Llogaria ime
Veriu Portal
Revista

Virgjëresha Mari, vend i saj ne Kuran dhe Bote
Publikuar me 13 Nen 2010

Virgjëresha Mari, vend i saj ne Kuran dhe Bote

Ekziston në botë një grua, përherë e re në moshë, që me një vështrim enigmatik të bind të kuptosh se si antagonizmi midis besimeve fetare është vetëm keqdashësi e budallallëk njerëzor. Me një jetëgjatësi dymijëvjeçare ajo bashkon zemra, popuj, e devotshmëria njerëzore që i kushtohet tregon se është e mundur të gjesh “pikëtakimet” pa paragjykime ideologjike midis besimtarëve të çdo feje. Asaj i janë kushtuar mbi 200 mijë libra, shekuj të tërë studimesh, hulumtimesh e gërmimesh arkeologjike, konsiderohet gruaja më e famshme në histori, por që ende vazhdojmë të dimë shumë pak. Të krishterët e quajnë Maria, ortodoksët Mariam, hebrenjtë Miryam, myslimanët Maryam e për të gjithë është Virgjëresha Maria, nëna e Jezu Krishtit. Për besimtarët katolikë ajo është  Shën Mëria, një shenjtore, që prej shekullit IV e.s i dedikojnë në latinisht lutjen: “Ave Maria, gratia plena, Dominus tecum, benedicta tu in mulieribus, et benedictus fructus ventris tui, Iesus. Sancta Maria, mater Dei, ora pro nobis peçatoribus, nunc et in hora mortis nostrae Amen. (Shën Mëri plot me hirësi. Zoti është me ty, ti je e bekuara mes grave e i bekuar është fruti i barkut tënd. Jezu. Shën Mëri, nëna e Krishtit, lutu për ne mëkatarët tani e deri në orën tonë të vdekjes, Amin). Për besimtarët myslimanë nuk është një shenjtëri, por një Zonjë (Sayyda), e nderojnë dhe e respektojnë, besojnë në virgjërinë e saj, e quajnë nëna e Krishtit e jo e nëna e Zotit, pasi për ta Jezusi ishte një profet ashtu si dhe profeti Muhamed. Në Kuran figura e Maryam është e mbizotëruese ndaj figurave të tjera femërore, është e vetmja e cituar mbi dyzet herë me emër, e i është dedikuar një kapitull i tërë,  ai XIX, syrja e Marias. Arsye historike, kulturore e fetare kanë bërë që devotshmëria humane ndaj saj të jetë e pafund, globale, kapërcen fe e kontinente, bashkon zemra e popuj, duke e merituar të quhet “Nëna e popujve”. Zbulimet arkeologjike, siç është një papirus i shek. III, gjetur në Egjipt në vitin 1917, e dëshmia e parë e lutjes ndaj Shën Mërisë, konfirmojnë se kulti i Theotokos, Nënës së Zotit ishte shumë më antik se sa kodifikimi që i ka bërë kisha. Gërmime të tjera në Efes, Turqi, vërtetojnë se si kjo virgjëreshë kishte kaluar vitet e fundit të jetës së saj tokësore pikërisht këtu, në Mereyem Ana Evi, shtëpia ku kishte jetuar me Gjonin, dishepullin të cilit Jezusi i kishte besuar kryqin. Koincidencë e vlerësueshme kjo, duke menduar se në vitin 431 në Efeso mbahet Këshilli që e deklaron “Nëna e Zotit”. Shën Mëria është një terren takimi midis katolicizmit e islamizmit, më shumë sesa ndan, ajo bashkon. Shën Mëria e të krishterëve ka një vend nderi në Kuran, ajo është nëna e Isaa ( Jezusit), profeti i parafundit, e së bashku me Fatimen, vajzën e zgjedhur të Muhamedit, citohet mirësisht shumë herë. Për Kuranin, Maria është një simbol paqeje e dashurie, por dhe vuajtjeje për shkak të shtatzënisë së saj, është nëna e një profeti të madh, i shënuar dhe ai nga një jetë e vuajtshme. Problemi është se shumë myslimanë nuk e dinë, askush nuk ua ka mësuar e vazhdojnë ta konsiderojnë Shën Mërinë vetëm si një personazh i krishterë. Profeti mysliman Muhamedi, kur hyri në Mekë më 630, duke e kthyer në një qytet të shenjtë të kësaj feje, purifikoi dhe Kaba-në, shenjtoren e tribune e mëparshme. Atje gjendeshin rreth 300 idhuj, ai i shkatërron të gjitha duke ruajtur veç ikonën e Marisë, të cilën teksti i Kuranit e konsideron si profeteshë. Në syren e saj, Maria është gruaja e devotshme gjatë gjithë jetës dhe e vetmja në serinë e Profetëve  pasardhës të Adamit, Abrahamit, Noas e Imran.


