Llogaria ime
AOL Portal
Revista

Shqiptari, pirati i internetit qe vidhte ne bankat e huaja
Publikuar me 05 Sht 2006

Shqiptari, pirati i internetit qe vidhte ne bankat e huaja

Autoritetet hetimore shqiptare nuk kanë mundur të zbërthejnë formulën e grabitjes së kartave të kreditit të emigrantëve shqiptarë në SHBA dhe Itali. Si rrjedhim, prova e vetme kundër studentit 23-vjeçar ka qenë kallëzimi i kompanisë ajrore "Bell Air". Tek kjo kompani, studenti Allamani dyshohet se ka blerë disa bileta udhëtimesh, duke paguar nga llogaritë bankare të emigrantëve shqiptarë në SHBA dhe Itali. Lajmi për lirimin e "gjeniut" të kibernetikës është konfirmuar nga burime zyrtare policore. Ato janë shprehur se i akuzuari për vjedhjen e disa emigrantëve po ndiqet penalisht në gjendje të lirë. Studenti është mbajtur për 24 orë në gjendje arresti, porse afati po kalonte dhe duhej vendosur. Prokuroria e Tiranës dhe grupi i hetimit nuk kanë arritur të zbërthejnë tërësisht skemën komplekse që kishte zbatuar i riu për të hyrë në "xhepat" e emigrantëve.

Mungesa e provave
Pas çdo arrestimi, i akuzuari mbahet deri në 48 orë në paraburgim, e më pas duhet të dalë në gjykatë. Zakonisht brenda këtij afati, hetuesit përpiqen të gjejnë prova për të mbajtur në qeli të arrestuarin. Albi Allamani, shqiptari i parë i akuzuar për një vepër të tillë penale, duket se nuk ka përfituar vetëm nga skema e ndërlikuar me të cilën akuzohet se ka grabitur paratë e emigrantëve. Burimet policore sqaruan se është e vështirë të gjendet një bazë e fortë ligjore për të akuzuar studentin, pasi legjislacioni shqiptar nuk jep shumë mundësi për krime të tilla në fushën e kibernetikës. Si rrjedhim, afati i mbajtjes në qeli të studentit ka kaluar dhe Prokuroria nuk kishte prova të mjaftueshme për t'i kërkuar gjykatës mbajtjen në arrest. Në këto kushte studenti është lënë i lirë, por mësohet se policia vëzhgon më imtësi të gjitha veprimet e tij.

Gjeniu
"Nëse do të ishte arrestuar në Itali, rrezikonte ndjekje penale të rreptë, por këtu mungon baza ligjore e mjaftueshme. Veç kësaj mungojnë specialistët dhe pajisjet", janë shprehur dje burime të akuzës shqiptare. Sipas tyre, vendet evropiane kanë zgjeruar legjislacionin për krimet "online", porse në Shqipëri kjo nuk ka ndodhur ende. Një frenim të madh në punën e policisë shqiptare dhe të Prokurorisë ka pasur edhe fakti se në kompjuterin personal të studentit nuk janë gjetur shumë të dhëna. Ai dyshohet se ka ndërhyrë në llogaritë bankare të bashkëkombësve të tij, duke kopjuar të dhënat e kartëkrediteve nga një kompjuter tjetër në Itali. Albi Allamani u kap në Rinas katër ditë më parë. Ai u zbulua nga numri i biletës së udhëtimit që kishte blerë duke përdorur të dhënat e kartës së kreditit të një emigranti shqiptar në Angli.


2191
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bejne dy plus 1? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI