Llogaria ime
Veriu Portal
Lifestyle

Shqipëri : 5600 çifte divorcohen në vitin 2009
Publikuar me 20 Jan 2010

Shqipëri : 5600 çifte divorcohen në vitin 2009

Në sekretaritë e gjykatave të shkallës së parë në Shqipëri regjistrohen çdo ditë mesatarisht 15 padi për zgjidhje martese. Edhe viti 2009 konfirmoi rritje krahasuar me një vit më parë, me rreth 7 përqind më shumë. Jo të gjitha kërkesat për divorc përfundojnë  me ndarjen e bashkëshortëve. Një pjesë e vogël e tyre zgjidhen me pajtim e marrëveshje qysh në seancat paraprake gjyqësore. Ndërkohë që pjesa më e madhe e padive përfundon me hetim gjyqësor, në seanca që zgjasin nga 2-3 muaj në rreth dy vjet.


Denisa Daka është anëtare e kryesisë së Dhomës Kombëtare të Avokatisë në Shqipëri. Ajo ka mbi 10 vjet që asiston dhe këshillon si avokate çështje gjyqësore që kanë të bëjnë me zgjidhjen e martesave në kryeqytet. Daka duke bërë një listim të arësyeve më të shpeshta se përse çiftet i japin fund kurorës thotë për DW se kjo ka lidhje me faktorë socialë, ekonomikë e psikologjikë.“Ndër to unë do të përmendja si më evidente dhunën, dhunën e ushtruar ndaj bashkëshorteve në shumë raste. Në rastet që kam asistuar unë 1 në 3 gra kanë patur si shkak dhunën. Dhe kjo ka prishur ekuilibrat e gjitha familjes. Një arësye tjetër është disniveli shoqëror. Në një kohë që gratë janë shtëpiake dhe burrat janë në karrierë. Apo e kundërta kur gratë bëjnë karrierë dhe burrat nuk e gjejnë veten askund. Problemet e rënda ekonomike janë gjithashtu shkak për të prishur martesën mes bashkëshortëve. Emigracioni është një tjetër shkak për divorc. Shumë burra apo shumë gra kanë vendosur të emigrojnë. Por ai vakumi kur njëri prej bashkëshortëve jeton vetëm me fëmijët atëhere kjo është bërë sërish shkak”.


Avokate Denisa Daka përmend dhe shkaqe të tjera që lidhen me abuzimin me pijet ose drogat nga pjestarët e familjes, gjithashtu dhe lidhjet jashtëmartesore, konfliktet për çështje pronësore, shkaqet shëndetësore  etj.


Prof. Dr  Zyhdi Dervishi, një sociolog i njohur në Shqipëri, mendon se tashmë çiftet që ndahen e kanë disi më të lehtë përballimin psikologjik të divorcit. Por shoqëria më e gjerë e ka më të vështirë ta kapërdijë këtë akt, thotë ai për DW. Sipas prof. Dr Dervishit një grua e divorcuar e ndjen veten më të aftë ta përballojë opinionin rreth saj, në një kohë që opinioni është me agresiv ndaj saj. “Drama më e madhe sipas mendimit tim nuk është për të divorcuarit por për fëmijën ose fëmijët e tyre. Sidomos kur këto janë vajza dhe në moshën e paraadoleshencës. Mendoj se çiftet pasi bëhen me fëmijë duhet të jenë më të kujdesshëm kur marrin vendimin për divorc. Natyrisht që një bashkëjetesë, ose një martesë e konsumuar është e vështirë. Por shkakton problematika shumë të mëdha dhe divorci, sidomos kur në mes janë fëmijët. Sidomos kur këta fëmijë janë në moshë të njomë, në moshë të re, që se kanë kaluar kohën e adoleshencës. Kur kanë kaluar këtë moshë mbase divorci kalohet më lehtë nga ana psikologjike nga fëmijët”.


Prof. Dr Zyhdi Dervishi tregon për DW dhe diferencën që vihet re tek trajtimi i fëmijëve që kanë prindër të ndarë. “Fëmijët që kanë prindër të divorcuar ndjehen në një pozitë të vështirë. Këta janë fëmijë që nuk përkrahen në përgjithësi nga anëtarët e fisit dhe nga shoqëria në një rrafsh më të gjerë. Shoqëria shqiptare ende vazhdon të funksionojë sipas një mendësie tradicionale. Është më e prirur të ndihmojë fëmijët me prindër të vdekur, pra ata që janë jetim, se sa ata që janë me prindër të divorcuar”.


 


Për juristët dhe aktivistët e problemeve gjinore, përmirësimet që i janë bërë kodit të familjes kanë ndihmuar për zgjidhjen më të drejtë ligjore të martesave, për ndarjen e pronësisë dhe të detyrimeve për secilin bashkëshort. Kjo ndikon në zbutjen e efekteve negative për fëmijët, apo pjestarët e tjerë të familjes pas aktit të divorcit.


Autor : Arben Muka


Redaktoi : Aida Cama


1088
  
0

Mos perdorni komentet per te bere pyetje, mund te mos merrni pergjigje. Shkruaje pyetjen tende tek Pyetje dhe Pergjigje

Sa bëjnë 1 plus nje? (shkruaje me germa rezultatin)
EMRI