Shën Mërisë i janë kushtuar rreth 10 000 shenjtore në botë, 2/3 e të cilave në Evropë, e mbi 60-70 milionë është numri i personave që vizitojnë çdo vit këto objekte kulti. Nuk është një doktrinë, devotshmërinë ndaj Shën Mërisë nuk e ka krijuar Kisha, përkundrazi ajo ka qenë shpesh dyshuese ndaj mrekullive e shfaqjeve të herëpashershme të saj. Këto shenjtore i kanë krijuar njerëz të thjeshtë, të bindur në mirësinë që ajo dhuron e pavarësisht se kujt besimi i përkasin. Këtu lind dhe Marialogy, teologjia që i dedikohet Shën Mërisë, “ndaj së cilës nuk do të thuhet kurrë aq sa duhet”, e ka si objekt studimi devotshmërinë popullore ndaj saj. Për studiuesit e kësaj teologjie shumë më tepër se 10 mijë është numri i këtyre shenjtorëve, duke supozuar se të tjerë “më të vegjël e më pak të njohur” i duhet shtuar kësaj liste. Kush nuk ka dëgjuar të flitet për Lourdes, Fatima, Loreto, Medjugorje e ka menduar pa hezituar një çast Shën Maria! Mund të shfletosh një hartë të vërtetë me shenjtoret e saj, madje dhe të humbësh. Pelegrinët arrijnë pranë tyre individualisht, në grupe, herë-herë dhe si një lumë turme. Midis tyre gjen përherë një grup që ndalet një hap para hyrjes së shenjtores. Recitojnë së bashku një lutje të gjatë, të padëgjueshme më parë e të çuditshme për të krishterët që u kalojnë pranë. Shumë prej tyre hedhin lule e largohen pa bërë shenjën e kryqit. Nuk mundet ta bëjnë, pasi ata janë myslimanë. Për ta Maria, Nëna e Jezusit, duhet respektuar e nderuar, por jo t’i falesh. Megjithatë, ata ndodhen aty pranë shenjtores së Shën Mërisë në çdo cep të botës që ndodhet e kush krijon statistika thotë se numri i besimtarëve myslimanë, pelegrinë në këto vende, nuk është i paktë. Por numrat vërtet nuk mund të thonë gjithçka, por mundësojnë idenë e një fakti evident: Shën Mëria mund të shërbejë si urë kalimi midis Katolicizmit e Islamizmit.


Historia e shenjtoreve më të njohura të Shën Mërisë orientuar në një hartë që kapërcen kontinentet


Lourdes – Francë


Është shenjtorja më e famshme e kultit të Shën Mërisë, ngritur në vendin ku midis muajve shkurt e korrik të viti 1858 , 14-vjeçares Bernadette Soubirous iu regjistruan 18 shfaqje të Virgjëreshës. Kjo shenjtore është e njohur për shumë shërime, mjaft prej tyre të pashpjegueshme shkencërisht, kryer nga kush është lagur me ujin që rrjedh prej saj. Midis mijëra rastesh të analizuara nga Bureau Medical, komisioni shkencor i ngritur në vitin 1892 e i përbërë nga mjekë laikë e fetarë, Kisha ka njohur zyrtarisht 67 ngjarje mrekulli, e fundit në vitin 2005. Çdo vit në Massabielle, lokalitet i shfaqjes së shenjtores, arrijnë rreth 6 milionë pelegrinë, të ardhur prej më shumë se 1oo vende të ndryshme e ku të paktën 6-7 % e tyre janë myslimanë.


Fatima – Portugali


Këtu më 13 maj të vitit 1917 Shën Mëria u shfaqet tre fëmijëve: Francisko, Xhacinta Marto e Lucia de Jezus dos Santos. Deri më 13 tetor ajo u shfaq tri herë e herën e fundit 70 000 persona asistuan në të ashtuquajturën “mrekullia e diellit”, vërtetuar dhe nga foto e përshkrime të gazetarëve antiklerikalë të Lisbonës. Gjatë shfaqjes, Virgjëresha Mari u beson fëmijëve mesazhe të ndryshme: Vizonin e ferrit, kërkesën e konsakrimit të Rusisë “zemrës time të papërlyer”, mbarimin e luftës e fillimin e një lufte tjetër më të egër. Deri në pjesën e fundit, zbuluar nga Vatikani vetëm më 2001: është një vizion që parashikon dhunë ndaj Kishës e Papës ( Papa Gjon Pali II, një devot i Shën Mërisë, i ishte lajmëruar më parë atentati që e plagosi më 13 maj 1981). Francisko e Xhacinta Marto vdesin vetëm pak më vonë se u ishte shfaqur Shën Mëria, Lucia de Jezus dos Santos ruan sekrete e hyn në manastir, derisa vdes më 2005. Sot Fatima mirëpret çdo vit rreth 6 milionë pelegrinë nga bota.


