsesi, atmosfera festive ndihet gjithandej. Flamujt kuqezinj, kaltëreverdhë, amerikanë, kanë mbuluar ndërtesa, shitore ose janë vendosur në ballë të veturave. Kohë e mirë për t'i shprehur ndjenjat kombëtare dhe një test për simbolet shtetërore të Kosovës. Organizimet e paralajmëruara me rastin e pavarësisë duken simbolike, pavarësisht nga pesha e 17 shkurtit. Mjafton të shohim listën e mysafirëve. Asnjë lider i njohur. Nga Shqipëria duket se as kryeministri Berisha, as presidenti Topi nuk kanë marrë ndonjë ftesë të veçantë. Koha ka qenë që ky përvjetor i parë i pavarësisë së Kosovës të shënohej në një mënyrë sa më madhështore dhe kuptimplotë.
Por, protokolli shtetëror kosovar nuk ka paraparë ndonjëfarë befasie.
Një festë e thjeshtë, si duket, që mbyllet me ca këngë "play back" në sheshin "Nëna Terezë" në Prishtinë. Gjithsesi, me rëndësi është që festa të kalojë qetë dhe sa më pak shkrepje të dëgjohen, aq më mirë për imazhin e vendit. Sytë janë drejtuar nga veriu, aty ku serbët prej ditësh kanë bërë thirrje për djegie, dhunë, tensione.
Prej një viti, situata atje nuk është nën kontroll. 17 Shkurti është dita e gëzimit të shqiptarëve, por edhe dita e kulmit të pikëllimit serb.

1.654 lexime

Komentet (0)

Shkruaj një koment

Komenti yt botohet pasi ta shohë një moderator.

Ende asnjë koment. Bëhu i pari.

Hyr

Me llogarinë e forumit: e njëjta për portalin, forumin dhe komentet.

ose me email

Harrove fjalëkalimin?

Nuk ke llogari?