Czestochova – Poloni, Madona e Zezë


Është shenjtorja kryesore e Polonisë. Prej vitit 1032 mban ikonën e Odigitria ( Ai që tregon rrugën), mjaft e dashur për polakët e Papa Gjonin II. Pushtuar disa herë nga trupat e huaja ( turke e kozake) kjo shenjtore u transformua në një kështjellë e zmbrapsi trupat suedeze më 1655, duke fituar famën e Fortulitium Marianum, “ ledhi mbrojtës i besimit” në Evropën Qendrore. Shën Mëria kurorëzohet mbrojtësja e Polonisë më 1717 e çdo vit e vizitojnë rreth 4 milionë persona, 80% e të cilëve nën moshën 30 vjeç. I njohur është pelegrinazhi universitar që mbahet çdo vit në mes të muajit gusht.


Medjugorje, Mbretëresha e Paqes  në Bosnjë – Hercegovinë


Shfaqjet e para të Shën Mërisë në këtë vend i datohen 24 qershorit të vitit 1981 ndaj tetë personave fëmijë e adoleshentë e nuk kanë përfunduar ende. Ajo u besoj atyre mesazhe të shkurtra, sot të shpërndarë në të gjithë botën nga një rrjet shoqërish e mjetesh shtypi. Vatikani, zyrtarisht, nuk është prononcuar, pasi praktika e kërkon të pritet përfundimi i shfaqjeve të saj. Pas vite polemikash e dyshimesh, Kisha pranon këtë kult e pelegrinazhin në këtë vend. Llogaritet që shenjtorja e Medjugorjes në 25 vjet histori të saj ka tërhequr rreth 40 milionë pelegrinë nga bota.


Atlotting, Zonja Jonë e Fushave të Gjelbra – Gjermani


Gjendet në një Kupolë të shekullit VIII, rreth 100 kilometra larg Monakos. Kjo shenjtore është vizituar dhe nga Papa Benedikti XVI e brenda saj ndodhet një statujë druri e shekullit XIV, e hyjnizuar në mënyrë të veçantë nga bavarezët. Nga viti 1650 këtu kryhet një pelegrinazh katërditor në këmbë për të falënderuar Virgjëreshën për ruajtjen e besimit katolik në të gjithë këtë rajon.


Saragoza – Virgjëresha e Bekuar e Pilarit, Spanjë


Në këtë shenjtore celebrohet Virgjëresha sipas një tradite, sipas të cilës ajo ka ardhur në Spanjë për të ndihmuar San Xhakomon. Shën Mëria ka lënë gjurmën e saj në një kolonë të fildishtë si shenjë e forcë që besimi do të kishte mbi tokë. Është vendi i mrekullive më të proklamuara e të dokumentuara më së miri historikisht e shkencërisht. Njëri prej tyre njihet si “ el gran milagro di Calandra  e ka të bëjë me rritjen misterioze të këmbës së prerë aksidentalisht të një pelegrini. Kjo shenjtore daton vitin 1681 e është konsakruar më 1872 në stilin barok e me një kupolë të lartë rreth 80 metra. Çdo vit vizitohet nga 4 milionë besimtarë.


Shën Mëria e Loretos, Ankona – Itali


Dhe në këtë vend vinë çdo vit rreth 3.5 – 4 milionë vizitorë e kjo shenjtore mban muret e gurit të stilit arkitektonik të përdorura në Palestinë në epokën e Krishtit. “Transportuar nga engjëjt, sipas traditës mesjetare, “gurët e shenjtë” i ngjajnë shtëpisë së Nazaretit, ku ajo merr dhe Lajmin e Madh.


Mariamabad – Pakistan


Shenjtorja e Marias gjendet 80 km larg nga Lahora në Penxhabin pakistanez. Mariamabad, qyteti i Marias mirëpret çdo vit 500 000 pelegrinë të të gjitha besimeve e thuhet se është krijuar për të falënderuar Virgjëreshën për dhënien fund të thatësirës.


Vailankanni – Zonja Jonë e Shëndetit – Indi


Sot kjo shenjtore njihet si Lourdes i Indisë me 7 milionë pelegrinë vjetorë, midis të cilëve shumica janë myslimanë. Ndodhet në një qytezë 250 km në jug të Madras, ku sipas traditës, Maria është shfaqur tri herë, hera e parë e së cilës i përket një djali hindu në vitin 1500. Gjatë stinës së verës, me festën e fundit të gushtit, është fluksi më i madh i pelegrinazhit e zgjat plot 9 ditë.


Zonja Jonë e Guadalupes – Meksikë


Fshatarit Huan Diego, në vitin 1531, i shfaqet “ Morenita” me ngjashmërinë e një vajze indiane. Imazhi i saj mbetet i stampuar në pelerinën e tij. I studiuar nga dhjetëra shkencëtarë, midis të cilëve dhe një studiues i NASA-s e një Nobel për Kiminë. Ky  mantel, sipas testeve e analizave, mbetet një mister: ngjyrat nuk janë as natyrore, as minerale e as kimike.


2244
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus dy? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI